Dibër, 5 mijë të ikur për azil

Jul 1, 2015 | 14:15
SHPËRNDAJE

Rreth 5 mijë banorë të Matit, Bulqizës e Dibrës janë larguar deri më tani nga vendlindja dhe kërkojnë azil në Gjermani
Kushtet e vështira ekonomike i kanë detyruar ata të largohen në kërkim të një jete më të mirë. Çdo ditë, sidomos gjatë muajit qershor, qindra banorë prisnin në radhë për t’u pajisur me pasaporte me qëllimin e vetëm që të largoheshin nga vendi. Mjaft familje e kanë nisur udhëtimin e tyre nga fshati a qyteti drejt kampeve gjermane, ndërkohë që sipas të dhënave shumë të tjerë kanë udhëtuar drejt Shkodrës, ku i prisnin persona që merrnin përsipër udhëtimin.

“Paguajmë 300 euro për person. Një natë flemë në Kroaci. Ditën e dytë autobusi na dërgon fare pranë kampit ku janë edhe shqiptarë, kosovarë a serbë”, tregojnë të ikurit nga atdheu gjatë kontakteve telefonike apo në rrjetet sociale. Shumë nga banorët e Matit që përgatiten të largohen, thonë se shpresojnë të emigrojnë dhe gjejnë punë në Gjermani. Para dhe pas zgjedhjeve të 21 qershorit pati një fluks në rritje drejt Gjermanisë.

Madje, ka të dhëna se votuesve iu kërkua vota në këmbim të eurove për të udhëtuar drejt Gjermanisë. Në zyrat e gjendjeve civile janë kryer 40 aplikime në ditë. Ndërkohë, përgatitja e këtij dokumenti nga dy javë u shty në tri javë, për shkak të numrit të lartë të aplikantëve. Vetëm për gjashtëmujorin e këtij viti janë kryer tri mijë aplikime për pasaporta në rrethin e Matit, shumica e të cilave u kanë shërbyer azilantëve. Pardje dhe dje nuk janë kryer aplikime të reja dhe shkak sipas burimeve zyrtare është bërë mungesa e internetit. Ndërkaq, burime të besueshme sqarojnë se po tentohet ndalja e emigrimit të banorëve të qarkut Dibër drejt Gjermanisë.

Qarku i Dibrës është ndër më të varfrit në vend dhe banorët e tij nuk kanë të ardhura për të përballuar jetesën. Në fshatrat e thella, varfëria është ulur këmbëkryq dhe banorët llogarisin të marrin çdo muaj vetëm thasët e miellit. Ata nuk kanë asnjë mundësi punësimi dhe të vetmen të ardhur kanë ndonjë dërgesë të mundshme nga familjarët në emigracion. Nisur nga kjo situatë e krijuar, banorët thonë se shpresë të vetme shohin azilin në Gjermani. Kuksianët janë larguar dhe nuk po shohim asnjë të kthyer deri më tani. Të afërmit na kanë thënë se në momentin që mbërrin, të japin para e mundësi strehimi. Do ikim ta provojmë. Këtu nuk kemi asgjë për të humbur”, shprehet një banor, i cili ka zbritur në zonat e thella të Dibrës bashkë me të birin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura