Dhunimi i 3-vjeçarit nga pronarja e kopshtit, zbardhet dëshmia e babait

Jun 23, 2016 | 9:03
SHPËRNDAJE

Para dorëzimit të kërkesës për caktimin e masës ndaj pronares së kopshtit “Diren” Anjeza Shabani (Husha), prokurori i çështjes mori në pyetje edhe një herë babain e djalit 3-vjeçar të dhunuar nga administratorja e kopshtit.

Babi i djalit te dhunuar, ne Prokurori
Babi i djalit te dhunuar, ne Prokurori

Ai ka lënë të kuptohet se djali i vogël demonstron shenja dhunimi e agravimi prej 6 muajsh.

Të dy prindërit e fëmijës së dhunuar u pritën dje edhe në Prokurorinë e Përgjithshme në zyrën për mbrojtjen e viktimave të dhunës.

Kjo zyrë po shqyrton mundësinë e ofrimit të mbështetjes psikologjike për fëmijën e dhunuar.

Grupi i hetimit theksoi dje se, pasi kanë parë regjistrimet e kamerave, babai i djalit dhe bashkëshortja janë traumatizuar.

“Djali është agravuar për një periudhë 6- mujore, ka trauma, çdo natë zgjohet mbi 10 herë duke qarë dhe goditur veten në kokë, madje qëllon edhe prindërit, duke manifestuar dhunën që ka përjetuar”, ka dëshmuar në Prokurori babai i 3-vjeçarit.

Burime nga organi i akuzës kanë thënë se administratorja e kopshtit, Anjeza Shabani, (Husha), rrezikon edhe akuza të tjera penale që kanë të bëjnë me shmangien e detyrimeve tatimore dhe kryerjen e aktivitetit të palicencuar.

HETIMI

Ndërsa pamjet e dhunës ndaj fëmijës po transmetoheshin në emisionin “Stop” në TV Klan, Prokuroria e Tiranës urdhëroi nisjen e hetimeve kryesisht. Brenda pak orësh u mblodhën provat kryesore dhe u nxor urdhri i ndalimit ndaj shtetases Anjeza Shabani (Husha), administratore e kopshtit që nuk ka licencë.

Prokuroria e Policia kanë marrë në pyetje edhe punonjëse të tjera të kopshtit, që kanë pranuar dhunën ndaj fëmijës, por kanë thënë se kanë pasur frikë të denoncojnë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura