Dhunuan dhe grabitën emigrantët, kush janë gjashtë të arrestuarit! Midis anëtarëve të grupit edhe dy femra (EMRAT)

May 27, 2022 | 7:47
SHPËRNDAJE

Gjashtë persona kanë përfunduar në prangat e Policisë, si të përfshirë në dhunimin dhe grabitjen e 11 emigrantëve nga Lindja e Mesme. Midis të arrestuar nga Policia e Gjirokastrës në kuadër të operacionit “Rent a car”, rezulton të jenë përfshirë edhe femra.

Katër ditë më parë, një grup prej 11 personash nga Lindja e Mesme ishin “kontraktuar” nga trafikantët e qenieve njerëzore për t’i transportuar nga Gjirokastra në drejtim të Tiranës kundrejt pagesave. Por, gjatë rrugës, grupi i emigrantëve është dhunuar dhe grabitur, duke iu marrë edhe celularët dhe sendet e tjera personale.

Më 23 maj, Policia arrestoi një 21-vjeçar, ndërsa gjatë ditës së djeshme përfunduan në pranga edhe pesë persona të tjerë.

Policia tha se ka dërguar prapa hekurave shtetasit Safet Myftaraj, 21 vjeç, Ndriçim Myftaraj, 21 vjeç, A. Th., 17 vjeç, Elda Shahini, 20 vjeçe, banuese në Tiranë dhe Erlanda Brahaj, 26 vjeçe, banuese në Tropojë.

Ndërkohë, më 22 prill është arrestuar Andres Onjea. Dy prej të arrestuarve janë kapur në Rrugën e Kombit pas një orë ndjekje nga ana e forcave të rendit të Policisë së Kukësit, duke transportuar emigrantë të tjerë të paligjshëm.

“Ky rast u publikua më datë 24 maj, në rrjetet sociale, në një video ku shfaqej makina e Policisë duke qarkulluar në sens të kundërt, në Rrugën e Kombit, sepse ishte në ndjekje të automjetit që transportonte emigrantët”, sqaroi Policia e Gjirokastrës.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 22.05.2022, kanë marrë 11 emigrantë të paligjshëm, në aksin rrugor Gjirokastër-Virua, me qëllim transportimin e tyre drejt Tiranës, kundrejt fitimit dhe në afërsi të fshatit Mashkullorë, u kanë vjedhur me dhunë një shumë parash, 11 aparate celulare dhe sende të tjera personale që emigrantët e paligjshëm i kishin me vete”, tha Policia.

Ndërkohë, tri ditë më parë, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Bardhocit” në Kukës, është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasve Ndriçim Myftaraj, si dhe i një 17-vjeçari. “Ndjekja e tyre nga shërbimet e Policisë u publikua më datë 24 maj, në rrjetet sociale, në një video ku shfaqej makina e Policisë duke qarkulluar në sens të kundërt, në Rrugën e Kombit, sepse ishte në ndjekje të automjetit që transportonte emigrantët”, tha Policia.

Gjatë kontrollit fizik, adoleshentit i është gjetur një përforcues grushti (dorezë metalike), që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Kapja e shtetasit të shpallur në kërkim S. M. u bë në banesën e tij, në Kamzë, Tiranë, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë lodër metalike, 5 aparate celulare dhe një shumë parash. Gjithashtu, shtetasja Erlanda Brahaj është kapur nga shërbimet e Policisë në Kamzë duke drejtuar automjetin tip “Hyundai”, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjetën disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një shumë parash, 3 automjete, 1 përforcues grushti, 1 pistoletë lodër metalike, doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 9 aparate celulare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura