Gjyqi për dhunën në Kuvend, përfundon marrja e dëshmive. Stërkaj: Strazimiri, një nga provokatorët më të mëdhenj

Apr 18, 2015 | 7:35
SHPËRNDAJE

Gjykata e Lartë përfundoi dje procesin e administrimit të provave në procesin gjyqësor ndaj dy deputetëve socialistë Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të akuzuar për “goditje për shkak të detyrës” të kolegut të tyre demokrat, Genc Strazimiri.

Momenti kur Ndreu qellon Strazimirin me shpulle ne koke

Gjatë seancës u pyetën tre dëshmitarët e fundit të mbrojtjes, mes të cilëve deputeti Paulin Stërkaj, ndërsa u hoq dorë për pyetjen si dëshmitare të deputetes Olta Xhaçka.

Kolegji Penal u kërkoi të pandehurve, të cilët ishin të pranishëm në sallë, të jepnin deklarimin e tyre të fundit në lidhje me çështjen.

“Është në dëshirën tuaj, nëse doni apo jo të jepni deklarime, por ky është momenti i fundit procedural, ku keni të drejtën të jepni shpjegime”, sqaroi kryesuesi i seancës. Përmes avokatëve të tyre, të pandehurit kërkuan kohë për ta përgatitur me shkrim qëndrimin e tyre. Këto shpjegime pritet të dëgjohen në seancën e ardhshme të këtij procesi, i caktuar për në datën 8 maj. Referuar procedurës, pasi Gjykata administron deklarimet e të pandehurve, deklaron të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe fton palët në konkluzione përfundimtare.

 

Avokati i Pjerin Ndreut

STERKAJ
Deputeti Paulin Stërkaj ishte një nga dëshmitarët e paraqitur dje para Kolegjit Penal që po shqyrton akuzën e ngritur ndaj deputetëve Ndoka dhe Ndreu. Nga vendi i dëshmitarëve, deputeti Stërkaj, i thirrur nga ana e mbrojtjes në proces tha se nuk kishte dijeni mbi incidentin e dhunshëm të 10 korrikut 2014 në Kuvend, pasi nuk kishte qenë prezent.

I pyetur nga avokati Ardian Visha, nëse gjatë ushtrimit të detyrës si deputet në Kuvend ka dëgjuar konflikte të ashpra verbale dhe fyerje mes deputeteve, Stërkaj tha: “Tashmë është zbehur pak, por në fillimet e mia në Parlament ka pasur shumë ofendime. Shprehje që as në rrugë nuk duhet të dëgjohen. Ka shumë zënka me ofendime mes deputetëve të pozitës e opozitës në Komisionet Parlamentare, por që nuk dëgjohen nga publiku”. Para Kolegjit Penal, Stërkaj e cilësoi si provokator deputetin Strazimiri. “Strazimiri është një nga provokatorët më të mëdhenj në Parlament. Ne mundohemi të mos biem pre e provokimeve të tij”, tha Stërkaj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura