Dhomat e Tregtisë si paradhoma të Kryeministrit?

Apr 5, 2018 | 9:42
SHPËRNDAJE

Frano-Kulli2FRANO KULLI

Në debatin e këtyre ditëve, që u ndez mbas vendosjes së taksës në Rrugën e Kombit, në ditën e tretë të ngjarjeve që pasuan, hynë edhe disa Dhoma të Tregtisë. Taksa e vendosur, në sinkron me gjithë sjelljen kryeministrore të zotit Edi Rama, pa asnjë konsultë a komunikim transparent me grupet e interesit, një sjellje shpërfillëse deri në arrogancë, si e tillë, ngjalli atë pakënaqësi që u pasua me reagimin e njohur tashmë; me protestën masive qytetare.

Dhe kësaj here, grup interesi është një qytet i tërë si Kukësi, bile është një rajon i tërë, mbasi kjo taksë e çmendur, si për nga akti i vendosjes pa përfillur asnjë rrethanë, ashtu edhe nga shifra e saj, mjaft më e lartë se në shumë vende të tjera të rajonit, siç është pohuar, krijon të njëjtin efekt, si për banorët, veçanërisht të varfër të Kukësit, edhe për mirditorët e tropojanët gjithashtu. Dhe ashtu, siç është pranuar, më së fundi edhe nga vetë qeveria dhe zoti Kryeministër, taksa, më së paku ishte e pamenduar e arsyetuar mirë.

Së pari, sepse ajo taksë, qytetarëve të atyre zonave të rraskapitur prej varfërisë, përgjegjëse për të cilën është padyshim në radhë të parë qeveria me politikat e saj, u kufizon edhe mundësinë e fundit të përjetimit të lirisë, atë të lëvizjes së lirë. Të lëvizjes së lirë për të cilën ka nevojë imediate njeriu për të takuar njerëzit, të lëvizjes së lirë të mallrave dhe asaj grimcë tregtie, e cila ka mbetur si oksigjeni i pakët për “mushkëritë e jetesës” së atyre krahinave. Pa përfshirë këtu Kosovën, shtetin tjetër të shqiptarëve, me të cilin, sigurisht për raportin special të marrëdhënieve ndërshtetërore, meritonte të merrej shumë më seriozisht qasja… Si mund të mos sillej në vëmendje gjithashtu ’99-ta biblike e kosovarëve, që në Kukës bënë ndalesën e parë dhe të gjatë të dëbimit kur mes tyre do të vendosej një tra-kufi…?

Por, unë besoj se, përpos njëqind arsyeve të tjera, vendosja e kësaj takse nga ana e qeverisë, që me spërdredhje të termit ajo e quan herë taksë e herë tarifë shërbimi, është edhe në vijim të arsyes paraprake të zotit Kryeministër, që për të bërë “shtetin që ai do” e që po ngulmon ta bëjë që prej zanafillës së tij kryeministrore, “gjuan me top” në grupime të ndryshme publike, sidomos atje ku dhemb më shumë. Me rritje taksash e shtrenjtësi të jetesës, me gjoba e me burgime për fukarenj, që s’kanë mundur të paguajnë dritat e me plot masa të tjera këso dore, për të provuar se deri ku mban populli, të cilin ai mëton ta sundojë.

Kështu, edhe me taksën e Rrugës së Kombit. Por këtu, si duket kësaj here prova ka qenë e rëndë, ka rënduar masivisht ndër njerëzit e një krahine të tërë, të cilëve “thika u ka shkuar në asht” prej varfërisë masive. Dhe në tensionin e ngritur kundër padrejtësisë e në reagimin ndaj saj pati edhe akte dhune. Padyshim, të dënueshme si kudo ku ato ngjasin, por veçanërisht në këtë Shqipërinë tonë, ku përvoja e hidhur me aktet e dhunës ka qenë rrënimtare. Dhe sigurisht solidarë me dënimin e akteve të dhunës kanë qenë të gjithë, kushdo person me ndikim publik a grupe të ndryshme. Kushdo që është prononcuar publikisht.

Së fundi, kundër akteve të dhunës janë ngritur, në një konferencë shtypi edhe Dhomat e Tregtisë, për të cilat problemi më i madh, së paku i shfaqur në publik, ka qenë nëse do të vendosej me ligj anëtarësimi i të gjitha bizneseve tek ato?! (Që për bizneset nuk do të ishte asgjë më pak se një taksë e shtuar). Të vetmen gjë që ata kanë theksuar, ka qenë mbrojtja që duhet t’u bëhet prej këtyre akteve pronës dhe biznesit privat… Në parim, shqetësim i drejtë dhe këshillë për t’u lavdëruar. Po për cilën pronë private e kanë pasur fjalën zotërinjtë e Dhomave?

Nëse ata kanë folur në emër të koncesionarit, vetë koncesionari nuk është dëgjuar të ankohet dhe natyrisht ka pasur plot arsye. Sepse dëmi i shkaktuar prej akteve të dhunës, siç e theksoi edhe zoti Kryeministër, i gjithi do t’i kompensohet. Do t’i kompensohet nga buxheti i shtetit. Domethënë nga paratë tona, të ne shqiptarëve dhe aspak, as nga xhepi i Kryeministrit, as nga xhepat e ministrave. Po nuk i dëgjuam gjithashtu zotërinjtë e Dhomave… të cekin shkaqet e zemërimit të madh qytetar. Që fillojnë e mbarojnë te keqqeverisja, e cila ka treguar se nuk ka hallin e qytetarëve. As të bizneseve, gjithashtu. Përveç atyre të kullave të Tiranës dhe PPP-ve… kudo në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura