Diana Kastrati: Intelektualët e angazhuar nuk prodhohen kurrë me lehtësi

Mar 8, 2018 | 12:13
SHPËRNDAJE

Diana Kastrati, shqipëruese e njohur për kontributin e dhënë për sjelljen në shqip të disa autorëve të njohur nga kultura italiane në gjuhën shqipe, ishte e ftuar në Klubin e Letërsisë Bashkëkohore Shqipe, që mbahet çdo muaj në Universitetin Europian të Tiranës përballë Alda Bardhylit. E ftuar për të folur mbi rolin e përkthimit nga një kulturë në tjetrën, ajo foli për autorë të rëndësishëm si Alberto Moravia apo Antonio Pennaçhi… dhe intelektualin që mungon sot.diana-kastrati

Diana, do doja ta nisnim bisedën pas në kohë, pikërisht në një lidhje që duhet të ketë pasur ndikim në rrugën që ju keni ndjekur në jetë. E kam fjalën për babanë tuaj, albanologun dhe studiuesin e njohur, Jup Kastratin. Cili ka qenë ndikimi i tij në lidhjen tuaj me letrat?

Duke pasur parasysh që kur flitet për lidhje familjare, rreziku që të biesh në patetizëm mund të jetë potencial, do të përpiqem t’i përmbahem, për sa është e mundur, objektivitetit të fakteve. Është botërisht i njohur ndikimi i mikrouniversit familjar ku lindim e rritemi.

Për vetë natyrën e punës së tim ati, të studiuesit, historianit të gjuhës shqipe, por edhe për një tjetër karakteristikë të tij personale si bibliofil autentik, biblioteka e tij mjaft e pasur e krijuar shumë herët nga vetë ai, ishte me një profil thuajse tërësisht humanistik dhe në gjuhë të huaj, kryesisht në italisht, frëngjisht dhe pak gjermanisht (vepra studimore mbi shqipen). Përpos këtij realiteti libresk me të cilin rrethohesha, të cilit vështirë se mund t’i qëndrosh indiferent, ishte vetë temperamenti i tij, mënyra e vendosjes së marrëdhënieve në familje ose më mirë të themi, e një komunikimi intensiv që ai vendoste me ne familjarët, e cila të fuste në një dimension që ishte krejt i pazakontë: për shumë kohë kam menduar se ky realitet i të jetuarit për librin e me librin, duhet të ishte normalisht në çdo familje!

Pasioni i tij i pazakontë për kulturën humanistike në përgjithësi e, për atë italiane në veçanti, i cili për ata që e kanë njohur nga afër ishte “infektues”, solli tek unë krejt natyrshëm përgatitjen mendore e psikologjike që ky drejtim do të përbënte edhe habitatin tim të ardhshëm profesional. Në fund fare, më duhet të shtoj se është krejtësisht falë tij që me të mbaruar studimet universitare, teksa po pushoja këndshëm një ditë korriku pas marrjes së diplomës, më solli një turrë me libra të/ mbi letërsinë italiane të Treqindshit dhe më tha tekstualisht: “Pas pak muajsh del numri i radhës i revistës ‘Buletini shkencor’ i Universitetit të Shkodrës. Përgatit një artikull mbi cilin autor të pëlqen më shumë. Kur ta kesh strukturuar, flasim për aspektin e aparatit shkencor…”. Ai artikull ishte sprova e parë e imja për të nisur rrugëtimin në të cilin ndodhem akoma.

Narrator të madh të letërsisë italiane e quani Alberto Moravinë në vitin 1992. Ju keni sjellë për herë të parë në shqip romanin e tij të parë “Indiferentët”, një roman i cili do ta vendoste atë menjëherë në krye të autorëve italianë të viteve ’30-të?

Ndihet një ndikim i Frojdit në letërsinë italiane të pas viteve ’30-të, leximi i Frojdit ndryshoi rrëfimin jo vetëm të Moravisë, por dhe të autorëve të tjerë që erdhën më pas… “Indiferentët” është romani i parë i Moravias, i botuar më 1929, kur autori ishte vetëm 22 vjeç.

Një roman i cili shënjoi një kthesë në skenën letrare italiane, jo vetëm për faktin se e katapultoi autorin në qendrën e vëmendjes së publikut lexues italian si dhe kritikës letrare të kohës, duke e kthyer atë nga një anonim në një fenomen letrar falë gjenialitetit të tij, por në mënyrë të veçantë, për revolucionin e letërsisë që prodhoi; atë të tipit ekzistencialist me derivim dostojevskjan, i cili i parapriu kësaj tipologjie letërsie (asaj franceze), që do të vinte më vonë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.

Një vepër që vinte pas një periudhe paksa të zbrazët në narrativen e letërsisë italiane të fundshekullit XIX dhe fillimshekullit XX, me një subjekt që vërtitet në një dialog të vijueshëm me vetveten për të gjithë personazhet e romanit, pa drama reale të asnjërit, pa ngjarje për t’u rrëfyer dhe me një sfond të pastër frojdian. Përpos këtyre risive, një meritë e padiskutueshme e romanit qëndron në faktin se, autori kishte pasur ambicien e fortë që të shkruante një pjesë për teatër, pra dramë, por përfundoi duke shkruar një roman, ngjarjet e të cilit zhvillohen brenda 48 orëve. Kësisoj, gjejmë të zbatuar mirëfilli standardet aristoteliane të vendit, kohës dhe veprimit. Siç e thamë pak më lart, Frojdi dhe teoria e tij kishte hedhur rrënjë te formimi i shkrimtarit të ri, ashtu sikurse pashmangshmërisht kishte ndodhur edhe për pjesën më të madhe të intelektualëve europianë të asaj kohe.

Por Frojdi pati atë ndikim te Moravia (ndikim që zgjati gjatë gjithë jetës së tij artistike), edhe falë një fakti privat të autorit: duke qenë se ai që i vogël vuajti nga një sëmundje e rëndë kockash, u detyrua që pubertetin dhe adoleshencën e tij ta kalonte i mbyllur nëpër klinika. Aty ai kreu edhe formimin e tij letrar e kulturor, paksa në mënyrë eklektike, por ku Frojdi ishte “përgjigja” e shumë pyetjeve që rëndom i lindin një djaloshi, i cili po rritet pa kontakte me botën e jashtme. Pra, ai zhvilloi në mënyrë ë spikatur formën e dialogimit me vetveten, duke e transplantuar më pas edhe në letërsinë e tij. E gjithë kritika letrare që është marrë me dekada me veprën e Moravias, e ka cilësuar këtë roman si pararendës të letërsisë ekzistencialiste europiane, duke e vënë autorin në fronin e artë të skenës letrare të pionierëve të saj.

“Burri që këqyr”, flet për një pushtet tjetër që po bëhet dominant sot, ai përmes seksit?

“Burri që këqyr” doli nga shtypi në Itali në vitin 1985, pra, kur Moravia ishte tashmë 78 vjeç. Ndjesitë e autorit në këtë roman janë kryesisht ato të një vuajturi, i cili nuk këqyr aq objektin se sa lëvizjen e tij, domethënë sjelljen e tij. Dalin në pah sërishmi ndikime frojdiane, të cilat përdoren nga Moravia (e shprehur nga ai vetë) në ekses, natyrisht brenda një kornize letrare artistike. Autori, i cili prej kohësh i mbetet bindjes se është seksualiteti ai që kushtëzon ekzistencën tonë në të përditshmen, e përdor këtë element si një metaforë të shtyrë shumë përtej kornizave të zakonshme që një vepër artistike mund të mbajë. Bëhet fjalë në fakt për një raport midis protagonistit dhe dy personazheve të tjerë të romanit (të atit dhe të shoqes), të një pushteti mirëfillazi me bazë subkoshience, ku dominimi i sublimuar përbën edhe kryefjalën e tij. Aftësia e Moravias qëndron edhe në këtë aspekt: ai përkthen me fjalë ndjesitë më primitive, më të errëta të psikikës njerëzore, të cilat gjatë gjithë ekzistencës së saj u është nënshtruar konvencioneve të imponuara ndër shekuj.

Një nga debatet që vazhdon prej më shumë se dy dekadash është mënyra sesi duhet ta lexojmë të shkuarën, qoftë edhe atë letrare. Ju si do t’i komentonit debatet mbi letërsinë e socrealizmit?

Të lexosh apo të rilexosh të kaluarën, është detyrim për secilin individ të ndërgjegjshëm. Për intelektualët është një condicio sine qua non. Dua të shmang qëndrime subjektive ndaj një letërsie që zotëroi skenën letrare shqiptare për 50 vjet, por duke u përpjekur ta shoh në parim çështjen, është një debat që, sipas meje, ka nevojë të strukturohet në parime të forta të kritikës shkencore letrare dhe jo sipas “humoreve” individuale, të cilat sjellin më shumë kaos se qartësi. Optika tejet politike që mbizotëron në gjykimin e fenomeneve sa shoqërore po aq edhe kulturore apo letrare në shoqërinë tonë, është dëmtues për një vlerësim objektiv e të thelluar të kësaj letërsie, e cila, volens nolens, ka qenë protagoniste për një gjysmë shekulli. As nihilizmi e as idolatria nuk kanë qenë e nuk do të jenë instrumentet e duhura në lëminë studimore.

A ka një histori të gruas në letërsi? A mund të flasim sot për një histori krenare të femrave në fusha të ndryshme të jetës? A ka një histori të gruas në letërsinë tonë?

Sigurisht që po. E madje, fort të lavdërueshme. Indikatori më i fuqishëm i këtij roli është ai që sjell ndryshime në emancipimin e një shoqërie. Dhe emra të tillë e kanë populluar skenën letrare shqiptare, e cila vazhdon të pasurohet gjithnjë e më shumë. Ndërsa skenat e tjera, si arsimi, ai “gëlon” nga prani femërore, por edhe ajo e biznesit ka njohur arritje të lavdërueshme, në një kohë që ajo politike ka mjaft për të thënë në këtë drejtim. Në këtë rast, mendoj se ndërhyn ndërgjegjësimi i vetë femrës për të qenë apo jo protagoniste e një skene të tillë. Jam e mendimit se perspektiva e afërt, por edhe e ardhshme, premton për mirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura