Dhuna e policisë ndaj Alikos, avokati: Është e justifikueshme në ato momente emocionale

Jul 2, 2015 | 12:02
SHPËRNDAJE

Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për masën e ‘arrestit me burg’ për dy vëllezërit Aliko, të akuzuar për vrasjen e efektivit të RENEA-së, Ibrahim Basha në Lazarat, ka reaguar edhe avokati i tyre Neshat Fana, duke ‘justifikuar’ edhe dhunën e ushtruar nga forcat e rendit ndaj klientëve të tij në momentin e arrestimit.

Alban dhe Arbion Aliko

I pyetur nga mediat lidhur me shenjat e dhunës të konstatuara në fytyrë ndaj Alban Alikos (17 vjeç), avokati tha se forcat e policisë kanë qenë të ngarkuar emocionalisht në kohën e arrestimit, pasi atyre iu vra një koleg dhe kishin ditë që i ndiqnin.

“Duhet të kuptojmë situatën. Ata kanë qenë persona në kërkim prej 4-5 ditësh, nga qindra policië të cilët natën dhe ditën i kanë ndjekur.  Këta policë dhe këto forca speciale iu është vrarë dhe shoku dhe sigurisht në ato momentet e para të dorëzimit dhe të kontaktit të parë me forcat e policisë ka patur dhe aty disa shfryrje emocionale, por që nuk janë të tilla sa mund të ndodhin. Janë të justifikueshme në ato momente emocionale. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë”, u shpreh avokati gjatë prononcimit për median.”,-deklaroi Neshat Fana.

Më herët, avokati e quajti të gabuar vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda ndaj dy vëllezërve Arbion dhe Alban Aliko, duke thënë se prokuroria nuk vërteton dot nëse ata kanë qenë autorët e vrasjes së punonjësit të RENEA-s. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura