Dhurata Shehri e Persida Asllani, një libër së bashku, 10 arsye pse duhet lexuar

Nov 22, 2021 | 10:15
SHPËRNDAJE

Kastriot Gjika: Një ftesë, por edhe një sfidë e hapur për studiues të letërsisë shqipe që t’i bashkëngjitën këtij projekti

Persida Dhurata

Pas një pune këmbëngulëse, skrupuloze, shfletime, krahasime, pranëvënie, por edhe grindjesh profesionale, dy studiueset e letërsisë, pedagoget Dhurata Shehri dhe Persida Asllani “sollën në jetë” veprën “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”. Një sprovë, që rreket jo vetëm të sistemojë përpjekjen e deritanishme në lëmë të studimeve krahasimtare, por edhe të hedhin bazat për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe. Ceremonia e promovimit të librit u zhvillua ditën e shtunë, në praninë e kolegëve, studiuesve e studentëve, të cilëve u drejtohet më së shumti ky libër; një doracak për çdo tryezë pune të një studiuesi të letërsisë.

Studiuesit Laura Smaqi e Erion Kabo i njohën të pranishmit me natyrën kërkimore, sfiduese të këtij studimi, që është vetëm porta hyrëse për hulumtime të mëtejshme. Përveç punës serioze, të pakompromis që të dyja studiueset kanë treguar përgjatë gjithë karrierës së tyre akademike, ashtu si thotë edhe studiuesi i letërsisë, pedagogu dr. Kastriot Gjika, të tërheq vëmendjen në këtë punim edhe fakti që vjen në dyautorësi apo “me katër duar”. Një fakt që do ta vinte në dukje edhe studiuesi Sabri Hamiti, e të cilit Dhurata Shehri iu përgjigj se “pas grindjeve, ranë në një mendje se do të vazhdojnë të grinden sërish.

KASTRIOT GJIKA

Libri që sot kemi rastin të përshëndesim e t’i urojmë mirëseardhjen në botën tonë të letrave, është një studim me vlerë e me mjaft rëndësi, është një kuotë e re, më e lartë, në vazhdën e atyre librave që kanë në fokus të tyre përpjekjet për realizimin e atij projekti madhor që do të ishte “Historia e letërsisë shqipe”, por pa iu atashuar pretendimit për ndonjë histori ekskluzive të letërsisë shqipe. Ky studim që kam nderin e kënaqësinë t’i bëhem njëfarë kumbare, vjen në trajtën e një libri, për të cilin kam renditur më poshtë dhjetë arsye pse ai duhet të jetë një libër që duhet lexuar e duhet të zërë një vend të dukshëm e lehtësisht të mbërritshëm në raftet e bibliotekave tona, jo vetëm të studiuesve të letërsisë shqipe, historianë të letërsisë ose jo, por edhe pedagogëve, studentëve, mësuesve etj.

Pa ju marrë më shumë kohë, po i rendis (jo sipas rëndësisë) të dhjetë arsyet pse duhet ta kemi në duar këtë libër:

1. Sepse, duke qenë një skicë, një trase a një projekt i propozuar, ky libër/studim njëherazi është edhe një ftesë, por edhe një sfidë e hapur për cilindo studiues të letërsisë shqipe që t’i bashkëngjitet këtij projekti, për të çuar, më në fund, në një “histori të krahasuar të letërsisë shqipe”.

2. Sepse punimi synon (dhe personalisht mendoj se ia ka arritur) të hedhë bazat metodike të hartimit të një historie të letërsisë së krahasuar, si një nga platformat alternative, mbi të cilën mund të ngrihet superstruktura e njërës prej historive të letërsisë shqipe, duke prezumuar gjithmonë që të tilla do të ketë, gjithsesi, më shumë se një.

3. Sepse ky punim mëton t’i japë fund kësisoj edhe atyre interpretimeve që mjaft dukuri të procesit letrar shqiptar i kanë parë e i kanë interpretuar si “anomali”, si “çudi”, si “parregullsi” etj., cilësime këto që janë nisur kryesisht nga shfazimi i tyre kohor në raport me dukuri të ngjashme letrare në letërsitë e tjera që merren si referenca.

4. Sepse një studim mbi letërsinë shqipe është gjithmonë interesant, tërheqës, madje dhe joshës e pse jo, mund ta quajmë edhe “cool”; se është sfiduese të përballesh me problematikat e koklavitura të saj; se është një privilegj i studiuesve të letërsisë shqipe që të merren me një lëndë, me një proces që është për nga vetë natyra e tij “lëndë e parë” ekskluzive e tyre.

5. Sepse është disi e pazakontë, ndaj edhe ngjall interes fakti që një vepër e kësaj natyre (studimore, shkencore) realizohet me bashkautorësi, ose siç thuhet në kësi rastesh “me katër duar”. Por në këtë rast nuk ka asnjë çudi, ne e njohim mirë miqësinë e të dyja studiueseve dhe madje edhe afinitetin e tyre në pikëpamje e qëndrime shkencore, për shkak edhe të një rrugëtimi të njëjtë (tashmë edhe të gjatë) në karrierën e tyre të suksesshme akademike.

6. Sepse është në interesin e vetë letërsisë shqipe që ajo të vendoset e të shqyrtohet, tek e fundit, si pjesë integrale e sistemit global të letërsisë. Kjo do të zgjidhte jo vetëm një çështje ende të hapur, siç është ajo e periodizimit dhe e emërtimit të secilës periudhë, por do të njësonte edhe kriteret e shqyrtimit të dukurive letrare brenda e jashtë sistemit tonë letrar. Thënë ndryshe, letërsia shqipe të mos matej më me hijen e vetvetes, por me vlerat e vërteta të polisistemit letrar global.

7. Sepse ky punim ofron njëherazi edhe një risistemim e inventarizim të atyre studimeve që përgjatë një shekulli (më pak se një shekull, në fakt) kanë tentuar të shtrojnë një udhë të mbarë në drejtim të një vështrimi krahasues të procesit letrar shqiptar, studime që nisin me Ernest Koliqin, vijojnë me Namik Resulin, me “Historinë e tij të Letërsisë Shqipe”, të botuar në italisht më 1970 etj.

8. Sepse ky libër është i konceptuar saktë, i shkruar bukur, me një gjuhë të qartë e të motivuar, që mundëson një lexim të këndshëm e pa bezdi e lodhje. Stili argumentues dhe ligjërimi dëshmues e provues janë ndërthurur me arsyetimet e kthjellëta e plot dinamikë, por pa e humbur në asnjë rast koherencën e pa e humbur ritmin në asnjë komponent e njësi strukturore të tij, përgjatë 232 faqeve të këtij libri.

9. Sepse ky libër, ky studim, i jep një status të privilegjuar (në raport me studimet historike pararendëse) letërsisë së përkthyer, duke e parë atë jo vetëm si një komponente shumë të qenësishme të polisistemit tonë letrar, por edhe si një modelues të brendshëm e mjaft të rëndësishëm të mekanizmave receptues të vetë letërsisë shqipe.

10. Një arsye e fundit, por jo më pak e rëndësishme, përse ky libër duhet lexuar, madje me shumë kujdes, është se ai është edhe një “ftesë” për të gjithë ata që duan të kërkojnë në të jo arritjet, por mosarritjet, jo saktësimet, por lajthitjet, jo dakordësitë, por kundërshtimet. Ata mund të gjejnë aty “lëndën” e nevojshme për shkrimet e kritikat e tyre. Një urim e falënderim shkon detyrimisht për shtëpinë botuese “Albas”, që beson në projekte të tilla e i mbështet ato. Ne e dimë se qarkullimi i librit studimor në rrethet tona është shumë i vështirë e pa ndonjë farë përfitimi, por kjo shtëpi botuese ka treguar përherë një vëmendje të posaçme ndaj studimeve të këtilla.

Së fundi, dëshiroj t’u shpreh të dyja autoreve të këtij libri që janë edhe mikeshat e mia prej një kohe bukur të gjatë që tashmë i kalon të tria dekadat, urimet e mia më të mira e të sinqerta për këtë arritje të re në karrierën e tyre të suksesshme akademike. I uroj librit të tyre sukses dhe u pasoftë edhe nga të tjerë, deri në realizimin e atij projekti përfundimtar që ai propozon: një histori të krahasuar të letërsisë shqipe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura