Dhori Ziu: Si çoja bobinat e filmit nga një kinema në tjetrën me biçikletë

Nov 25, 2015 | 18:00
SHPËRNDAJE

Ai proces më kujton filmin “Cinema paradiso”, një histori italiane e fundviteve ‘50. Për shumë kohë edhe në Shqipëri, kryesisht në Tiranë, ka funksionuar një mekanizëm i tillë.

Dhori Ziu
Dhori Ziu

Njeriu që transportonte me biçikletë bobinat e filmit nga “17 Nëntori” te “Partizani”, quhet Dhori Ziu. Për të historia është ende e gjallë…

Në çfarë rrethanash e filluat këtë punë?

Isha vetëm 14 vjeç atëherë. Punoja gjithë javën, nga mëngjesi deri në orën e fundit të shfaqjes, pa asnjë ditë pushim, duke marrë një pagë 2400 lekë në muaj. Transportoja bobinat e filmit nga kinema “17 Nëntori” te “Partizani” dhe anasjelltas.

Si realizohej transporti?

“17 Nëntori” aplikonte oraret 9-11-13 paradite dhe 15-17, 17- 19, 19-21. Ndryshe “Partizani”: 10-12, 16-18, 18-20 dhe 20-22 që kishte edhe kinema verore, te Hotel “Donika”, pranë Cirkut. Filmi ishte vetëm një kopje, i ndarë në 4 bobina, me nga 28-30 minuta secila. Pasi mbaronte bobina e parë dhe vendosej e dyta, në një çantë lëkure të zezë, me tokëza metalike të mëdha, me një biçikletë nisesha me shpejtësi për te kinema “Partizani”.

Arrije ta realizoje?

Vetëm 20 minuta kohë kisha. Shfrytëzonim edhe 10 minutat e dokumentarit, një pushim 5-minutësh që hapeshin dritat për të sistemuar njerëzit që vinin me vonesë e që na jepte pak kohë, pastaj fillonte filmi. Kthehesha dhe merrja bobinën e dytë. Në kohë më shi, më shërbente një mushama dhe kapuç në kokë. Fillimisht përdornim biçikletë “Mifa”, pastaj kineze. Largësia e kinemave nuk ishte më shumë se 15 minuta nga njëra-tjetra. Të gjithë më njihnin, më qëllonte të më shpohej goma, e bëja me vrap distancën, vonohesha pak, çka sillte reagimin e publikut në sallë që vërshëllenin duke bërtitur: “Kuadër, kuadër…”. Mendoj se deri afër viteve ‘80 kështu është vepruar. Pastaj filmat vinin me dy apo më shumë kopje.

Çfarë ju ka mbetur në mendje nga ajo kohë?

Kujtoj disa detaje, si p.sh. çastet dramatike, kur personazhi tentonte të hidhej nga humnera apo skena të tilla, persona që e kishin parë filmin disa herë, bërtisnin: “Jo, jo nuk hidhet, nuk e vret veten, nuk hidhet…”, duke shuar kureshtjen dhe ankthin. Apo fundi i filmit: Të shumtë ishin ato që çoheshin në këmbë para se ai të mbaronte, duke mos pritur të dilnin të famshmet “The End” apo “Fine”, pas së cilës hapeshin dritat. Edhe dalja ishte ndryshe: Gjithmonë nga dyer dytësore, që të nxirrnin në rrugica apo dalje mbrapa kinemave. Gjithashtu kujtoj edhe disa kolegë, si R. Duravakun, Zoi Risto, Benonin, B. Donën, Sh. Kurtin, S. Qiriazin, R. Mero, R. Selenicën, H. Vogli, E. Kupen me të cilët kam punuar për shumë vite.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura