Dibala “tërbon” drejtuesit e Juventusin, por tani e kërkon e gjithë Europa. I ofrohen miliona ose një fanellë legjendare

Jan 18, 2022 | 9:56
SHPËRNDAJE

Paulo Dibala kthehet në çështje te Juventusi. Reagimi i tij pas ndeshjes së fundit me Udinezen ka bërë xhiron e rrjetit dhe deklarata më pas për “mikun në tribunë”, ka bërë situatën edhe më problematike.

dibala

Sipas “Tuttosport”, drejtuesit e klubit janë shumë të pakënaqur me argjentinasin pasi ky nuk ishte një sinjal i mirë për ekipin, aq më tepër nga një kapiten. Për momentin nuk mendohen masa disiplinore, por Elkan dhe Anjeli e kanë përjetuar keq situatën që është krijuar dhe imazhin negativ që ka dhënë për klubin. Megjithatë, klubi mund të bëjë pakgjë në këtë moment, pasi ai është kthyer në një nga emrat më të kërkuar në merkaton e lojtarëve.

PEP, NË SULM – I pari në listë, pas daljes së hapur tek Interi, është futur menjëherë Mançester Siti. Pep Guardiola ka disa vite që e ndjek dhe e pëlqen shumë Paulo Dibalën, tek i cili sheh pak a shumë të njëjtat cilësi që ka pasur edhe Serxho “Kun” Aguero, tashmë i tërhequr nga futbolli. Në të njëjtën kohë, në “Etihad” cilësitë e Dibalës do të ishin një vlerë e rëndësishme e shtuar, duke parë se Xhek Grilish, blerja 100 milionë paundëshe e bërë në verë, nuk po jep efektin që pritej. Ndaj, duke qenë se te Siti paratë nuk janë kurrë një problem dhe duke pasur sidomos parasysh faktin se numri 10 i Juves do të mund të zbarkonte me parametër zero, në Mançester kanë kaluar menjëherë në avantazh duke i garantuar 12 milionë euro neto në sezon Paulo Dibalës. Kjo shifër është shumë më e lartë sesa ajo në të cilën është ndalur Juventusi (7 milionë neto, plus 2 milionë bonuse).

BARÇA I JEP 10-ën – Pas anglezëve në garë janë edhe spanjollët e Barcelonës. Barcelona po kërkon që të bëjë një revolucion total në skuadër nga vera e ardhshme, pavarësisht problemeve financiare, ndonëse këto të fundit po zgjidhen me largimin e shumë të padëshiruarve dhe një përllogaritje e radhës, ndonëse në prapaskenë përflitet se në Katalunjë pritet një sponsor i fuqishëm që bën të mundur edhe planin “Haland”, një operacion prej gati 250-300 milionë eurosh. Prandaj, edhe mundësia për të afruar Paulo Dibalën është mjaft reale te kuqeblutë. Operacioni lehtësohet nga skadenca e kontratës me Juven, ndaj për pagën nuk do të jetë problem gjetja e parave. Gjithsesi, ajo me të cilën Barça do të punojë që të joshë juventinin është dhënia e fanellës me numër 10, e cila i kaloi Ansu Fatisë pas largimit të Lionel Mesit. Por duke parë se spanjolli është ende një djalosh shumë i ri, nëse Dibala pranon katalanasit pritet një tjetër ndryshim.

INTER ZGJAT KOHËT – Po zikaltrit? Në Milano kanë nisur nga puna, siç konfirmuan të dielën edhe fjalët e Xhuzepe Marotës: “Për një si Paulo është normale që të lëvizësh dhe ta tentosh”. Marrëdhënia fantastike që ekziston mes administratorit të Interit dhe sulmuesit të Juves njihet nga të gjithë, por situata aktuale në radhët e kampionëve të Italisë nuk është se lejon më rritje të bilancit të rrogave. Sipas lajmeve që kanë dalë nga selia zikaltër milanezët nuk mund të shkojnë përtej 7.5 milionë eurove neto në sezon, të cilave duke u shtuar edhe taksat për 28- vjeçarin investimi vjetor u afrohet 15 milionëve. Dhe nëse fillimisht ishte menduar për një kontratë 4-vjeçare, Marota dje ka shkuar përtej, duke i shtuar Dibalës edhe një tjetër sezon (5 vite marrëveshje), për të mbyllur diferencën me ndonjë klub që ndoshta mund t’i ofrojë me shumë para juventinit. Gjithsesi, e sigurt është se ujërat kanë nisur të trazohen përreth amerikano-jugorit, ndonëse në orët në vazhdim pritet edhe një lëvizje e radhës nga ana e Juventusit.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura