Dialogu i Nivelit të Lartë Shqipëri-BE, takimi i rradhës më 24 mars në Tiranë

Mar 5, 2015 | 18:19
SHPËRNDAJE

Më 24 mars do të zhvillohet në Tiranë takimi i radhës i Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE. Lajmi konfirmohet nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Në një postim në Facebook, Bushati bën me dije se ka prezantuar “në Bruksel para Komisionit të Parlamentit Evropian për Çështjet e Jashtme ecurinë e SEECP gjatë kryesisë shqiptare. I njoha eurodeputetët me aktivitetet e SEECP gjatë këtij viti duke u ndalur kryesisht në kalendarin e përgatitur nga Kryesia shqiptare. Në mënyrë të veçantë u ndala në ministerialin e SEECP të zhvilluar në Tiranë, më 23-24 shkurt dhe deklaratën e përbashkët të miratuar kundër terrorizmit”. 

Bushati në Bruksel

Bushati në Bruksel u takua me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe me eurodeputetin Kukan.

“Gjatë këtyre takimeve prezantova ecurinë e reformave dhe të përpjekjeve të qeverisë për të përmbushur në kohë kriteret e parashikuara në Udhërrëfyesin për 5 prioritetet kyç. Marrja e një date për hapjen e negociatave për anëtarësim është me rendësi të veçantë për ecurinë e reformave, motivimin e administratës dhe mbështetjen publike”, thotë Bushati. 

“Në takimin me Komisionerin Hahn konfirmuam se në datë 24 mars do të zhvillohet në Tiranë takimi i radhës i Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE”, bën me dije Bushati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura