Dhuna mes të rinjve dhe varësia ndaj teknologjisë/ Ekspertja e arsimit tregon në “Panorama TV” si prindërit mund të “kontrollojnë” sjelljet e fëmijëve të tyre

Mar 30, 2023 | 19:30
SHPËRNDAJE

Dhuna ndaj fëmijëve dhe fenomeni i “bullizmit” është kthyer në një fenomen shqetësues në institucionet e arsimit parauniversitar. Këtë e ka pohuar edhe ekspertja e arsimit, Irida Sina e cila në një intervistë për “Panorama TV” ka treguar se si prindërit mund të vendosin nën “monitorim” sjelljet e fëmijëve të tyre.

Sina: Është një sfidë e vështirë për prindin që t’i thotë fëmijës jo nuk do të lë të qëndrosh në telefon, në laptop. Prindi duhet të ngrejë disa mekanizma që ta ndihmojë fëmijën ta kontrollojë fëmijën në njëfarë mënyre. Sot ka aplikacione të shumtë në telefon dhe prindi e sheh me kë komunikon fëmija, çfarë sheh në internet. Çfarë lojrash luajnë këto fëmijë. Ne kemi evidentuar shtimin e rasteve të varësisë teknologjike. Të rinjtë  nuk menaxhojnë dot kohën se sa do rrinë ata në telefon, në laptop. Ndonjëherë, këtyre fëmijëve bota virtuale ju duket aq e përkryer dhe ideale sa krahasuar me botën reale, fillon dhe zbehet. Këtu kemi vështirësi, shkolla duhet të kishte disa mekanizma. Shkolla ka psikologun apo oficerin e sigurisë, por a mjaftojnë këto? Nuk mjaftojnë.

Gazetarja: Cilat janë këto mekanizma që duhet të kenë shtesë, krahas punonjësit social sikurse përmendët?

Sina: Në gjimnaze u bë një hark kohor prej 4 vitesh që ne kemi oficerët e sigurisë, që janë në oborret e shkollave që të krijojnë një ambient të sigurt. Kemi shtimin e numrit të psikologëve që janë në dëgjim. Është pak e vështirë për kulturën tonë që një i ri të pranojë që ka një problem dhe të shkojë tek psikologu. Edhe për prindin është pak e vështirë që kur ka një problem, t’i thotë fëmijës që shiko se ke nevojë për një konsultë me psikologun. Shihet psikologu si një gjë obobo. Për mua, Shqipëria nuk është Tirana. Nëse Tirana ka më shumë kontroll, mësuesi i flet më shumë nxënësit, këshillohet të ketë një konsult me psikologun. I kërkohete një hallkë e dytë me oficerin e sigurisë.

Teknologjia, sado të jemi në numër, ne sado që flasim sot nuk dëgjojnë vetëm dy, por përmes teknologjisë dëgjojnë 2000 apo 20 mijë. Kjo dhunë që ndodh, nuk është problematika dy veta që e bëjnë dhunën, por nëse kjo dhunë është filmuar, dhe imagjinoni mekanizmat që hyjnë në lojë për ta shpërndarë gjithandej.

Gazetarja: Kemi pasur raste të përleshjes së vajzave në zona të ndryshme të vendit, që janë bërë virale në internet dhe ndikojnë negativisht, apo jo?

Sina: Kjo është e tmerrshme. Këtu mendoj që kemi nevoj të rishikojmë ligjet. Nëse publikohen video me përmbajtje dhune të fëmijëve që janë nën moshën 18 vjeç, penalizohet dhe gjobitet prindi. Në njëfarë mënyre, nëse janë adoleshentët që difuzojnë këto video tek masa. Ka sot fushata të ndryshme ndërgjegjësimi që flasin për bullizmin, si mund ta parandalojmë. Duhet të rishikohen këto seanca ndërgjegjësimi. Nuk ka asnjë fëmijë që nuk e di se çfarë është bullizmi.

Gazetarja: Kemi pasur raste plagosjesh mes të rinjve me thika apo edhe me armë.

Sina: Nëse do e shohim, fëmija ku e gjeti thikën? Baza është kultura, si e rris unë fëmijën, prindi në rastin konkret. Si është e mundur që një fëmijë përfundon në oborrin e shkollës me thikë? Kjo është pikëpyetja më alarmante. Në asnjë vend të botës që të kontrollohet fëmija nëse ka ardhur me armë apo jo. Por ama ka një ndërgjegjësim në nivel komuniteti. Mua më ka bërë përshtypje në vendet e zhvilluara, kur futesh në oborret e shkollave në të majtë kanë ato etiketa që tregojnë se nuk lejohen shiringat, nuk lejohen substancat, nuk lejohet duhani apo alooli apo arma.

Gazetarja: Po në vendin tonë, si e gjykoni komunikimin që kanë fëmijët me njëri-tjetrin?

Sina: Për mua është shumë shqetësuese. Puna më lidh me fëmijët, me ciklet shumë të ulëta. Që tek gjërat më të thjeshta që kërkojnë ata, “dua ujë”, “më jep librin apo fletoren” i qëndroj nga prapa dhe i them, thuaji të lutem dhe faleminderit. Fjalët “të lutem, faleminderit”, janë fjalë pothuajse të harruara tek fëmijët. Flas për ciklin fillor, imagjino çfarë ndodh në gjimnaze.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura