Kërcënohet me jetë ‘sherifi’ i Korçës: Të erdhi dita ty. SMS edhe shefit të Pogradecit: Do të hedh në erë ty dhe familjen

May 27, 2015 | 16:30
SHPËRNDAJE

Një zyrtar i policisë së Pogradecit dhe ish-zv.drejtori i Policisë së Korçës pretenduan dje se janë kërcënuar me jetën me mesazhe telefonike.

Dhunimi i te riut në Korçë nga policia

Teksti i mesazhit kërcënues ka qenë thuajse i njëjtë dhe, sipas Policisë, është nisur nga i njëjti numër. Edhe koha kur janë dërguar SMStë në celularët e Arben Hysenit dhe Besnik Qevanit është thuajse e njëjtë, rreth orës 01:40 pas mesnate, duke gdhirë dita e hënë. “Të erdhi dita edhe ty. Do të hedh në erë shtëpinë dhe familjen tënde, gjithçka…”.

Ky është teksti i mesazhit që ka mbërritur në celularin e Arben Hysenit, ish-zv.drejtor i Policisë së Korçës. Ai e ka denoncuar ngjarjen mëngjesin e së hënës, rreth orës 10:00, në Komisariatin Nr.1, që ka në juridiksion zonën ku ai banon. Ndërkohë në Komisariatin e Pogradecit ka denoncuar kanosjen edhe shefi i Krimeve të këtij rajoni, Besnik Qevani.

Pas kallëzimeve është regjistruar procedim penal për të dy rastet, me akuzën “kanosje për shkak të detyrës” dhe, duke qenë se mesazhet janë dërguar nga i njëjti numër telefoni, pritet që kallëzimet të hetohen në një çështje. Në telefonin e shefit të Pogradecit ka mbërritur një SMS me tekstin: “Do të hedh në erë ty dhe familjen”. Materialet janë referuar në Prokurori për akuzat “kanosje” dhe “përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”.

Nga verifikimi paraprak është gjetur një element i dyshimtë, që ka të bëjë me faktin se numri që ka nisur mesazhet është hapur për herë të parë në momentin që ka nisur dy SMS-të. “Numri që ka nisur mesazhet nuk është përdorur më parë, ai është loguar në rrjet për herë të parë pak para nisjes së SMSve dhe më pas është fikur”, thanë burimet nga hetimi. Kjo ka ndodhur vetëm pak ditë para se në Gjykatën e Korçës të fillojë gjyqi ndaj ishzv. drejtorit të Policisë, Arben Hyseni, në lidhje me incidentin e dhunimit të një qytetari në kohën kur ishte zyrtar Policie.

DY DREJTUESIT
Në shkurt të këtij viti, Arben Hyseni, ish-zv.drejtor i Policisë së Korçës, tashmë i shkarkuar, u përfshi në një incident, ku një shofer i dehur përplasi makinën e tij. Në videon amatore të publikuar në atë kohë, shfaqeshin vartësit e tij teksa dhunonin qytetarin Tomi Misha në sy të zv.drejtorit Hyseni.

Edhe shefi i Krimeve të Pogradecit, Besnik Qevani, ka qenë protagonist i një episodi dhune ndaj një të mituri. Qevani shfaqej në një video duke ushtruar dhunë ndaj një fëmije, teksa po kryente kontroll në banesën e një personi me precedentë penalë.

Ka qenë ndërhyrja e dajës së të miturit, që shmangu përshkallëzimin e dhunës nga Qevani. Pavarësisht se videoja e këtij skandali u publikua në televizione e media online, ndaj tij nuk u mor asnjë masë, ndryshe nga videoja që i kushtoi detyrën Arben Hysenit, i cili momentalisht është jashtë Policisë së Shtetit.
ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura