Diedoni do e djegë Albën, Xhensila do luksin që fitohet lehtë

May 5, 2015 | 11:26
SHPËRNDAJE

Pas daljes nga loja, Maria rrëfen në detaje se si i pa banorët brenda shtëpisë

Java e shkuar e shndërroi shtëpinë e “Big Brother 8” në një hotel me 5 yje, ku banorët u ndanë në turistë dhe personel. Gjatë mbrëmjes së të shtunës sfida u mbyll, shtëpia iu rikthye normalitetit, por me dy banorë më pak, Marian dhe Zaidën. Maria u cilësua si vajza “crazy”, ndaj me tipin e saj ajo gjithmonë ka diçka të rëndësishme për të thënë dhe tani që është jashtë lojës. Duke u shprehur se nga “BB” ka dalë e fituar pasi i ka njohur banorët më shumë sesa ata e kanë njohur atë, Maria komenton në këtë mënyrë ish-rivalët…
A e prisje të dilje kaq shpejt nga loja dhe si u ndjeve?
Deri diku e prisja, sepse nuk u njoha si Maria që jam. Mundësitë qenë të pakta për të treguar nivelin tim dhe shakatë duhej të ishin të licencuara, sepse nuk përshtateshin dot me buzëqeshjen. Banorët kishin shumë pak kohë për t’u marrë me mua, sepse zgjodhën të luanin në çifte, gjë që mua nuk më interesonte. Sa për ndjesinë e daljes nga ”BB8” ishte pak e hidhur, por isha në lojë dhe të gjitha pranohen.

Je shprehur se ti i ke njohur më mirë banorët, sesa ty ata. Ç’mund të na thuash më shumë për secilin banor?
(Qesh) Shumë mund t’ju them për secilin. Po e filloj me Eleonorën, e cila ka shumë intelekt dhe provokon me intelektin e saj, gjithmonë nga ana psikologjike. Xhensila është e shtirur. Mendoj që jashtë, pra në jetën reale, bën zgjedhje më të përshtatshme për veten, e jo të nivelit të Fatjonit të cekët. I pëlqen luksi që fitohet lehtë. Diedoni më duket nevrik dhe dinak. Parashikoj se do e djegë Albën, e cila është ende kalama, dhe e mbron të vërtetën e saj duke ngritur zërin. Tea deri diku është nevrike, por para Veselit, i cili mendon që me bukurinë e tij fiton gjithçka, ai e ka fituar. Për mua po bie nga niveli. Marsuela është shumë e ulët, edhe pse në ditët e para e pashë ndryshe. Kristi nuk ka nivel. Jam çuni i lagjes dhe njoh të fortët, ky është niveli i tij. Milena është femra e eksperiencës dhe e tregoi duke puthur Fabianin, i cili është shumë banal si mashkull. Ai duket nga mënyra si rri nëpër shtëpi, me të mbathura dhe kanotierë. Kurse Fisniku ka treguar 2-3 personazhe deri tani. Uroj që të tregojë shpejt Fisnikun që unë njoh, pra djalin me zemrën e madhe. Unë e kam shumë xhan atë njeri!
Cilët janë më të sinqertët në lojë dhe ata më hipokritët?
(Qesh) Që kur doli shprehja “Më fal!”, sinqeriteti humbi. Të gjithë janë të sinqertë dhe hipokritë në atë lojë. Të sinqertë, sepse duan paratë, hipokrite është mënyra që kanë zgjedhur për të fituar. Mbi të gjitha jemi njerëz dhe na pret një jetë reale jashtë. Duhet të dimë të ruajmë dashurinë e atyre që na i kanë dhuruar pa përfitim e jo të bëhemi të njohur, duke e hedhur atë dashuri për famë.
Ndalojmë te çiftet, ka dashuri mes tyre dhe si e parashikon ecurinë e lidhjeve të krijuara brenda shtëpisë së “BB8”?
Çiftet? Si mos më keq! Ç’të them, se janë të vërtetë? Joo! Mendoj se po përdoren dhe është zgjedhja e tyre. Alba-Diedon, për mua ka ndjenjë të mundësuar për hir të vetmisë, por më e pastër ndjenja nga ana e Albës. Xhensila-Fatjon, sipas meje nuk është lidhje. Është nga ato lidhjet, që unë i quaj: Ti bën sikur më do, unë bëra sikur e besova dhe këtë e kanë përshtatur me lojë. Vesel-Tea-Fisnik është diçka e krijuar nga disa banorë, që u servir keq te publiku. Tea-Fisnik  është kombinim që mua më pëlqen, por është një lidhje që nuk mund ta cenojë askush. E them këtë duke u nisur nga fakti se Tea po u lidh me Veselin, do të pendohet dhe do të gjejë ngushëllim te Fisniku.
Je skeptike për dashurinë, ngaqë e ke provuar çfarë është dashuria e vërtetë?
Po, e kam provuar dashurinë, dhe kam bërë më të bukurën që mund të bënte dikush. E kam jetuar deri në momentin e fundit, me të mirat dhe të këqijat e saj.
Tani që je shkëputur nga gara, kujt do ia uroje fitoren?
Të gjithë janë në garë për fitoren, por unë dua ta fitojë Fisniku dhe vetëm Fisniku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura