Rrahja e deputetit, video me zë e figurë në Gjykatë. Ndreu-Strazimirit: Të marr shpirtin, o legen! Ja debati

Mar 17, 2015 | 20:06
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Zbardhen fyerjet dhe kërcënimet e shqiptuara gjatë përplasjes fizike mes deputetëve socialistë Arben Ndoka e Pjerin Ndreu dhe demokratit Gent Stazimiri në korridorin e Kuvendin më 10 korrik 2014.  

Momenti kur Ndreu qellon Strazimirin me shpulle ne koke

Gjithçka është fiksuar në videon e regjistruar nga kamerat e sigurisë së Kuvendit për momentin e goditjes së deputetit Strazimiri.

Pamjet audio dhe video u shfaqën në seancën e djeshme ndaj dy deputetëve Ndoka e Ndreu në Gjykatën e Lartë. Ata po gjykohen për akuzën “goditje për shkak të detyrës” të deputetit Strazimiri. Materiali filmik i administruar si provë nga Gjykata ishte i gjatë 7 minuta, pjesë e të cilit janë edhe pamjet filmike të dhunës ndaj Strazimirit të publikuar më parë në media.

Gjatë videos dëgjoheshin qartë disa fjalë kërcënuese dhe fyese të deputetit Ndreu drejt të dëmtuarit Strazimri. Gjatë shfaqjes së videos, një nga prokurorët e çështjes komentonte për Kolegjin Penal momentet dhe veprimet për të cilat akuzoheshin të pandehurit. Më vonë, prokurori Adnand Xholi saktësoi për trupin gjykues se transkriptimi i të gjitha bisedave dhe zërave që dëgjohen në videon e administruar si provë materiale gjenden të dokumentuara në aktet e dosjes.

Në seancën e djeshme ishte i pranishëm vetëm i pandehuri Ndoka. I pandehuri tjetër në proces, Ndreu, përfaqësohej nga avokati i tij mbrojtës. Në seancën u dëgjua edhe dëshmia e deputetit Kozma Doshi. Deputeti pohoi se nuk kishte qenë prezent në momentin e konfliktit dhe se gjithçka që dinte i kishte parë në videon e transmetuar në media.

KERCENIMET
Në çastet e para të video 7-minutëshe shfaqej deputeti Gent Strazimiri i cili qëndronte në korridorin e sallës së Kuvendit. Ndërkohë dëgjoheshin zërat e personave të tjerë që lëvizin në korridor, si dhe në sfond zëri i fonisë së sallës së Kuvendit. Strazimiri bënte disa ecejake në korridor dhe më pas kryente disa veprime me telefonin e tij celular.

Në pak çaste pranë tij kalon deputeti Arben Ndoka, i cili pasi e tërheq nga jaka e xhaketës, e grushton dy herë. Për shkak të volumit të ulët të përdorur nuk dëgjoheshin fjalët e shkëmbyera mes tyre. Në momentin që dy oficerë të Gardës largonin deputetin Ndreu, Strazimiri i drejtohej me zë të lartë duke i thënë: “Çfarë bën ti? Çfarë bën ti?”.

Në vijim dëgjoheshin lutjet e deputetes Klodiana Spahiu drejt Strazimirit. Duke u përpjekur ta tërhiqte në drejtim të sallës, ajo i thoshte: “Aman mos, të keqen, aman”. Ndërsa Strazimiri i shprehej asaj: “A e di ti kush është ai?”.

Dalja e deputetëve të tjerë në korridor krijonte zhurmë dhe përzierje fjalësh. Në momentin që te deputeti Strazimiri afrohej deputeti Pjerin Ndreu dëgjohej zëri i deputetit Genc Pollo “mos” drejt tij. Pasi e godiste në pjesën e kokës, Ndreu i drejtohej Strazimirit me fjalët: “Ta marr shpirtin! O legen”.

Situata acarohej dhe toni i zërit të personave në korridor ngrihej në maksimum. Gjatë kësaj kohe nga të pranishmit dëgjoheshin fraza “Ti je kriminel” dhe “Maskara!” si dhe “Të q… robt”. “E lë mandatin…”, ishte një tjetër fjali që dëgjohej në video, vazhdimi i së cilës mbytej nga zhurma që krijohej.

STRAZIMIRI
Në seancën gjyqësore të 12 janarit 2015, gjatë dëshmisë së tij në proces, deputeti Strazimiri tha se ishte kërcënuar me jetë nga dy deputetët socialistë ditën që u dhunuan fizikisht. “Më ka thënë që ‘do të të vras’, ndërsa garda e largonte”, tha Strazimiri për deputetin Ndoka. Ndërsa për deputetin Ndreu, Strazimiri dëshmoi se: “Agresori më tha ‘e dorëzoj mandatin dhe të vras’

FYERJET DHE KËRCËNIMET

Strazimiri, Ndokës: Çfarë bën ti?! Çfarë bën ti?!
Spahiu, Strazimirit: Aman mos, të keqen, aman!
Strazimiri, Spahiut: A e di ti kush është ai?
Pollo, Ndreut: Mos, mos.
Ndreu, Strazimirit: Të marr shpirtin, o legen!
Fyerje në zhurmë: Ti je kriminel! Maskara! Të q…robt! E lë mandatin…

 

[portfolio_slideshow]

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura