Diaspora dhe Diplomacia Kulturore

Nov 24, 2017 | 11:04
SHPËRNDAJE

luan zykaDR. LUAN ZYKA*

Në kohën e sotme të globalizmit, të komunikimit të lirë të kapitaleve, të mallrave, të njerëzve, të ideve dhe kulturës, një rëndësi të veçantë po paraqet ushtrimi i politikës së jashtme me mjete dhe metoda të fuqisë së butë, “soft power”, si diplomacia publike me përbërësit e saj, përkundrejt fuqisë politike, ekonomike dhe ushtarake, përndryshe të quajtur “hard power”. Është kuptimplotë rikonceptimi i përdorimit të “soft power” nga fuqitë e mëdha, sa edhe Hillari Klinton në një fjalim në Kongresin Amerikan më 2013-n përdori dhe zbërtheu konceptin e “soft power”, i cili përbënte boshtin strategjik të politikës së jashtme të Obamës.

“Soft power” është forcë tërheqëse, e cila harmonizohet me idealet dhe praktikat e përditshme të botës demokratike, përkundrejt “hard power”, e cila përbën ushtrim force me mënyrat e saj të demonstrimit, dhe me pasojat tashmë të njohura në historinë e përgjakshme botërore. Diplomacia Kulturore përbën një formë të zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare ku vendet dhe popujt njohin vlerat, zakonet, artin, mënyrën e jetesës së popujve të tjerë, me synim forcimin e një klime të mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë midis vendeve.

Diplomacia Kulturore përdor vlerat kulturore të një vendi në komunikim me vendet e tjera, me synim njohjen dhe përmirë- simin e imazhit të tij, me rezultat përfundimtar rritjen e ndikimit të tij në arenën ndërkombëtare.

ZANAFILLAT E DIPLOMACISË KULTURORE

Qysh në kohët e lashta, njihet përdorimi i mjeteve kulturore për qëllime të politikës së jashtme, nga persët, Aleksandri i Madh etj. Në Romën e lashtë, një qytetar që të merrte nënshtetësinë romake duhet të njihte gjuhën dhe letërsinë latine. Në Bizant (ku për herë të parë në histori kemi ministri të jashtme), përdorej fuqia dhe rrezatimi besimtar i fesë së krishterë ndaj popujve të huaj për t’i kthyer ata në të krishterë, duke i bërë më pak të rrezikshëm për perandorinë 1000- vjeçare bizantine.

Në Francën e shek. 17 diplomacia kulturore u mishërua si bosht i politikës së jashtme të kolonizatorëve franceze, kryesisht nëpërmjet përhapjes së gjuhës dhe kulturës franceze. Në kohën e sotme, pothuajse në të gjitha vendet, diplomacia kulturore përbën një nga boshtet strategjike të politikës së tyre ndërkombëtare. Fullbright e konsideron diplomacinë kulturore si përmasën e katërt të politikës së jashtme, kryesisht me anë të komunikimit dhe promovimit efikas të vlerave kulturore të një vendi. Por ka edhe një këndvështrim konservator ndaj përdorimit politik të kulturës, sidomos nga krahu konservator apo ai i RealPolitik, të cilët e konsiderojnë kulturën si rrezik potencial për sistemin e tyre të sigurisë.

Një konceptim i tillë mbizotëronte edhe në politikën shqiptare të sistemit totalitar. Atëherë ndikimi i kulturës dhe ideologjisë së huaj konsiderohej si agresion kulturor dhe si pararendës i agresionit ushtarak ndaj vendit socialist. Madje, kjo përqasje ndihet edhe te filmi “Gjeneral Gramafoni”. Në praktikën politike shqiptare, kultura ka luajtur rol vendimtar në fazat më kritike të kombit dhe shtetit shqiptar (shih “Ç’kemi nga Shqipëria, babi?” Luan Zyka, botimet “Dituria”, 2006). Besojmë se ka ardhur koha që një rol të tillë kultura mund të luajë edhe tani me hartimin e një strategjie dhe program veprimi të Diplomacisë Kulturore.

DIPLOMACIA KULTURORE SOT NË BOTË DHE NË SHQIPËRI

Vendet e fuqishme ekonomike e ushtrojnë diplomacinë kulturore nëpërmjet strukturave të ndryshme, instituteve, fondacioneve dhe programeve si British Council, Instituti “Goethe”, Instituti Francez, Instituti Italian i Kulturës, Instituti Servantes, Instituti “Pushkin”, programi “KulturKontak” i Austrisë, Fondacioni kulturor iranian “Saadi Shirazi” etj. Shumë prej tyre veprojnë edhe në Shqipëri.

Shtete të tjera si Turqia kanë shprehur së fundmi interes për ringjalljen e kulturës osmane në Ballkan (strategjia Davutogllu). Trajtimi i kulturës përbën një bosht thelbësor edhe në politikat dhe veprimtarinë e organizmave të mëdha ndërkombëtarë, si UNESCO (the fruitful diversity of cultures), Bashkimi Europian, Këshilli i Europës etj. Deri sot, në hulumtimet botërore janë të pakta dhe të zbehta studimet e marrëdhënieve ndërkombëtare kulturore, për arsye se qeveritë, institucionet dhe studiuesit nuk e kanë të lehtë të gjejnë fushë për zbatimin e studimeve të tyre, as edhe të matin rezultatet e ushtrimit të politikave përkatëse.

Për qendrat politike të vendimmarrjes dhe kryesisht për partitë që janë në pushtet për pak vite, hartimi i diplomacisë kulturore është i vështirë dhe “pa frut”, sepse rezultatet e saj nuk janë afatshkurtra, por afatgjata, dhe pa përfitim në rritjen e numërit të votuesve tyre. Edhe pse marrëdhëniet kulturore përbëjnë një pjesë të vogël të diplomacisë, nga ana tjetër politika e jashtme zhvillohet mbi shtratin dhe klimën e kulturës së vendeve përkatëse. Diplomacinë e bëjnë njerëzit dhe, që ata të komunikojnë midis tyre, së pari duhet të njohin kulturën e njëri-tjetrit, gjuhën, zakonet, besimin fetar, artet etj. Pra, për të ushtruar me rezultat Diplomacinë Kulturore, duhet diplomaci efikase dhe kulturë me vlera të larta.

Diplomacia Kulturore përbën tagër të shtetit, ndërsa marrëdhëniet kulturore ndërmjet aktorëve kulturore të vendeve të ndryshme, mund të zhvillohen ose nga shoqëria civile, ose edhe nga shteti. Në Shqipëri vërejmë se, edhe pse promovimi i kulturës kombëtare dhe mbështetja kulturore e shqiptarëve jashtë vendit përbën detyrim kushtetues, deri sot në programet e qeverive nuk kemi asnjë strategji apo zbatim praktik të këtij detyrimi. Në ministritë e lidhura direkt me kulturën dhe diplomacinë, atë të Jashtme, të Kulturës dhe Arsimit, nuk ka në organikën e tyre strukturë të posaçme dhe të specializuar për Diplomacinë Kulturore.

Nuk e dimë, se sa buxhet kanë këto ministri për Diplomacinë Kulturore, përkatësisht për arsimin në diasporë dhe promovimin kulturor jashtë vendit (35 % e buxhetit të Min. Jashtme të Francës shkon për diplomacinë kulturore). Në Shqipëri mungon bashkëveprimi ndërinstitucional për Diplomacinë Kulturore, dhe përfaqësitë tona diplomatike, jo vetëm që nuk kanë mundësitë njerëzore dhe financiare në organizimin e veprimtarive kulturore, por edhe nuk janë aktivë kur diaspora i promovon ato. Shteti nuk ka të dhëna statistikore për promovimet e kulturës shqiptare në botë, sipas vendeve, sipas zhanreve kulturore etj.

(Vetëm në Greqi, NGO “Pegasus” qysh prej viteve ‘90 ka promovuar këngën, vallen, librin, kulinarinë, veshjet kombëtare, shkrimtarë shqiptarë etj.). Shteti nuk ka të dhëna për grupet kulturore, artistët, kuratorët e veprimtarive kulturore në vendet e tjera. Është urgjente hartimi i politikës dhe ngritja e rrjetit shkollor për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Gjuha shqipe është boshti dhe ADN-ja e shqiptarëve, dhe mësimi i saj përbën detyrë shtetërore, ku vetëm shteti duhet të ketë tagrin e përgjegjësisë për mësimdhënien e gjuhës.

Shqipëria, përveçse rrugës së provuar me rezultate pozitive nga shtetet e tjera në trajtimin e kulturës në politikën e jashtme për arritjen e qëllimeve të tyre, ka këto arsye të veçanta për hartimin dhe ushtrimin e një strategjie të Diplomacisë Kulturore:

1. Përmirësimi urgjent i imazhit të saj të shtrembëruar dhe të zbehtë në botë, mungesës së “brand name Albania”, sidomos në vendet e vendimmarrjes së politikës botërore dhe në vendet fqinje.

2. Vlerësimi dhe angazhimi i diasporës së madhe etnokulturore shqiptare me synim mbajtjen gjallë të lidhjes së tyre me mëmëdheun, forcimin e klimës pozitive ndaj vendit tonë, ngritjen e urave të bashkëpunimit me vendet ku ata jetojnë.

3. Shqipëria përbën një rast të rrallë dhe unik i bashkëjetesës fetare historikisht, dhe duhet ta shfrytëzojë këtë në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar për ngritjen e qendrave të dialogut fetar (Inter-faith Dialogue). Është rasti i parë në historinë tonë shtetërore ku identiteti ynë kulturoro-kombëtar mund të përbëjë edhe një rast unik dhe me vlerë në mozaikun e kulturës botërore.

DIPLOMACI KULTURORE ME KULTURË DIPLOMATIKE

Jo çdo shprehje kulturore kombëtare është e pranueshme nga popujt e tjerë. Mjaft folklor shqiptar, si edhe ai ballkanik, karakterizohet nga një nacionalizëm populist i krijuar në periudha të caktuara kohore. Kjo shprehje kulturore mund të jetë efektive për shfrytëzim të brendshëm, por është e dëmshme për diplomacinë kulturore. (Në një koncert në Selanik me artistë shqiptarë, ne hoqëm nga programi 2-3 këngë, sepse ato do shkaktonin efektin e kundërt me qëllimin e koncertit para auditorit të huaj).

Përfshirja e “artit” të imituar dhe kitch para auditorit të huaj, nuk përbën shprehje të individualitetit kulturor kombëtar. Dhe si e tillë saboton qëllimin dhe frymën e Diplomacisë Kulturore. Mjete të Diplomacisë Kulturore mund të përbëjnë vetëm ato shprehje kulturore, që janë autentike dhe unike, të cilat mund të sjellin vlera të veçanta në kulturën botërore. IDE DHE PROPOZIME Në fazën historike të Shqipërisë, Diplomacia Kulturore mund të synojë:

1. Në promovimin e vlerave kulturore dhe arritjeve të vendit si edhe në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, sidomos ndaj stereotipeve të krijuara jashtë për shqiptarin dhe Shqipërinë.

2. Në shkëmbimin e shprehjeve dhe vlerave kulturore me vendet e tjera, duke forcuar njohjen e ndërsjellë, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën paqësore me popujt e tjerë.

3. Në tërheqjen e vëmendjes ndaj vlerave tona të veçanta dhe unike kulturore, si bashkëjetesa fetare, duke e kthyer vendin në një qendër studimore ndërkombëtare në fushën e minuar të bashkë- jetesës fetare.

4. Në kujdesin dhe lidhjen e vazhdueshme kulturoro-gjuhësore me diasporën e madhe shqiptare.

5. Në promovimin e resurseve turistike dhe rritjen e interesit turistik për Shqipërinë Për arritjen e këtyre synimeve nevojiten:

1. Hartimi i strategjisë së Diplomacisë Kulturore

2. Ngritja e strukturave në administratën shtetërore dhe jashtë saj në bashkëpunim me shoqërinë civile në vend dhe diasporë.

3. Përgatitja e personelit të specializuar.

4. Koordinimi i të gjitha veprimtarive në nivel shtetëror nga Ministria e Europës dhe e Jashtme në bashkëpunim me Ministritë e Diasporës, të Arsimit dhe të Kulturës.

5. Buxhet përkatës dhe i veçantë. 6. Kontrolli i buxhetit nga keqadministrimi i tij. Si hap të parë konsideroj hartimin e një programi pune për mbajtjen e një simpoziumi për Diplomacinë Kulturore me pjesëmarrjen e personaliteteve nga vendi dhe diaspora që zhvillojnë promovimin e kulturës shqiptare, si edhe gjithë aktorëve të tjerë nga kultura dhe arsimi shqiptar. Synim i simpoziumit do të jetë rrahja e mendimeve dhe eksperiencave me ide dhe propozime për hartimin e një strategjie kombëtare të Diplomacisë Kulturore.

Si strukturë të parë dhe efikase do të propozoja:

1. Meqenëse Shqipëria në këtë fazë nuk i ka mundësitë financiare për ngritjen e një instituti te diplomacisë kulturore, me rrjet në shumë vende të botës, duhet të ngrejë një strukturë praktike, vendimmarrëse dhe rezultative.

2. Forma më efikase është ngritja e një bordi ad hoc me personalitete menaxhuese të vendit dhe diasporës, me buxhet të përcaktuar dhe me llogaridhënie para Parlamentit.

3. Bordi ad hoc nuk do ketë struktura teknokrate dhe të kushtueshme, por do të punojë në bazë të programit të përpunuar nga ai dhe të miratuar nga Ministria e Jashtme, e Diasporës, e Kulturës dhe e Arsimit.

4. Në vendet e tjera do të shfrytëzohen kryesisht potencialet e diasporës me persona që kanë ndërmarrë promovimin e kulturës shqiptare, me kredibilitet dhe patriotizëm të sprovuar duke ngritur me ta një “cultural cluster”. Burimet e financimit do të sigurohen nga buxheti shtetëror, nga programet e organizmave ndërkombëtare, UNESCO, Këshilli i Europës, nga programet kulturore të vendeve të tjera, nga sektori privat, nga donacionet etj., por në çdo rast në transparencë të plotë.

Ka ardhur koha që shqiptarët dhe faktori shqiptar të dalin në skenën kulturore botërore, pa komplekse inferioriteti, por edhe pa butafori folklorike. Thelbi i suksesit është të jemi vetvetja, duke qëmtuar dhe perfeksionuar çdo shprehje të arritur kulturore të krijuar dhe ngjizur në etapat e ndryshme të historisë sonë, pa komplekse dhe ideologjizma. Fuqia tërheqëse e kulturës i përngjan fuqisë tërheqëse të gravitacionit, por ndryshe nga gravitacioni që tërheq gjithçka, kultura tërheq dhe nxjerr në sipërfaqe vetëm vlera pozitive.

Rasti i kombëtares sonë të futbollit në paraqitjen e Kampionatit Europian të 2016- s, përbën dëshminë më të plotë të rolit dhe fuqisë së kulturës. Shpirti praktik i De Biazit në përzgjedhjen e lojtarëve, kryesisht nga diaspora, përkushtimi i lojtarëve për flamurin e kombit të tyre, sjellja shembullore e mijëra shqiptarëve, kryesisht diaspora, që mbushën rrugët e dhe stadiumet e Francës me këngë e valle, pa asnjë incident tifozllëku, ishin tregues të nivelit të lartë të kulturës kolektive shqiptare.

*Ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, 2002 – 2004.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura