Dhunohet barbarisht avokatja nga ish-burri, ja si mundi t’i shpëtonte ‘kthetrave’ të tij

Oct 13, 2017 | 9:20
SHPËRNDAJE

Më 20 qershor 2017, një grua me profesion avokate, ka kallëzuar në policinë gjyqësore ish bashkëshortin e saj. Kallëzuesja dhe i arrestuari kanë qene bashkëshortë ligjore prej 17 vjetësh dhe prindër të një vajze.

gjyq

Me vendim gjyqësore martesa ligjore është zgjidhur, por pavarësisht sa me siper ata kane vazhduar martesën ne formën e bashkëjetesës. Më 19 dhjetor 2016, në mëngjes, viktima ka mbaruar një seancë gjyqësore dhe është rikthyer në zyrë për të lënë dosjen dhe për të marrë një dosje tjetër që do t’i duhej për një seancë tjetër në Gjykatën e Vlorës.

Para nisjes ka komunikuar me të bijën në telefon dhe e ka pyetur nëse bashkëshorti i saj ishte aty. Duke qenë se ai nuk ishte aty, i ka telefonuar atij, e ka sqaruar se ku do të nisej dhe i ka kërkuar që të merrte vajzën. Ai i përgjigjet që ajo më mirë mos kthehej fare dhe vajzën mund ta merrte vetë. Viktima i kërkon që të sqaronin këtë gjë pas kthimit nga Vlora. Pas kthimit nga Vlora ka konstatuar që në zyrë mungonin 35.000 lekë dhe ka kuptuar që ia kishte marrë bashkëshorti sepse ai kishte përveç çelësave të shtëpisë edhe ato të zyrës së saj, raporton ‘Panorama’.

I ka kërkuar takim por ai nuk ka pranuar. Më pas, ka shkuar në shtëpi, ka kërkuar dhe është lidhur me një shokut të tij, me të cilin ai rrinte gjithmonë. I ka kërkuar që të shkonte në zyrë dhe të linte shumën e të hollave dhe ajo nuk do të bënte kallëzim në polici. Shoku i tij i thotë që nuk të kam marrë ndonjë gjë. Më pas viktima është nisur dhe ka takuar të shoqin dhe shokun e tij duke pirë raki, por ai ka nisur ta fyejë.

Të nesërmen në mëngjes, pra ditën e kallëzimit, viktima  e njofton bashkëshortin që do të shkonte në Gjykatën e Elbasanit ku do të përfaqësonte një gjyq, por ai i ka kërkuar që të mos ikte. Viktima ngulmon që do të shkonte sepse me këtë punë mbahej familja. Pikërisht në këto çaste debati, ai ka kapur nga teshat, e ka tërhequr, i ka grisur këmishën, e ka goditur disa herë në fytyrë dhe trup duke i shkaktuar gjendje të fikti. Disa çaste më pas viktima është ngritur, është veshur dhe ka bërë për të dalë.

Pyetjes së vajzës se me kë do e linte atë, i është përgjigjur që do e linte me të atin. Ndërsa ikte për ne shkallë ka dëgjuar bërtitjet e të bijës, është kthyer, ka trokitur por dera nuk hapej. Nga brenda bashkëshorti i përgjigjej që nuk do e hapte derën. Vetëm pasi ajo i ka thënë që do njoftonte policinë, ai ka hapur pak derën dhe ajo ka parë që ai mbante me njërën dorë vajzën dhe, me tjetrën, i është turrur asaj duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Kjo ngjarje ka ndodhur në sheshpushimin e shkallëve. Viktima është ndihmuar nga një djalë që ishte aty afër dhe që ia ka hequr nga duart e ish-bashkëshortit. Një polic i një policie private ka prangosur të shoqin dhe e ka mbajtur në ruajtje derisa ka ardhur një patrullë policore.

Policia ka këqyrur viktimën duke konstatuar hematoma, gjurmë goditjesh dhe gjaku në trup si dhe duke shënuar për ankime në trup dhe në pjesën e poshtme të trupit. Kjo këqyrje shoqërohet me tabelën fotografike NR.839 regj, datë 20.06.2017.

Deklarime janë marrë edhe nga e mitura katërmbëdhjetëvjeçare që pohon për keqtrajtime të të ëmës nga i ati, për kërcënime të vetë asaj dhe rrahje nga i ati, sidomos në kohën kur vinte i dehur. Këto rrethana pohohen se kanë ndodhur edhe ditën e kallëzimit, kur ajo është orvatur të dilte jashtë shtëpisë pas grindjes që kishte patur me të ëmën. Ato janë ndihmuar nga disa vetë që e kanë larguar të ëmën nga duart e të atit dhe gjithçka ka mbaruar me ardhjen e policisë.

Policia ka vendosur ekspertimin mjekoligjor të viktimës dhe e ka arrestuar të dyshuarin për dhunë në familje. Akti i ekspertimit mjekoligjor nr.647, datë 27.06.2017, i IML-së, arrin në përfundimin që tek e dëmtuara janë konstatuar gërvishtje në qafë, ekimozë në vithen e majtë, dhimbje koke, këto kanë passjellë humbje të aftësisë së përkohshme në punë në masën deri më nëntë ditë.

Gjatë gjykimit, avokatja është përballur vet në gjykatë me ish-bashkëshortin, kësaj radhe jo për ta mbrojtur, por duke kërkuar dënimin e tij, e në fund gjykata e ka dënuar atë me një vit burgim./Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura