Dibrania Flutura Begu: Nga ara me misër në panairet italiane

Sep 29, 2014 | 14:55
SHPËRNDAJE

Përpara gojëve të liga që thoshin se ishte marre që një grua e martuar të shiste në treg, ajo pa interesin e familjes së saj. Gruaja dibrane Flutura Begu ka zgjedhur të bëjë atë që di të bëjë më mirë, por që njëkohësisht i sjell edhe fitim: të prodhojë jufka, një ushqim karakteristik i zonës së Dibrës

Mund të duket si skenar filmash që një grua që ka punuar vite të tëra arën t’i dalë zot jetës, të ndihmojë financiarisht fëmijët, t’i shkollojë e përtej këtyre, të ndryshojë edhe mentalitetin e vendit ku jeton. Dibra, siç shumë mund ta dinë, është treguar shpesh e ashpër me gratë. Kemi së fundmi shembuj plot që e tregojnë këtë. Si ajo edhe vende të tjera natyrisht! Pasi dëgjon vrasje e makabritete që i faturohen një vendi, krijohen rreth tij stereotipe të cilat nuk e vret fort mendjen t’i ndryshosh. Së paku jo nëse nuk je e prekur nga afër. Ndodh kjo, deri sa dëgjon një histori si e mëposhtmja që përveç jetës së saj, ka ndryshuar mentalitetin e një vendi a së paku, të një rrethi të gjerë shoqëror që dikur e përgojonte, ndërsa sot i kërkon punë. Është historia e Flutura Begut.

Në interesat, dëshirat a mundësitë tuaja për punësim, keni ndjerë presionin në rrethin familjar ose shoqëror, se kjo punë nuk është për ju, se të mbash familjen është punë burrash?
Prej vitesh tashmë, puna ime është e lidhur vetëm me bërjen e jufkave. Tani, nga ky vend që po ju flas, duket si një procedurë thjesht mekanike, por nuk ka qenë fare kështu. Duhet të dilja t’i shisja diku, sepse askush nuk t’i merrte në shtëpi dhe sidomos në Dibër, ku vendësit i përgatisin kryesisht vetë. Dola në treg. Gojët nisën të flisnin “si del ajo grua e martuar të shesë”! Bisedova me burrin. I thashë se nëse fillon e dëgjon komshinjtë se ç’thonë, nuk kemi gjë në vijë. Ne duhet të shohim si të rrisim sa më mirë fëmijët e jo të merremi me fjalët e të tjerëve. Kështu dola sërish në treg e, kur vinin njerëzit të blinin, hidhja një shami kokës e u shërbeja. Kisha aq turp, sa s’mund ta imagjinosh sepse kishim qenë shumë të mbyllura.
Po ndërkohë si ju ecte puna?
Me kalimin e kohës, jufkat e mia po kërkoheshin më shumë. Nisa të ndihem më e sigurt. Po fitoja më shumë para e po shikoja suksesin e iniciativës time. Për këtë i jam mirënjohëse shumë bashkëshortit, i cili me ka përkrahur në çdo moment, se gruaja në Dibër është shumë e mbyllur. Gratë, fqinjët dhe shoqet, e kanë paragjykuar punën time në fillim. “Kësaj i ka vdekur burri; Tjetra s’e pyt burrin fare…”- sa herë kam dëgjuar si këto e të tjera. Tani gjërat kanë ndryshuar. Ato gra që dikur flisnin, më kërkojnë t’i marr në punishten time për të punuar.
Si i hytë biznesit?
Kujtoj se në fillimet e kësaj nisme isha duke prashitur misrin në arë. Kur Majlinda nga shoqata “ArgitraVizion” më pyet nëse kam dëshirë të hap një biznes, iu përgjigja që s’mundem pasi kam tokën për të punuar e lopët për të mbajtur. S’mund ta mbaj një biznes. Ajo më thotë se nëse e vazhdon biznesin, shpejt mund të heqësh dorë nga ara e lopët. Ka qenë edhe insistimi e mbështetja e saj që më bënë të nisja biznesin e jufkave, fillimisht me dorë. Ekonomia ishte 0, mentaliteti ishte në maksimum paragjykues, si mund të dilte femra në treg?! Ndaj i kam ndier pengesat e barrierat shoqërore për të zhvilluar hap pas hapi këtë biznes. Realisht shumë shpejt hoqa një lopë. Edhe puna në arën me misër nisi të zvogëlohej pasi biznesi me jufkat po ecte mirë.
Ndërkaq, a u përmirësua ekonomia familjare?
Patjetër, djalin e madh e çova në gjimnaz e pasi mbaroi gjimnazin, donte të vazhdonte shkollën e lartë. I thashë jemi të varfër, por që do të bëja më shumë jufka e do ta çoja në shkollë. Kërkesa për jufka rritej, puna gjithashtu. Unë isha e para që nisa këtë biznes. Më parë punoja tokën gjithë ditën e nuk nxirrja para, merresha me lopën e qumështi herë shitej e herë jo. Me shumë vështirësi i kam rritur 4 fëmijët. Më parë as imagjinohej që gruaja të dilte në treg. Tashmë unë jam aktive dhe ndihem mjaft komode për të marrë vetë pjesë në panaire apo aktivitete të tjera që deri dje as mund t’i imagjinoja. Por po kuptoj se është e vështirë të përballoj ngarkesën, pasi tregu më kërkonte sasi të mëdha. Ndaj nevojiten investime të tjera.
Po a s’ju duhej një buxhet fillestar për të nisur biznesin?
Po, mbështetja financiare fillestare ka qenë e domosdoshme për të pasur këtë biznes dhe unë e kam pasur. Në themelimin e këtij biznesi, unë kam pasur mbështetjen e shoqatës “ArgitraVizion”. Edhe pas kaq vitesh, përsëri nevojitet mbështetje, konkretisht për një makineri tharëse të jufkave të cilën s’mundem ta blej.
Si e shihni të ardhmen e aktivitetit tuaj?
Unë tashmë i kam kaluar pengesat e mentalitetit të shoqërisë. Tani jam gati të shkoj deri në Amerikë e të shes jufka. Në tetor më kanë ftuar të marrë pjesë në një panair që zhvillohet në Itali. As e kam problem çfarë thonë të tjerët. Jam në rregull me burrin dhe fëmijët e mi. Për të tjerat nuk preokupohem. Arrita tashmë ta lë fare punën në arë, sepse kam arritur të ngre një biznes që mund të përmbushë nevojat e mia. Ky biznes më ka ndryshuar familjen, ekonominë familjare pasi kemi qenë të varfër, por më e rëndësishmja: ka ndryshuar mentalitetin. Ky biznes na ka ndryshuar jetën…!
Nuk po rrezikoni tani që po ngrihen fabrika të mirëfillta prodhimi?
Është e vërtetë që konkurrenca është shumë e madhe. E kanë tentuar të më falsifikojnë etiketimin duke shitur produkte false jashtë standardit dhe cilësisë. Ndaj jam përpjekur ta ruaj etiketën, duke vendosur edhe emrin tim në të. Mirëpo kemi vështirësi. E kemi nevojë për mbështetje, si nga strukturat shtetërore edhe organizmat joqeveritarë. Kjo pasi kërkojmë një investim për një makineri tharëse që na jep mundësi të punojmë edhe në dimër.

Shpresat e një studenteje
Përballë historisë së Flutura Begut, nuk është se ke shumë modele të ngjashme për të vënë. Shumë mund të thonë se jetojnë prej vitesh në kryeqytet e s’po munden të bëjnë asgjë, ndërsa Flutura ia ka dalë. Me siguri që edhe Flutura, po ta kishte lënë Dibrën, do të gjendej përballë situatash të paimagjinuara, por ka zgjedhur të qëndrojë atje. Ndërsa Dorina Xhoga, studentja që sapo është diplomuar në degën e Administrim-Biznesit e që katër vite më parë ka ardhur nga qyteti i Pogradecit, po kërkon të integrohet e të punësohet në Tiranë. Sikundër shumë prej nesh kanë bërë.
“Sipas asaj që ndiej nga paragjykimet e shoqërisë, nuk i kemi kapërcyer ende, jo çdo punë është e përshtatshme për një shtresë sociale të caktuar. Ne e dimë mirë që shumë vajza që kanë përfunduar arsimin e lartë, detyrohen të bëjnë punë për të mbijetuar. Aktualisht ende nuk kam gjetur punë, vazhdoj të jem në kërkim”. Si Dorina, njihni patjetër moshatarë të saj pa fund që janë duke bërë të njëjtën gjë. “Në çdo rast, një mbështetje financiare do të ndihmonte mua e këdo për të nisur iniciativa të ndryshme, një sipërmarrje, një bazë për të vazhduar përpara, por gjithmonë, në mënyrë absolute duhet të jesh i zoti apo e zonja ta rrisësh gjënë që nis”. Në këtë që thotë, edhe Dorina është në logjikën e Fluturës. Kësaj të fundit i eci, po tek e ke fundit ka vite të tëra më shumë. E rëndësishme është që edhe fjalët e një studenteje të sapodiplomuar janë njësoj optimiste. “Të ardhmen e shikoj shpresëdhënëse, nëse fillojnë dhe ndryshojnë ca koncepte e klishe, nëse tregu i punës nuk ofrohet vetëm nga disa biznese që çdo njoftim që nxjerrin e kanë formalitet dhe gjithmonë do shkojë të punojë dikush që ka mik”. Por, deri atëherë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura