Lirohet Tomi Misha, del nga spitali ku u shtrua pas keqtrajtimit nga policia e Korçës

Feb 24, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Duhet të dilte nga burgu me masën e sigurisë së dhënë nga Gjykata, por Tomi Misha në fakt doli nga spitali.

Shoqerimi i te riut Misha ne spitalin e Korces nga policia, pas dhunes

Aty qëndroi për disa ditë, pas dhunës që ushtruan ndaj tij punonjësit e Policisë së Korçës. Në gjendje të tronditur, 31-vjeçari që u filmua nga një kamera amatore të premten duke u rrahur, pasi përplasi makinën e zv.drejtorit të Policisë, nuk ka dashur të flasë në publik. Familjarët e tij thanë dje se djali i tyre është në gjendje të rënduar psikologjike nga ajo që ka ndodhur. Gjykata e Korçës vendosi detyrim paraqitjeje për Mishën, i cili u kthye në protagonistin e një ngjarje të dhunshme me Policinë.

Në seancën e zhvilluar në një prej dhomave të kirurgjisë ku 31- vjeçari ishte shtruar prej mbrëmjes kur u arrestua, trupi gjykues ka zhvilluar seancën për dhënien e masës së sigurimit personal. Pasi ka mbyllur dyert për publikun dhe familjarët, duke lejuar që të jetë e pranishme vetëm deputetja e PD-së, Eleina Qirici, gjyqtarja është njohur fillimisht me akuzën e ngritur nga Prokuroria. Edhe nga ana e Prokurorisë u kërkua masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Ndërsa është mbajtur nën masa të rrepta sigurie, 31- vjeçari është njohur me akuzën gjatë seancës që ka zgjatur për thuajse 30 minuta, ndërsa ka qëndruar i shtrirë dhe i prangosur.

Pas kësaj kërkese edhe avokati mbrojtës i Tomi Mishës ka dhënë versionin e tij para Gjykatës, ndërsa më tej, gjyqtarja Eglantina Mikani vendosi lënien e tij të lirë, me detyrim paraqitjen në Prokurori deri në fund të hetimit. I riu, sapo ka përfunduar masa e sigurisë, është çuar nga shtrati për të lënë spitalin, ndërsa edhe mjekët i konfirmuan daljen. Fillimisht, ka dalë gjyqtarja dhe prokurori i çështjes e më pas, dhe punonjësit e Policisë që e ruanin atë në dhomën ku qëndronte prej 3 ditësh.

Në dhomën e Mishës kanë hyrë prindërit dhe miqtë e tij, por i riu ka hyrë në tualet, duke kërkuar që të mos ketë kontakt me mediat. Ai ka kërkuar që të mos publikohet asnjë video apo foto e tij. Këtij reagimi ia kanë dhënë përgjigjen familjarët e tij. E ëma e tij, Gjylse Misha tha se i biri ishte tepër i tronditur nga gjithë ajo që ka ndodhur dhe kishte nevojë për qetësi. Ndërsa i ati, Sotiraq Misha, ka deklaruar se ishte detyrim ligjor ndaj të birit që të vendosur kjo masë.

“Drejtësia u vendos për djalin tim, por tani presim që të shkojë deri në fund. Duhen hapa të tjerë për ta bërë këtë. Ne duam që që punonjësit e Policisë të penalizohen dhe të përballen me ligjin për dhunën ndaj djalit, veçanërisht, zv.drejtori i Policisë së Korçës që ishte iniciatori i kësaj ngjarjeje”, tha Misha. Aktualisht, nga Policia vazhdon të jetë në hetim djali i vogël i familjes Misha, i cili nga kamerat e sigurisë së një banke është vërtetuar se ka qëlluar ndaj punonjësit të Policisë, Robert Memelli. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura