Dhunimi i rektorit Koni nga Shullazi, detajet çfarë kanë filmuar kamerat e sigurisë

Apr 22, 2016 | 11:49
SHPËRNDAJE

Akademiku Mynyr Koni, i zgjedhur tashmë rektor i Universitetit të Tiranës, është dhunuar në momentin e kërcënimit gjatë fushatës zgjedhore.

Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se veç presioneve verbale që janë ushtruar ndaj Mynyr Konit, në datën 15 prill, personat që i kanë dalë para në rrugë kanë kryer edhe veprime fizike ndaj kandidatit për rektor.

ShullaDyshimet për dhunimin e Konit janë ngritur nga grupi i hetimit pas këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë të bizneseve private në rrugën “Fortuzi”, në Tiranë.

Intervali kohor i regjistrimeve filmike që po verifikohen nga Prokuroria është nga data 11 prill deri në datën 17 të këtij muaji. Në zonën ku është kërcënuar Mynyr Koni, sipas pamjeve filmike dhe disa dëshmitarëve, një makinë tip “Benz” ka ndaluar pranë vendit ku ndodhej akademiku që kthehej në banesë në atë kohë. Prej makinës ka dalë një person që i është afruar kandidatit për rektor.

Ata, sipas pamjeve të kamerave dhe dëshmitarëve, kanë folur mes tyre. Mynyr Koni ka refuzuar të nisej drejt makinës tip “Benz” ku Prokuroria dyshon se ndodhej Shullazi. Besohet se kandidati për rektor i ka kërkuar emrin personit që i kishte dalë para në rrugë. Sipas pamjeve të kamerave në zonë, por edhe sipas dëshmive, mendohet se Mynyr Koni i është drejtuar disa herë me fjalët “kush jeni ju” personit që i kishte dalë në rrugë.

Duke qenë se ka bërë rezistencë për të shkuar e për të hyrë në makinën tip “Benz”, personi që kishte dalë në rrugë e ka prekur kandidatin për rektor dhe, sipas Prokurorisë, ende nuk është e qartë nëse ka pasur tërheqje të akademikut drejt makinës apo goditje të tij. Në dëshminë e dhënë në Polici e më pas në Prokurori, mësohet se Mynyr Koni ka pohuar se është ndjerë i dhunuar e i kërcënuar nga ngjarja që ka ndodhur ndaj tij në ditët e fundit të fushatës për zgjedhjet në universitete.

HETIMI

Referuar dëshmive të dhëna nga dy pedagogët, Dhori Kule dhe Mynyr Koni, për kërcënimin e tyre gjatë fushatës për zgjedhjet në universitete, Prokuroria ka dyshime se autorë të kësaj ngjarjeje janë Emiljano Shullazi me dy të arrestuarit e tjerë.

Mësohet se Dhori Kule, i cili është kërcënuar pranë sheshit “Nënë Tereza”, ka pasur një bisedë në lidhje me këtë fakt me Kryeministrin Edi Rama, ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe krerët e Policisë së Shtetit.

Sipas Prokurorisë, pasditen e 15 prillit, Mynyr Koni ka qenë duke u kthyer në banesën e tij, kur makina i ka prerë rrugën dhe prej saj ka dalë një person. Disa minuta më pas, Mynyr Koni është afruar tek automjeti siç i kanë kërkuar. Personi që ndodhej brenda i ka thënë tërhiqu nga gara, duke e kërcënuar me familjen e tij.

Pas këtij kërcënimi, personat janë larguar, ndërsa Mynyr Koni mendohet se që atë natë ka udhëtuar drejt Italisë, ku ka takuar vajzën e tij. Gjatë kësaj kohe ai ka informuar rektorin në detyrë, Dhori Kule, në lidhje me kërcënimin. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, ndërsa Mynyr Koni po bëhej gati të denonconte publikisht ngjarjen, këtë gjë e ka bërë në fakt ish- Kryeministri Sali Berisha.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura