Dhoma Amerikane e Tregtisë, kritika të ashpra qeverisë për amnistinë fiskale! Enio Jaço: Krijon hapësirë për pastrim parash dhe evazion

Jun 28, 2022 | 10:22
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Dhoma Amerikane e Tregtisë nuk ka kursyer kritikat mbi nismën e rikthyer nga qeveria për amnistinë fiskale dhe penale, me argumentin se krijon hapësirën dhe mundësinë për pastrim parash dhe evazion fiskal. Problem tjetër, sipas kreut të AmCham-it, Enio Jaço, është konkurrenca e pandershme.

Presidenti-i-AmCham-Enio-Jaco-scaled

“Ne duam më tepër kohë për ta analizuar. Drafti ekzistues ka ndryshim nga të mëparshmit, por nuk janë ndryshimet esenciale. Problemi që kemi pasur ne me ligjin e amnistisë, ka qenë në hapësirën e mundësinë që krijon për pastrim parash dhe evazion fiskal. Ky është problemi kryesore që ne kemi. Por nuk e kemi vetëm ne, e kanë shumë partnerë ndërkombëtarë. Nëse ky ligj ka marrë aprovimin apo mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, struktura si FMN, BE, Moneyval, atëherë ne do të ishim mbështetës, se ato janë struktura kryesore që shikojnë detajet me rëndësi.

Nëse e kundërta është e vërtetë, problemet e shqetësimet tona vijojnë të jetë si më parë e janë shumë serioze për këtë ligj. Problemi tjetër është konkurrenca e pandershme, hapësirat që krijon ky ligj për konkurrencën e pandershme”, tha Jaço në konferencën vjetore me gazetarët. Përmes amnistisë fiskale synohet deklarimi vullnetar i pasurisë deri në 2 milionë euro pa penalitete, përkundrejt një detyrimi tatimor modest që varion nga 5 deri në 10 për qind. Por nisma e rikthyer pas 2 vitesh nuk është kontestuar vetëm nga opozita dhe ekspertët, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

TATIMI MBI TË ARDHURAT

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë shprehu rezerva edhe për ndryshimet e bëra në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”. Ndërsa propozoi që të zgjatet koha e konsultimit publik, Jaço tha se drafti paraprak paraqet problematika dhe nuk përmbush disa prej kritereve themelore. Sipas tij, projektligj nuk është në harmoni me formalizimin e ekonomisë, nuk përmbush elementin e konkurrueshmërisë dhe të standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit.

Nisma e re do të rëndojë mbi biznesin e vogël, i cili duke nisur nga viti që vjen, do të paguajë më shumë taksa. Një detyrim vjetor që llogaritet deri në rreth 1 milion lekë. Konkretisht, parashikohet që tregtarët dhe të vetëpunësuarit, përfshirë profesionet e lira, të taksohen me 15 për qind për fitimet deri në 14 milionë lekë, dhe 23 për qind për të ardhurat neto mbi 14 milionë lekë. Por taksimi do të aplikohet pasi t’u njihen shpenzimet, të cilat, sipas ligjit, variojnë nga 30 për qind deri në 90 për qind, siç janë veprimtaritë e tregtimit me shumicë.

REKOMANDIMET

Në konferencën vjetore me gazetarët, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë prezantoi edhe paketën me 8 rekomandime për qeverinë, duke nisur nga përmirësimi i strukturës për tërheqjen e investimeve të huaja dhe të brendshme, për të vijuar me rënien e monopoleve përmes miratimit të një pakete ligjore antikorrupsion dhe “antirryshfet”, sipas përcaktimeve të OSBE-së.

“Adaptimi i standardeve ‘Open Data’ për prokurimet publike, përfshirë lidhjet e përfituesve për të shmangur vendimet korruptive, performancën e kaluara të kontraktorëve publikë. Aleati më i fortë në rritjen e besimit është përfshirja e shoqërisë civile, medias, komunitetit të biznesit etj., në mbikëqyrjen e llogaridhënës së institucioneve publike. Kjo do të rriste transparencën, llogaridhënien dhe besimin e qytetarëve. Duhet mundësuar por dhe incentivuar mes fondeve publike”, tha Jaço.

Pjesë e paketës së rekomandimit ishte edhe sistemi i taksave, për të cilin kreu i AmCham-it kërkoi që t’u nënshtrohet afateve maksimale të konsultimit publik. Për sa u përket eksporteve apo shkëmbimeve tregtare, ai tha se një rol më përfshirës duhet të ketë edhe diaspora shqiptare dhe kushte më lehtësuese për “E-Commerce”. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, ishte rekomandimi për fuqizimin e ekonomisë dixhitale, si mjet për të frenuar fenomenin e pastrimit të parave, si dhe afatësimi dhe kualifikimi i fuqisë punëtore.

“Është e rëndësishme që Shqipëria të ketë ligje bashkëkohore që mundësojnë rritjen e ekonomisë dixhitale. Kjo përfshin njohjen ligjore të nënshkrimit elektronik (të ngjashme me legjislacionin EU ose SHBA), vendosjen e kufizimeve për pagesat cash dhe incentivimin e pagesave elektronike. Fuqizimi i ekonomisë dixhitale, do të sillte pasoja pozitive anësore si ajo ndaj luftës për pastrimit të parave – ku për fat të keq Shqipëria vijon të jetë në zonën gri për disa vite tashmë”, tha kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura