“Diagramë e mendjes në lëvizje”/ Vangjush Ziko: Moikomi Zeqo e bën lexuesin që nëpërmjet fjalëve të figurshme të kalojë në një gjykim mendor metaforik

Jun 3, 2021 | 14:21
SHPËRNDAJE

moikom zqeoSot është dita e lindjes së Moikom Zeqos. E kujtojmë sot njeriun e mençur e të ditur përmes një shkrimi që na sjell mes nesh poetin, këtë shpirt të bukur, që qoftë edhe për pak na shkëput nga materialja për të na përfshirë në një botë metaforike. Moikom Zeqo u nda nga jeta, po në muajin qershor, duke lënë pas një boshllëk të madh: atë të njeriu të angazhuar, që fliste me kompetencë për artin, kulturën, politikën. Dy ditë më parë, me rastin e Ditës së Fëmijëve, në Muzeun Historik Kombëtar u hap një ekspozitë me ilustrime të fabulave të krijuara nga Moikom Zeqo, ndërsa sot, në ambientet e Muzeut Arkeologjik në Durrës, do të zhvillohet aktiviteti përkujtimor: “Arkeologu nënujor i kulturës qiellore”. Tanimë, puna e Moikom Zeqos vazhdon më tej nga Instituti që mban emrin “Moikom Zeqo”, nën kujdesin e pasardhësve të tij.

VANGJUSH ZIKO, KANADA

Pegasi është kali mitologjik me krahë, simboli i frymëzimit poetik në shekuj, që i mbart poetët nëpër botët e ëndrrave të tyre krijuese. Krahët e tij janë të ndryshëm për poetë të ndryshëm të epokave dhe të rrymave të ndryshme letrare. Krahët e Pegasit të Moikom Zeqos janë metaforat moderne.

Metafora, sipas konceptit aristotelian, është parë si një mjet i pasqyrimit të përpiktë të realitetit në planin artistik, i cili nënkupton një pasqyrim realist të botës. Në themel të kësaj metafore qëndron krahasimi midis sendeve apo fenomeneve në bazë të shenjave të tyre të përbashkëta, të raportit relativ, krahasues të tyre. Metafora moderne e vë theksin në aspektin konceptual të pasqyrimit të realitetit, ajo është konceptuale, jorelative. Pegasi i Moikom Zeqos ka krahë të vet metaforën konceptuale.

Moikomi e bëri kredo të vetën artistike thënien e mjeshtrit Filip Valeni: “Poezia është diagrami i mendjes në lëvizje”. Ky postulat, në lexim të parë, tingëllon si një deduksion i një studimi shkencor, që aspak nuk ka të bëjë me frymëzimin poetik. Kjo është shprehja e famshme e një ithtari të zen-it budist, e cila shpreh thelbin e një meditimi të ri mbi poezinë.

Moikomi e ka pohuar se nuk është rob i arsyetimit shkencor: “Instinkti i metaforës tek unë është në luftë, me intuitën e shkencëtarit!”. Moikomi e percepton frymëzimin si një zgjim emocional dhe intelektual njëkohësisht. Ai gjen ngjashmëri midis procesit instiktiv natyral të fenomeneve të natyrës dhe të procesit të ndërgjegjshëm të frymëzimit poetik.

Po e filloj me poezinë “Mjegulla e pavarrosur”, poezi meditative disashtresore me pyetje dhe përgjigje të vetëdijes së shqetësuar të poetit:

“Kjo erë shkurti griset si një fletë libri!

Ç’mjegull e pavarrosur!

Mbase ca flutura vampire do të thithin gjakun e freskët të agimit!

Po ca bletë të Melisës përpunojnë mjaltin sekret të mitit tim!

Ç’janë këta poetë, pronarë të egër të ëndrrave të të tjerëve?”

Tema e kësaj fabule metaforike është fati legjitim i frymëzimit, i cenimit të identitetit të krijimit, vjedhjes flagrante të ëndrrave të krijuesit.

Në këtë poezi përqasen “enigma” të natyrës me “enigma” të fatit të talentit, që mishërohet në këtë paralelizëm metaforik midis “fluturave vampire” dhe “pronarëve të egër të ëndrrave të të tjerëve”

Metaforat “griset” dhe “e pavarrosur” apo “mjalti sekret” dhe “ëndrrat” janë thjesht krahasime që mbështeten vetëm në sferën analoge.

Metaforat që zgjojnë dinamikën konceptuale, janë metaforat simotra: “flutura vampire” dhe “pronarë të egër”. E para na përcjell idenë e instinktit të një insekti grabitqar, të vampirit, dhe e dyta një veprim të një qenieje njerëzore “grabitqare të ëndrrave të të tjerëve” të plagjiatorit.

Këto metafora e kapërcejnë konotacionin gjuhësor dhe na nxitin sferën e gjykimit konceptual të një dukurie të dënueshme shoqërore, të plagjiaturës, të kësaj “mjegulle të pavarrosur” të përjetshme të grabitjes së krijimtarisë poetike. Shkalla e ngjashmërisë së fenomeneve është jo aq e vështirë për t’u kapur.

Në poezinë “Hemorragjia Kozmike” kemi një ngjashmëri shumë të paktë, të padukshme:

“Diku lëviz një kometë, gjest i perëndishëm për të gjitha ‘lamtumirat'”!

Te çdo sekondë kam një pikë të gjakut! Kështu nga tërë orët përhapet hemorragjia ime kozmike”.

Poeti përqas këtu dukuri të largëta kozmike dhe jetësore: “kometën”, që shkëputet nga yllësia kozmike, dhe “pikën e gjakut”, që shkëputet nga qenia njerëzore. Të dyja janë sakrifica, “simbolika hyjnore”, janë lamtumira të një dashurie universale të ekzistencës dhe të mosekzistencës, janë lajmëtare të një “lindjeje të një feje të re” (kometa e Betleemit) dhe të një “poezie të re” (do të shtoja unë), të dyja bëjnë fjalë për një dashuri të pamasë.

Moikomi është plotësisht i ndërgjegjshëm për strategjinë dhe projektin edhe të kësaj poezie. Për këto dukuri nuk mund të flitet me “një gjuhë prej dheu”, siç thotë në këtë poezi poeti, domethënë, me metafora të thjeshta, por, as me një metaforë të vetme, sado ,qoftë kjo e goditur. Bëhet fjalë për një koncept universal gjithëpërfshirës, për një “hemorragji kozmike të dashurisë”!

Në këtë rast, bashkërenditja e sendeve apo fenomeneve është e papritur, fenomenet janë shumë të largëta midis tyre, abstrakte. Poeti “provokon” me ndërgjegje, e shkund lexuesin nga plogështia e arsyetimit të thjeshtëzuar dhe e nxit të meditojë dhe të gjykojë intelektualisht. Moikomi ndjek principin krijues, sipas të cilit duhet kapërcyer kufiri i së zakonshmes për të arritur një të vërtetë të jashtëzakonshme, si në gjuhë dhe në figurshmëri.

Për këtë princip krijues, L. Llandam shkruan: “Njeriu në procesin e njohjes së natyrës mund të shkëputet nga përfytyrimet e veta, ai mund të zbulojë dhe të përvetësojë, bile, ato të cilat janë jashtë mundësive të tij për t’i paraqitur”.

Në poezinë “Mëngjesi, Latinishtja e Ringjallur”, poeti bashkërendit sende apo dukuri që nuk kanë fare ngjashmëri: “prania e De Radës”, “hija e Kalit Buqefal”, poeti persian Khajami, “mëngjesi i ringjallur”. Këtu bashkohen në një proces meditimi, dukuri krejt të largëta nga etapa të ndryshme historike, të cilat na përcillen si vazhdim i njëra-tjetrës.

Është konkretisht logjika metaforike relative e mendimit, e kujtesës, që i sendërton në këtë “palimpsest metaforik” të paparë dukuritë e largëta. Kjo logjikë sui generis ekziston në kujtesën historike dhe në kujtesën e poetit (dhe jo vetëm të poetit), jo thjesht si një trill, por si një logjikë intelektuale historike.

Për poetin, simboli i kësaj kujtese është latinishtja, gjuha e një kulture të lashtë, e cila i ka regjistruar këto “bëma” historikisht. Latinishtja i ngjan poetit me një mëngjes “të ringjallur” të kësaj gjuhe të lashtë, të harruar, e cila e ndihmon “për të komunikuar me tërë peizazhet, detet, erërat dhe planetët”. Kurse vetë poezia është “gota e dollive” dhe “klepsidra”, me të cilën poeti përshëndet dhe mat epokat historike.

Siç rezulton nga shembujt e mësipërm, Moikomi, duke përcjellë veprime apo objekte nëpërmjet fjalëve apo të objekteve të ndryshme, krijon metafora të bashkërenditura, të cilat na përcjellin edhe gjykimin e jashtëzakonshëm metaforik të vetë poetit. Moikomi e bën lexuesin që, nëpërmjet fjalëve të figurshme, të kalojë në një gjykim mendor metaforik të jashtëzakonshëm.

Studiuesi Xhorxh Lakoff shkruan: “Metafora nuk kufizohet vetëm nga sfera gjuhësore, domethënë nga sfera e fjalëve, sepse proceset e mendimit të njeriut janë në një masë të rëndësishme metaforike”.

Bëhet fjalë, pra, për një metaforë krejt të re, që përballon një mendësi të re të pasqyrimit të një bote dhe të një mentaliteti avangardist mbi botën dhe mbi krijimtarinë artistike, që, nga meditimi konkret kalon në atë abstrakt.

“Kjo metaforë, na thotë I.R. Galperin, krijon figurën konkrete të kuptimit abstrakt, na jep mundësinë për një interpretim të ndryshëm të komunikimit real”.

Pra, metafora dhe poezia konceptuale e Moikom Zeqos abstragon, duke i zgjeruar kufijtë e konceptimit dhe të pasqyrimit të botës dhe të fenomeneve që na rrethojnë, të reales dhe të abstraktes, të logjikës dhe të intuitës, të ndërgjegjes dhe nënndërgjegjes sonë.

Poezia e Moikom Zeqos na përcjell jo thjesht emotivet e shpirtit të tij krijues, por, mbi të gjitha, diagramin e një mendjeje krijuese poetike gjithnjë në kërkim dhe në lëvizje.

Poeti shkruan:

“Lëviz në një dritë të stërlashtë, të paqenë, në një tjetërkohë, që s’është në asnjë kalendar”.

……………………

“Lexomëni, ju lutem! Që nga ky çast do t’ju bëj të mendoni ndryshe, – krejt ndryshe!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura