Diedon Musa: Alba ngushëllon veten duke thënë që më la, ka kohë që nuk ndiej asgjë për të

Dec 26, 2015 | 13:21
SHPËRNDAJE

alba diedon

Deklarata e Alba Çobajt në ekran se ishte ajo që e ka lënë Diedon Musën, ka ngacmuar sedrën e stomatologut nga Mitrovica. Duke e konsideruar veten djalë fisnik, që s’do donte kurrë ta përfliste ish-të dashurën, ai rrëfen për gazetën “Panorama” të vërtetën e tij dhe çfarë ndodhi mes tyre katër muaj më parë, që u ndanë në mënyrë aq të papritur.

E ftuar në emisionin “Top Show” të Alban Dudushit, ishe dashura jote, Alba Çobaj, deklaroi se ishte ajo që i dha fund lidhjes suaj. Si e prite këtë deklaratë të saj?

Po ç’mund të them… Realisht këto janë gjëra që ndodhin në çift, dhe mua më duket absurditet të fliten publikisht. Por, gjithsesi, nëse ajo ose tjetra, kushdo qoftë, gjen ngushëllim dhe lëndohet më pak duke thënë që “e lashë unë”, për mua nuk është asnjëherë problem, sepse qëllimi im në jetë nuk është të lëndoj dikë, e jo sidomos gjininë femërore. Nëse ajo nuk e ka vuajtur ndarjen tonë nga fakti “që më la”, unë do të ndihesha i lumtur, sepse do ta dija që të paktën nuk është larguar e lënduar. E them këtë pasi prapë mendoj se nuk meriton të lëndohet askush në jetë. Gjithsesi, duke pasur parasysh natyrën më të ndjeshme të gjinisë femërore, unë do i këshilloja të gjithë djemtë që “fajin” e ndarjes ta marrin vetë mbi supe. Jo për gjë, por si qenie njerëzore më e fortë që jemi, t’i lëmë t’u kthehet protagonizmi dhe vetë ngushëllimi në fazat rehabilituese pas ndarjes.

Një përgjigje diplomatike nga një djalë që shquhet për maturi, po realisht si është e vërteta? E le ti, apo të la ajo?

Tani, nëse i bën 600 km rrugë për të diskutuar një muhabet të tillë, nuk gjen gjuhë tjetër të përbashkët, dhe si opsion i vetëm mbetet ndarja. Kuptohet që tjetra e thotë si fjalë e para, duke pritur që ta mohosh ose kundërshtosh, por në këtë rast nuk ndodhi kurrë, dhe kështu mbeti si fjalë e fundit në tavolinë. Mund të them se është një e vërtetë e hidhur për raportin që përfundoi, dhe një e vërtetë e ëmbël për të tjerët që marrin protagonizëm, pse jo që marrin edhe vendime që nuk kishin pasur mundësi t’i merrnin më parë…

E dëgjove me kureshtje Albën në emisionin në fjalë, dhe çfarë shije të la përmendja e emrit tënd prej saj?

Në fakt, fillimisht e pashë tek Ervini në Facebook, që ishte e ftuar në “Top Show”, dhe nga kureshtja normal që do ta ndiqja. Plus kësaj, që nga fillimi dhe prezantimi, ishin gjithmonë fotot që kishim bërë bashkë, kështu që isha edhe unë aty në një- farë mënyre, dhe normale që do e ndiqja. Sa për shijen, ka kohë që nuk ndiej “shije” kundrejt asaj. Mua më lëndoi, mund të them fakti që, pavarësisht se unë personalisht në çdo dalje publike, intervistë, panel televiziv e çdo vend tjetër e kam mbrojtur me shumë fanatizëm lidhjen që kishim dhe atë personalisht. Madje, kam hapur edhe debate duke e mbrojtur në një televizion kur isha i ftuar, dhe do vazhdoj ta mbroj, pavarësisht se ajo në momentin apo mundësinë e parë që iu dha, u mundua të hedhë baltë, nëse mund të them, ose më nënçmoi. Prandaj dhe reagova në Facebook, me një ironi të lehtë, shumë domethënëse e të saktë.

Duke u bazuar te statusi yt në Facebook, cili ishte mesazhi që i jepje Albës?

Statusi im përshkruan ndodhinë e Hose Mourinjos, që pavarësisht se ishte më i miri dhe ikonë e klubit, e larguan për arsye se nuk morën atë që ishin mësuar të merrnin nga ai, pra maksimumin. Por e vërteta është se ai u largua vetë, me dashurinë e fansave dhe respektin për atë që njerëzit e panë se çfarë dha dhe kush ishte. Në fund të fundit, një grup barkderrash e lanë të lirë njeriun që në botë quhet “Special One”. E përkthimi i shkurtër mund të jetë që jo të gjithë ikin, ju kthejnë shpinën e ju lënë. Ka dhe të tillë, që pavarësisht se ndoshta e meritojnë një gjë të tillë, ata prapë duhet t’i largoni vetë, gjithmonë duke i përbuzur, por njëkohësisht duke u vendosur epitetin dhe rëndësinë e “Special One”.

Kur je kaq i qartë, pse vazhdon ta mbrosh ende Albën në publik?

Sepse, pavarësisht të gjithave, kam thënë dhe do e pranoj gjithnjë që ishte diçka shumë e bukur, aq sa ishim bashkë. Dhe nuk po e them këtë për shkak të koherencës, por dua që njerëzit të dinë që ato “pak” fjalë që i kam thënë, atë ndjenjë që e kam shprehur, ka qenë dhe do mbetet e tillë tërë jetën. Unë personalisht nuk do pështyj dhe nuk do e mallkoj kurrë. Dhe, për më tepër, ato momente të lumtura edhe pas daljes tonë nga “BB”, që njerëzit i shihni dhe i shpërndanin në rrjetet sociale, ishin momente spontane të lumturisë së krijuar nga ne, dhe jo momente vuajtjeje e dëshpërimi, që tani shumë njerëz në mungesë koherence kanë filluar ta mendojnë si një farsë ose lojë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura