Eksplozivi, arratisen dy të kërkuar. Didi: Baftjar Bruka iku nga Shqipëria dy ditë para arrestimeve

Mar 1, 2015 | 8:15
SHPËRNDAJE

UPDATE/Identifikimi i grupit të personave të dyshuar për vendosjen e eksplozivit në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, nuk ka qenë një proces i zakonshëm hetimor. Këtë fakt e pranoi dje edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, i cili bëri publike një deklaratë në lidhje me këtë çështje.

Personat e kerkuar

“Hetimi ka pasur karakter shumë të lartë konspiracioni”, tha Didi, duke iu referuar rrezikut të dekonspirimit të çështjes penale që nisi mëngjesin e 10 shkurtit 2015 pas shpërthimeve në Tiranë. Kreu i Policisë ka bërë me dije se hetimi ka qenë i kujdesshëm, duke mos shpërndarë të dhënat e personave të dyshuar në “shumë duar”, përfshi edhe pikat kufitare të vendit. Për këtë arsye, duket se Baftjar Bruka, 24 vjeç, i shpallur tashmë në kërkim nga Policia, ka arritur të largohet jashtë vendit. Këtë e bëri me dije kreu i Policisë Artan Didi, i cili tha se “rezulton se shtetasi Bruka ka dalë dy ditë para se sa ne të krijonim bindjen se vërtet ishte ky grup që ka kryer veprat penale”.

Drejtori i Përgjithshëm i forcave të rendit tha se nuk ka të dhëna për personin tjetër të kërkuar, 35-vjeçarin, Vladimir Gjuta. “Për shtetasin tjetër Gjuta, ende nuk kemi dijeni për vendndodhjen e tij”, theksoi Artan Didi në daljen e djeshme para medias. Burimet nga Policia e shtetit kanë thënë megjithatë se autoritetet shqiptare ia kanë përcjellë tashmë Interpolit të dhënat e shtetasve të kërkuar Baftjar Bruka dhe Vladimir Gjuta, për t’i vendosur me procedurë të përshpejtuar në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë. Një procedurë e tillë ndiqet zakonisht për ato raste kur ka të dhë- na se personi në kërkim është larguar jashtë kufirit shtetëror shqiptar.

TRI AKUZAT PËR “GRUPIN E TERRORIT”

Kryepolici Artan Didi deklaroi dje në daljen para medias se strukturat e Policisë dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda,arritën në sigurimin e provave të cilat çojnë në dyshime të arsyeshme për përfshirjen e disa personave në aktet e shpërthimit me tritol dhe të mbetur në tentativë, më 10 shkurt 2015. Didi tha se të arrestuarit janë Lumjan (Emiljano) Matmuja, 27 vjeç, Ernest Gjuta, 24 vjeç, Kamber Bruka, 31 vjeç, Erjon Dule, 33 vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur Vladimir Gjuta, 35 vjeç dhe Baftjar Bruka, 24 vjeç. Në deklaratën e Policisë, të akuzuarve u faturohet edhe shpërthimi në banesën e zyrtarit të Policisë së Korçës, Alfred Nomani. Personat e arrestuar dhe ata në kërkim, sipas Didit, akuzohen për aktet e rënda kriminale të datës 10.02.2015, ku në orët e para të mëngjesit u vendos lëndë plasëse te Rruga “Kongresi i Manastirit” në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri, për ngjarjen në rrugën “Arben Minga” dhe konkretisht në pallatin nr. 46/7 (shtëpia e Alfred Nomanit), si dhe për ngjarjen pranë urës “Vasil Shanto”, te stacioni autobusit të Unazës. Didi theksoi se në dy rastet e para ndodhën shpërthime, ndërsa në të fundit, shpërthimi mbeti në tentativë, për shkaqe të pavarura nga autorët.

Këto akte, sipas kreut të Policisë, sollën si pasojë dëmtimin e pronës private dhe cenimin e rëndë të sigurisë publike. Kryepolici Artan Didi deklaroi dje se bazuar në hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, rezulton se katër të arrestuarit dhe dy personat në kërkim kanë pasur bashkëpunëtorë të tjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura