“Dhuna te Teatri si ajo ndaj Gonxhes e Imamit në ‘96”, Neritan Ceka: Si e refuzuam me Legisin urdhrin e Nanos

May 25, 2020 | 22:08
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i Brendshëm, Neritan Ceka, e krahason dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit ditën e prishjes së Teatrit Kombëtar, të ngjashme me atë të Policisë së qeverisë Berisha në 1996, kur u rrahën dhe u dhunuan shumë opozitarë, mes të cilëve edhe Blendi Gonxhe e Arben Imami.pjimage (3)

Kritik ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, Ceka i kujton atij se Policia e Shtetit ka shkelur ligjin e Policisë, por edhe atë të tubimeve me përdorimin e forcës ndaj artistëve dhe shoqërisë civile të paarmatosur, që protestonin në mbrojtje të Teatrit.

Duke folur për përvojën e tij në krye të Ministrisë së Brendshme në vitin 1997, kur vendi sapo kishte dalë nga trazirat e 1997, Ceka tregon dhe një moment kur Kryeministri i kohës kërkonte përdorimin e Policisë kundër demonstruesve, por që ishte kundërshtuar nga drejtuesit e Policisë në atë kohë.

Më tej, Ceka tregon edhe interpelancën e tij në Kuvend mbi vizionin për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit.

NERITAN CEKA

I takoj atij numri qytetarësh, të cilëve prishja brutale e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar u ka ngjallur një ndjesi të hidhur për demonstrimin talebanist të injorancës së kombinuar me arrogancën dhe brutalitetin e një pushteti të personalizuar. Duhet të shtoj ndërkohë, që për mua ai ka qenë njëkohësisht një demonstrim i prishjes së imazhit të Policisë së Shtetit, qoftë në inskenimin hollivudian të një veprimi absurd, por edhe të një dhune të shëmtuar kundër pjesës më të bukur të qytetarisë tiranase.Neritan_Ceka_2012GE_ii

Në Parlamentin kuisling shqiptar, kjo dhunë u mor përsipër nga një ministër i njohur si leximtar, por që nuk kishte lexuar këto nene të ligjit për Policinë e Shtetit dhe të ligjit për tubimet: LIGJI Nr. 9749, dt. 4.6.2007 “PËR POLICINË E SHTETIT” (plotësuar më 2014)

Neni 4. 1. Policia e Shtetit është institucion i administratës shtetërore, person juridik në varësi administrative të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike. 2. Policia e Shtetit është e depolitizuar. 3. Statusi i Policisë së Shtetit nuk ndryshon edhe në gjendje lufte, gjendje të jashtëzakonshme apo të fatkeqësisë natyrore.

Neni 6. 20. “Përdorimi i forcës” është veprimi i drejtpërdrejtë nëpërmjet forcës fizike, pajisjeve, mjeteve të tjera apo armëve të zjarrit, në mënyrë proporcionale dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.protesta-teatri

Neni 7. 3. Ministri nuk ndërhyn në pavarësinë operacionale të shërbimit të Policisë dhe nuk përfshihet në drejtimin operacional të saj.

Neni 17. 1. Detyrat e Policisë së Shtetit janë: a) mbron jetën, shëndetin, pronën publike dhe private… d) koordinon punën me inspektoratet kompetente në fushën e ndërtimit, kontrollit të mjedisit dhe territorit, për marrjen e sanksioneve administrative dhe sanksioneve të tjera, sipas ligjit të tyre funksional;

Neni 39. Statusi i punonjësve të Policisë. Punonjësi i Policisë është nëpunës civil, ndaj të cilit zbatohen dispozitat e ligjit për nëpunësin civil, për aq sa nuk parashikohet ndryshe nga ligji i posaçëm.

Neni 85. 1. Punonjësi i Policisë detyrohet të respektojë Kushtetutën, legjislacionin në fuqi, si dhe të mbrojë të drejtat e liritë e njeriut. 2. Punonjësi i Policisë mban përgjegjësi individuale për ligjshmërinë e çdo veprimi apo mosveprimi të tij gjatë ushtrimit të detyrës.

Neni 86. 1. Punonjësi i Policisë ka detyrimin të zbatojë të gjithë urdhrat e ligjshëm që jepen nga një punonjës më i lartë në funksion ose në gradë. 2. Punonjësi i Policisë, nëse ka arsye të dyshojë se urdhri i dhënë është i paligjshëm, ai menjëherë ia bën të ditur eprorit dhe, kur është e mundur, kërkon me shkrim që urdhri të jepet me shkrim.foto-1-e1589899212580

Neni 98. 1. Punonjësi i Policisë i kryen detyrat për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike me uniformën dhe shenjat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Uniforma dhe shenjat dalluese të Policisë përdoren vetëm gjatë shërbimit ose për shkak të tij.

Neni 133. 1. Punonjësi i Policisë përdor forcën për të përmbushur detyrën vetëm kur kjo është e nevojshme dhe vetëm nëse të gjitha masat e tjera janë të pasuksesshme apo të pamundura. 2. Punonjësi i Policisë përdor forcën në përputhje me parimin e proporcionalitetit.

Neni 135.

1. Për kryerjen e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhjen e situatave, të cilat nuk mund të përballohen nga shërbimet e tjera të Policisë, përdoren struktura speciale operacionale të Policisë.fatos-nano21-e1339139316831

2. Përgjegjësitë e këtyre strukturave janë: a) çlirimi i pengjeve; b) kapja e personave të armatosur me rrezikshmëri të lartë dhe transportimi i tyre në mjediset e Policisë … ç) rivendosja e rendit dhe e sigurisë publike, kur kjo është e pamundur vetëm me strukturat e tjera policore.

LIGJI Nr.8773, datë 23.4.2001 “PËR TUBIMET”

Neni 1. Në Republikën e Shqipërisë, çdo person ka të drejtë të organizojë dhe të marrë pjesë në tubime paqësore dhe pa armë.protest

Neni 2. 5 …Kur grupe njerëzish grumbullohen në mënyrë spontane dhe nuk cenojnë rendin publik, veprimtaria e tyre nuk përfshihet në përkufizimin e tubimit. 6. “Vend i hapur për publikun” është një vend në dispozicion të personave të tjerë, të cilët mund të vënë kushte për të lejuar ose jo hyrjen në të.

Neni 3. 1. Policia e Shtetit garanton dhe mbron të drejtën e çdo personi për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore dhe pa armë.

Neni 12. 1. Tubimet në vende të hapura për publikun mbahen edhe pa njoftimin paraprak të Policisë, sipas nenit 5 të këtij ligji.

Neni 16. Mbajtja e një tubimi në vende të hapura për publikun mund të ndalohet dhe të mbyllet nëse ka filluar, kur: a) organizatori, drejtuesi ose personat ndihmës lejojnë hyrjen e pjesëmarrësve, të cilët mbajnë armë; b) ka arsye të motivuara për të besuar se zhvillimi i tubimit do të bëhet i dhunshëm ose rebelues; c) ekziston rrezik për jetën ose shëndetin e pjesëmarrësve.

Është e tepërt të komentojmë secilin nga këto nene, se si përputhen me aksionin e forcave RENEA kundër artistëve brenda Teatrit; me veprimet e dhunshme të forcave të Policisë së Shtetit kundër protestuesve të mbledhur spontanisht në një vend të hapur për publikun, veçanërisht për vajzat dhe djemtë e bukur dhe fisnikë të ulur, gjithashtu, në një vend të hapur për publikun; me egërsinë shtazarake të nëpunësve civilë të veshur me uniforma pa shenja identifikuese; me veprimin e personave civilë, në skena që ripërtërijnë pamjet makabre të goditjes së Arben Imamit, Shahin Kadaresë, Blendi Gonxhes e dhjetëra intelektualëve tiranas në protestën e 28 majit 1996, në sheshin “Skënderbej”

Është gjithashtu e tepërt të komentojmë se si përputhen deklaratat në Parlament të ministrit të Brendshëm më prerogativat që i njeh ligji dhe me shpëlarjen e trurit që përpiqet t’u bëjë efektivave përmes marrjes së një përgjegjësie që nuk i takon dhe fetishizimit të dhunës. Shembulli i një ushtaraku tjetër, që ktheu Policinë e Shtetit në Polici politike më 1996 dhe çoi në shkatërrimin e saj më 1997, duhet të na mësojë se tipa të tillë të edukuar besnikërisht në shkollat që mbanin emrin e Enver Hoxhës, duhen mbajtur në vëmendje.

Si një nga frymëzuesit dhe formuluesit kryesorë të dy ligjeve të mësipërme, në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët europianë e amerikanë të akredituar në Ministrinë e Rendit të atëhershme, e ndiej për detyrë të paralajmëroj për këtë rrezik. Dëshiroj që të përmend me respekt me këtë rast dy bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, themelues të Policisë moderne të shtetit demokratik, Ndre Legisi dhe Sokol Bare. Në formë këshille, dua të kujtoj se si Ndre Legisi, një mirditor i atyre kohëve të vështira, pjesëmarrës i Lëvizjes së Dhjetorit si socialist, ashtu si Ilir Meta e Pandeli Majko, kur Kryeministri i maxhorancës absolute na kërkonte që të përdornim Policinë kundër demonstruesve që kalonin çdo ditë nëpër bulevardin e Tiranës, më thoshte: “Ky kujton se do të më përdorë si Enver Hoxha Pal Mëlyshin, por ka gjetur mirditorin e gabuar!”

Jo vetëm si kuriozitet historik, por si mësim nga historia, dëshiroj që të jap dy interpelanca të bëra prej meje si ministër i Rendit Publik, në kohën kur sapo filloi rindërtimi i një Policie të shkatërruar në konfrontimin absurd me popullin.

Seanca e datës 29.7.1997, kur sapo kisha marrë detyrën e ministrit

Neritan Ceka– I nderuar zoti kryetar, të nderuar zotërinj deputetë, të nderuar pjesëmarrës! Në adresë të dikasterit që unë do të drejtoj, ka vetëm dy pyetje. E para është bërë nga deputeti

Hamit Gjoni: Folët për tri fazat e vendosjes së rendit publik. A mund të përcaktoni më konkretisht afatet kohore të këtyre fazave?

Në përcaktimin e tri fazave kemi parasysh që faza e parë parashikohet të zgjasë për disa javë dhe ka të bëjë me vendosjen e rendit në rrugët kryesore, për të siguruar lëvizjen e lirë të njerëzve e të mallrave. Faza e dytë ka të bëjë me vendosjen e rendit nëpër qytete, me eliminimin e bandave ose neutralizimin e tyre dhe me mbledhjen e armëve, e cila përfshin një afat prej disa muajsh. Kurse faza e tretë, është faza e punës katërvjeçare, brenda mandatit të qeverisë, që ka për synim ta kthejë Ministrinë e Brendshme nga një ministri e Policisë në një Ministri me të vërtetë të Brendshme, me natyrë europiane, të depolitizuar dhe efektive. Për fazën e parë, mendojmë që do të procedojmë shpejt; kemi filluar dhe ju i keni ndjekur rezultatet e para të kësaj pune, të cilat përcaktohen qoftë nga një efikasitet më i madh, nga energji më të mëdha në Ministrinë e Brendshme, por edhe nga një moral më i lartë i trupave, veçanërisht i Policisë. Një pjesë e mirë e Policisë është hedhur në aksion, duke e kuptuar që ka ardhur një pushtet, i cili nuk e manipulon Policinë, por që do ta mbështesë atë dhe do ta përdorë vetëm në veprim të ligjit.

Për sa i përket realizimit të dy fazave të para, kjo varet jo vetëm nga faktori moral, por edhe nga faktori material. Policia në një pjesë të rretheve nuk vepron dot, sepse s’ka mjete. Malësia e Madhe, për shembull, nuk ka asnjë mjet dhe kjo bëri që një nga njerëzit më të mirë që kishim në këtë rreth, Ilir Dashi, shefi i Krimeve, u vra në përplasje me kriminelët, sepse s’kishte antiplumb. Mori plagë të rënda, që i shkaktuan më pas vdekjen. Pavarësisht nga masat që morëm për ta transportuar me helikopter nga Shkodra në Tiranë e pastaj për ta nisur në Greqi brenda 24 orëve, nuk arritëm ta shpëtonim. Pa mjete janë gjithashtu Policia e Përmetit, e Gjirokastrës, e Beratit dhe shumë polici të tjera, të cilat, pavarësisht nga gatishmëria që kanë, nuk mund të veprojnë si duhet. Konkretisht, dje janë kapur në Përmet nga Policia 5 kriminelë të rrezikshëm, të cilët nuk mund të transportoheshin në rrugë tokësore, kështu që kemi kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Mbrojtjes që të transportoheshin me helikopter, të silleshin në Tiranë, ku ka siguri për mbajtjen e tyre. Kjo është situata

Prandaj, një nga kërkesat tona kryesore në vizitën që do të bëhet në Romë është pikërisht pajisja urgjente me materiale, në bazë të një marrëveshjeje bilaterale me veprim të shpejtë. Kurse faza e tretë ka të bëjë me një punë që do ta vendosë Kuvendi se ç’natyrë do të ketë Ministria e Brendshme: do të jetë një Ministri e Policisë, apo do të jetë një Ministri e Brendshme. Kjo, besoj, në zhvillimin e mëtejshëm të punës, nga nevojat që do të ketë, do të përcaktohet dhe vetë natyra e kësaj ministrie. Sot, në totalin e kësaj ministrie, pjesa e armatosur zë katër të pestat. Kurse në një ministri të çdo vendi europian, pjesa e armatosur zë më pak se gjysmën e tërë nëpunësve dhe të punësuarve të saj.

Për sa i përket synimit tonë, ne synojmë që me një strategji afatshkurtër të sigurojmë stabilitet, mundësisht brenda muajit tetor; të sigurojmë një ambient të qetë pune për njerëzit, për fillimin e prodhimit, për kontrollin total të doganave, për lëvizjen e lirë të mallrave dhe të hapim rrugën e investimeve. Në tetor, në Konferencën e Donatorëve, të kemi një vend të qetë, të gatshëm për të pritur investimet. Dhe besoj që, me mbështetjen tuaj, me mbështetjen e të gjithë popullit dhe me gatishmërinë totale që po ndihet nga Unioni Europian dhe në takimet bilaterale, siç e keni ndjekur edhe nga televizioni, mendoj që do t’ia arrijmë këtij qëllimi.

Pyetja e dytë është bërë nga deputeti Spartak Braho: Qeveria si objektiv për fazën e emergjencës mendon si prioritet të luftës kundër krimit miratimin e paketës ligjore, që do t’i shërbejë Ministrisë së Brendshme. Ky synim është i mirëpritur nga populli, por si do ta harmonizojë kjo ministri zbatimin e kësaj pakete ligjore goditëse, në luftë kundër krimit me organet e drejtësisë, prokurori e gjykatë, kur këto organe në këtë fazë të emergjencës, e pakta, janë të paralizuara dhe pa dëshirën e kërkuar për ta mbështetur qeverinë?

Kjo është një pyetje themelore, sepse në realizimin e punës së Policisë dhe të të gjithë sistemit të Ministrisë së Brendshme ka një varg realizimi, që fillon me Policinë, kalon në Prokurori e Gjykatë dhe përfundon në institucionet e riedukimit. Dhe, në qoftë se ky sistem nuk funksionon, atëherë e gjithë puna e Policisë komprometohet, siç është kompromentuar deri tani, sepse prokurorët i kanë liruar kriminelët, sepse gjykatat nuk i kanë dënuar, sepse burgjet ose institucionet e riedukimit janë në pjesën më të madhe jashtë funksionit. Prandaj, Kuvendi Popullor duhet ta konceptojë edhe një herë tjetër të gjithë punën e Ministrisë së Brendshme, veçanërisht të pjesës së Policisë, si një pjesë e këtij zinxhiri. Pa u realizuar në total, do të jetë e vështirë që pas tre muajsh të na kërkoni një llogari totale.

Në qoftë se ju dhe ne së bashku nuk veprojmë urgjentisht për ta shëndoshur drejtësinë shqiptare, nuk do të kemi efektivitet në vendosjen e rendit. Kjo është e sigurt. Prandaj, unë shpresoj që Ministria e Drejtësisë dhe iniciativat ligjore të këtij Kuvendi, si dhe Ministria e Reformës Institucionale duhet të veprojnë urgjentisht për të shëndoshur sistemin e drejtësisë shqiptare, për ta bërë atë me të vërtetë efikas e të pavarur. Veçanërisht natyra e Prokurorisë, mendoj se duhet të jetë një objekt i trajtimit serioz, për faktin se Prokuroria është konsideruar një organ i pavarur, që kalon direkt në linjën e Kuvendit, por që deri më sot i ka shërbyer vetëm politikës dhe i ka shërbyer për të shkatërruar qoftë drejtësinë, qoftë Policinë.

Për sa i përket paketës ligjore, më duket se këtu ka një keqkuptim. Ne kemi thënë “një paketë masash për vendosjen e rendit”, ku pjesa e ndryshimeve ligjore është minimale. Unë nuk mendoj se kemi nevojë të ndryshojmë Kodin Penal, nuk kemi nevojë të ndryshojmë shumë ligje, por kemi nevojë t’i zbatojmë ato në mënyrë korrekte. Natyrisht, duhet të eliminojmë mospërputhjen midis ligjit për përdorimin e armëve të zjarrit dhe Kodit Penal; duhet t’u japim më shumë garanci policëve që vriten.

Ju e dini që para pak ditësh u vra një polic që kishte 5 fëmijë dhe ligji nuk parashikon një trajtim me të vërtetë të veçantë për njerëzit që vriten në krye të detyrës, kur shkojnë me ndërgjegje drejt rrezikut. Po kështu është dhe për Ilir Dashin, po kështu është edhe për qindra njerëz të tjerë që shkojnë kundër krimit pa pajisje, pa jelek antiplumb, pa informacion, sepse SHIK-u është totalisht i paralizuar.

Ju e dini që një pjesë të informacionit për kriminalitetin, sipas ligjit, nuk i takon Ministrisë së Brendshme, por i takon ta japë SHIK-u, por ai është totalisht i paralizuar në pjesë të ndryshme të vendit, sidomos në pjesën veriore, ku po vepron akoma kundër vendosjes së rendit. Unë po ju lajmëroj këtu që në pjesën veriore të vendit, segmente të caktuara të pushtetit, në bashkëpunim edhe me SHIK-un, janë në përgatitje, në bashkëpunim me kriminalitetin, për të krijuar probleme jo vetëm për rendin, por për të gjithë vendin. Ne i kapim këto informacione nëpërmjet botës kriminale, por nga SHIK-u s’ka absolutisht asnjë informacion për këtë çështje.

Ju e dini që rendin kushtetues nuk e mbron Policia, por e mbron SHIK-u. Prandaj, në paketën e masave duhen parashikuar një kompleks masash, që përfshin edhe drejtësinë, edhe institucionet e riedukimit, edhe mbështetjen e Policisë, dhe, sa më pak të jetë e mundur, prekje ligjesh. Edhe një herë këtu unë bie atë gatishmëri që ndihet në tërë forcat e Policisë dhe të Ministrisë së Brendshme për të siguruar rendin, qetësinë, jetën e qytetarëve dhe them që e ardhmja është optimiste, është e sigurt. Në bashkëpunim edhe me të gjitha forcat politike, me të gjithë ata që e duan Shqipërinë, do të arrijmë që së shpejti të kemi një rend normal dhe një jetë normale.

Titulli origjinal i autorit: NGA POLICIA PARTIAKE, TE POLICIA E SHTETIT DHE ANASJELLTAS

Vijon nesër…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura