Diabet & COVID-19, pandemi të mbivendosura

Nov 27, 2020 | 9:15
SHPËRNDAJE

SHEFQET DELIALLISI

Deliallisi-Shefqet

Një bashkëshoqërues i madh i Covid-19 është diabeti. Njerëzit me diabet kanë dy herë më shumë gjasa të përjetojnë simptoma të rënda apo të humbin jetën nga COVID-19. Një ilustrim: ndërsa njerëzit me diabet në Britani përbëjnë 5% të popullsisë, një e treta e atyre që humbin jetën nga COVID-19, janë me diabet.

SHOQËRI E RREZIKSHME…

Diabeti, si një sëmundje inflamatore kronike është faktor risku për shumë sëmundje, pikërisht për këtë paraqet dhe një interes të veçantë mjekësor. Njerëzit me diabet kanë dy apo tri sëmundje shoqëruese, obezitet, hipertension, sëmundje e zemrës, të veshkave, pa përmendur komplikacionet e vetë diabetit… Nga ana tjetër, sëmundjet shoqëruese bëjnë shkak për forma të rënda dhe humbje të jetës nga COVID-19. Diabeti është një gjendje inflamatore kronike. COVID-19, gjendje inflamatore, akute. Mbivendosja sjell situatë problematike…

“DUET” DHE “TRIO”…

Pandemia e diabetit dhe obezitetit vlerësohen si problemi më i madh shëndetësor i shekullit 21. COVID-19, po ashtu si pandemia infektive më e madhe dhe më agresive një shekull pas asaj të gripit spanjoll. Diabeti dhe obeziteti janë aq të lidhur me njeri-tjetrin sa janë duke u shkrirë në një emër: diabezitet. Bashkëngjitja e COVID-19 këtij “dueti” krijon një “trio” edhe më problematike… Kjo, sepse obeziteti vetë përbën një faktor risku për disa sëmundje, përfshi ato infektive, bakteriale dhe virale; dëmton kujtesën imune; dobëson sistemin imunitar; madje vështirëson dhe imunizimin. Për të gjitha këto arsye përbën faktor të fuqishëm risku për vdekshmëri të lartë nga COVID-19, po aq sa diabeti, në mos më shumë.

DY KUNDËRSHTARË…

Hiperglicemia dhe insulina. E para proinflamatore, e dyta antiinflamatore. Te njerëzit me diabet dhe COVID-19 në formë të rëndë, duhen sasi shumë të mëdha të insulinës për të mposhtur hipergliceminë marramendëse. Janë barnat presorë apo steroidë që përdoren, vetë hiperglicemia tepër e lartë te pacientët në gjendje kritike, toksiciteti i saj që aktivizon mekanizma mbrojtës inflamatorë që dëmtojnë rëndë dhe pankreasin. Nga ana tjetër, insulina, i vetmi hormon për uljen e glukozës në gjak, jo vetëm lehtëson efektet e dëmshme të hiperglicemisë përmes rregullimit metabolik, por modulon direkt ndërmjetësit inflamatorë dhe vepron mbi efikasitetin e qelizave imune. Për këtë arsye, në praktikë, në 50 viteve të fundit, insulina përdoret jo vetëm për trajtimin e diabetit, por edhe në sëmundje kardiovaskulare apo dhe sëmundjeve në gjendje kritike. Përdorimi i saj ka treguar që kontrollon shpejt treguesit e inflamacionit te diabetikët obezë, duke frenuar avancimin COVID-19 drejt formave të rënda dhe vdekjes.

MOSHË E PËRZGJEDHUR…

Diabeti dhe Covidi preferojnë të njëjtën grupmoshë. Një ndër pesë personat mbi 65 vjeç është me diabet. Format më të rënda dhe humbjet e jetës nga Covid-19, ndodhin më shpesh pikërisht në këtë grupmoshë. Tetë në dhjetë vdekje të lidhura me Covid-19 i përkasin moshës 65 mbi vjeç. Shkaku i saktë ende s’dihet. Ajo që dihet me siguri, në organizmin tonë asgjë s’është rastësi.

NJE DIABET I RI?

Gjendjet inflamatore akute dhe reagimi ndaj stresit zakonisht e rrisin nivelin e glukozës në gjak. Në rastin COVID-19, po sugjerohet edhe një tjetër mundësi. Virusi sulmon drejtpërdrejt qelizat e pankreasit prodhuese të insulinën. Ka ndodhur dhe më parë nga një tjetër koronavirus në epideminë SARS të vitit 2003 në Kinë. Sipas një studimi, në hapësirën dyjavore pas shtrimit në spital, te pacientët me SARS që më parë s’kishin diabet, u shfaq diabeti. Ajo që ra në sy, në pjesën më të madhe të rasteve, diabeti ishte kalimtar. Vetëm gjashtë pacientë kishin ende diabet në dalje nga spitali. Te dy të tjerë diabeti zgjati edhe për tre vjet. E njëjta gjë po vërehet edhe te pacientë me COVID-19 të shtruar në spital: mjaft raste me diabet të shfaqur rishtas.

Ngrihen disa pyetje: diabeti i shfaqur rishtas është klasik tip1, tip 2, apo një tip i ri me shkak ende të panjohur, të ndryshëm nga rritja e rezistencës ndaj insulinës (tipike për diabetin tip2)? Ky diabet ndodh nga një pamjaftueshmëri e pankreasit që shfaqet në të sëmurët në gjendje kritike (Covid, formë e rëndë)? Apo koronavirusi i ri po sulmon dhe dëmton qelizat prodhuese të insulinës, duke shkaktuar mungesë të saj (karakteristike për diabetin tip1)?

Në çdo rast, para se diabeti i shfaqur të konsiderohet si një tip i ri i shkaktuar nga COVID-19, duhet të përjashtohet një prediabet i mëparshëm. Nuk duhet të nënvlerësohet fakti që koha e zbulimit të diabetit (tip 2) zakonisht nuk është koha e fillimit të tij. Miliona njerëz, në mbarë botën, që kanë diabet, nuk e dinë, madje dhe në vendet e zhvilluara. Kjo, mbasi simptomat zhvillohen aq ngadalë dhe gradualisht, prandaj dhe diabeti shpesh zbulohet rastësisht.

SFIDË E VËSHTIRË ….

Te njerëzit me diabet dhe COVID-19 ka një përkeqësim të kontrollit të diabetit. Rishikimi i mjekimit të mëparshëm është i domosdoshëm. Ata që më parë trajtoheshin me antidiabetikë oralë, kanë nevojë për trajtim me insulinë; ata që trajtohen me insulinë, kanë nevojë për doza shumë më të larta të saj. Sfiduese është mbajtja në kontroll e diabetit te pacientët në gjendje të rëndë, veçanërisht kur përdoren kortikoide (kortizon). Vendimi për përdorimin e steroideve te njerëzit me diabet duhet të peshohet mirë. Përfitimi në çdo rast duhet të tejkalojë dëmet e shpeshta dhe të rënda të kortizonit, veçanërisht te njerëzit me diabet. Pacientët me diabet dhe Covid kanë nevojë për injeksione të shumëfishta insuline.

Kanë nevojë për një monitorim të kujdesshëm të nivelit të glukozës, për të drejtuar dozimin dhe shmangur hipogliceminë. Veçanërisht monitorimi i vazhdueshëm i glukozës është i domosdoshëm në kushte spitalore për ndjekjen dhe lehtësimin e përdorimit rutinë të insulinës intravenoze si bazë për kontrollin intensiv metabolik të pacientët me COVID-19

KUSH ËSHTË “VRASËSI”?

Covid-19 përkeqëson diabetin apo diabetit Covidin? Dihet që, infeksionet, në përgjithësi, përkeqësojnë diabetin. Dihet që diabeti favorizon infeksionet, mbasi dobëson imunitetin, dëmton funksionin metabolik dhe ndikon drejtpërdrejt homeostazën e organizmit. Duke huazuar terma të kriminalistikës, ndonëse dy pandemitë përkeqësojnë njëra-tjetrën, “vrasësi” është Covid. Diabeti “pjesëmarrës në vrasje”.

DUKE E MBYLLUR…

Bëhet një krahasim. Pandemitë i krahasojnë me një përmbytje. Pandemia e diabetit krahasohet me një përmbytje të shkaktuar nga një rritje e pakthyeshme e nivelit të detit. Pandemia Covid-19 krahasohet me një përmbytje të shkaktuar nga një valë e izoluar e baticës, pas të cilës gjithmonë vjen zbatica. Prandaj Covidi dikur do tërhiqet dhe diabeti mbetet…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura