Dialogu, marrëveshjet…, pas përplasjeve, Kurti-Vuçiç ulen sot në një tryezë! Çfarë pritet nga ky takim?

Sep 11, 2023 | 11:00
SHPËRNDAJE

Të enjten e 14-Shtatorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç do të ulen në një tryezë të përbashkët për të disatën herë në kuadër të zhvillimeve të bisedimeve për dialogun.

Kurti-VucicKy takim u konfirmua fillimisht nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Kujtojmë se pas ngërçit të krijuar në veri të Kosovës me kryetarët e rinj të zgjedhur në katër komunat, BE ishte ajo e cila përsëriti herë pas here thirrjen për të dy palët, për një klimë të përbashkët me qëllim vijimin e dialogut.

Në prag të uljes në këtë tryezë, për bisedimet në lidhje me përgatitjen e takimit u kujdes zëvendëskryministri Besnik Bislimi, i cili u takua me të dërguarin e BE-së për dialogun.

Përmes një reagimi në platformën ‘X’, Lajçak theksoi se përqëndrimi kryesor i këtij takimi ishtë për mënyrën se si të përparohet drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ai tha se po punohet shumë që takimi i 14 shtatorit të sjellë rezultate pozitive.
“Ne e patëm një diskutim të gjatë dhe përmbajtjesor për t’u përgatitur për takimin e dialogut të nivelit të lartë javën e ardhshme.”

Ndërsa, zëvendëskryeministri Besnik Bilsimi tha se Kosova insiston në barazi të palëve në dialog.

“Bisedimet për procesin e dialogut sot para takimit të nivelit të lartë javën e ardhshme. Kosova mbetet konstruktiv dhe insiston në sigurimin e barazisë së plotë të palëve në dialog. Marrëveshja bazike duhet të zbatohet në tërësi dhe pa vonesë. Plani i renditjes së drejtë dhe i balancuar është thelbësor.”

Në anën tjerër, kryeministri Albin Kurti u ka drejtuar edhe njëherë thirrjen ndërkombëtarëve që të nxisin Serbinë me qëllim pëmbushjen e detyrimeve të draftit franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Edhe presidentja Vjosa Osmani e cila të enjten ishte për vizitë në Selinë e NATO-s në Bruksel, i bëri thirrje BE-së që të ketë qasje të balancuar në dialog mes të dyja vendeve. Ajo tha se Kosova për fat të keq gjithmonë ka qenë pala e vetme konstruktive në këtë proces.

“Takimi i ardhshëm i dialogut do të mbahet më 14 shtator. Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive, fatkeqësisht e vetmja palë konstruktive në atë proces. Lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është shumë e gjatë, nuk duhet të thellohem në këtë. Shpresat tona janë të ketë një qasje të balancuar së paku nga ndërmjetësit e BE-së, si parakusht për suksesin e procesit.”

Kujtojmë se Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash. Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura