Dhjetë pyetje që Rudina Xhunga nuk ia bëri Nexhmijes

Feb 10, 2016 | 12:04
SHPËRNDAJE

 

Uran Butka
URAN BUTKA

URAN BUTKA

E ndoqa intervistën e gazetares R. Xhunga me Nexhmije Hoxhën mbrëmjen  e shkuar. Me këtë rast dëshiroj t’i bëj disa pyetje, që nuk ia bëri enkas gazetarja, për ta nxjerrë sa më të pëlqyeshme dhe të pacenueshme figurën e saj dhe të Enver Hoxhës. Nuk dua të hyj në polemika me të, për ato çfarë tha e nuk tha, sepse është e drejta e saj.

Por nuk mund të hesht, kur cenohet e vërteta, kur provokohet një popull që ka vuajtur dhe është traumatizuar nga ai regjim, si edhe për mashtrimin e madh, që ka vazhduar gjysmë shekulli e që vijon edhe sot e kësaj dite dhe që ndikon që njerëzit e thjeshtë, por edhe të zhgënjyerit, të kthejnë kokën pas me nostalgji.

Dua vetëm ta pyes lidhur me disa nga shoqet e saj, që i përmendi në intervistë. Zonja Nexhmije, ju folët për aktivitetin tuaj revolucionar e antifashist në Institutin “Nëna Mbretneshë”, si edhe përmendët disa prej nxënëseve të asaj shkolle, shoqet e tua, që kishin qenë edhe më aktiviste se ju, si Naxhije Dume, Selfixhe Ciu, Ramize Gjebrea, Fiqrete Sanxhaktari, Drita Kosturi e të tjera, por nuk rrëfyet asnjë ndjesi për fatin e tyre dhe për përgjegjësinë tuaj.

Po i bëjmë pyetjet me radhë për ju, por njëherësh po japim edhe ndonjë informacion për ato, në mënyrë që lexuesi, sidomos brezi i ri, të dijë se për çka po flitet.

1. Ju treguat se si e kini njohur Enver Hoxhën në kohën e Luftës, se si jeni dashuruar dhe takuar me të nëpër bazat ilegale etj. Kjo është një gjë e bukur dhe një shembull i mirë për atë kohë lufte. Ju pyes, përse Enver Hoxha u tregua tolerant, i sjellshëm, i dashur ndaj jush, ndërsa intolerant dhe armiqësor ndaj Ramize Gjebresë?!

Ajo ishte një vajzë e re, një nga prijëset e demonstratave antifashiste në Tiranë, drejtuese e Rinisë komuniste në Bregun e Detit, publiciste e njohur, bijë e Kosovës etj. dhe vetëm se dashuroi Zaho Kokën, u dënua me pushkatim në lulen e rinisë. Edhe dashuria e saj me Zahon ishte e heshtur, e sinqertë dhe e kujdesshme, ashtu si edhe juaja.

U akuzua se Zahua i kishte hedhur kapotën ushtarake tek flinte etj., ndërkohë që ajo ia kishte hedhur pallton e saj një partizani të ri të sëmurë. Pushkatimi i saj u aprovua nga Enver Hoxha, i cili, si gjatë luftës, ashtu edhe pas luftës, si komandant, miratonte ekzekutimet me vdekje (ekzistojnë me qindra dokumente, ku ai ka firmosur: aprovohet dënimi me vdekje…).

Përse ju, duke e njohur Ramizen si një vajzë të mrekullueshme, nuk ndihmuat që ajo të mos pushkatohej vetëm pse dashuronte, sikundër ju. Ajo nuk bëri asgjë tjetër, asnjë sjellje apo gjest që të dëmtonte moralin apo luftën. Dhe nëse nuk kishit mundësi të tillë, pse nuk e kini dënuar kurrë këtë akt barbar!?

2. Ju përmendët Drita Kosturin, një nga aktivistet më të zjarrta, që merrte pjesë në demonstrata, madje me kordele të kuqe në kokë, siç e thoni edhe ju. Ndryshe nga ju, që punuat në ilegalitet në Tiranë, ajo u hodh në luftën partizane dhe ndihmoi si infermiere në mjekimin dhe shpëtimin e jetëve të tyre.

Përse u dënua me burg në Burrel dhe u torturua, madje u përdor edhe elektroshoku, që ia rrëzoi flokët dhe dhëmbët? Përse nuk u kujdesët që këto makabritete të mos ndodhnin?

A keni edhe ju përgjegjësi? Vetë Drita thotë në intervistat e saj se jeni edhe ju vetë përgjegjëse. Ndryshe nga ju, që nuk keni bërë asnjë reflektim, as keni kërkuar dhe as kërkoni falje, ajo e kuptoi kohën dhe gabimet e saj dhe ka thënë: “Gabimi më i madh i jetës sime, që nuk ia fal, është që u bëra komuniste”.

3. Ju kujtuat Selfixhe Ciun (Broja) nga Gjirokastra, një poete dhe tregimtare, një nga aktivistet e para të Lëvizjes komuniste, e burgosur nga fashistët, pjesëmarrëse aktive në demonstratat dhe luftën antifashiste, bashkë më të shoqin, Xhemal Brojën, por që për motive “politike” u dënuan dhe u internuan në Kurvelesh dhe mandej në Gradishtë dhe vuajtën tmerrin e internimeve.

Nga internimi ju dërgoi dorazi një letër, zonja Nexhmije, të cilën e morët, por as i kthyet përgjigje dhe as u interesuat për fatin tragjik dhe të pafajshëm të shoqes suaj dhe të familjes së saj. A thua, e meritonte atë ndëshkim?

4. Ju përmendët Naxhie Dumen, komuniste e orëve të para, aktiviste e Luftës NÇ, anëtare e KQ të PPSH, ministrja e parë e shtetit shqiptar, që u goditën dhe u internuan me gjithë familje, ashtu si edhe Liri Belishova, anëtare e Byrosë Politike, dhe pësuan trauma, siç ndodhi edhe fatkeqësia me vajzën e Lirisë, Dritës, poetes së njomë që vdiq në internim… Ju nuk mbani përgjegjësi për to?

5. E përmendët edhe Fiqrete Sanxhaktarin për veprimtarinë e saj antifashiste, por, për shkak të rivalitetit tuaj, si edhe të luftës politike për pushtet, pas vrasjes së Mehmet Shehut dhe damkosjes së tij si poliagjent, u damkos me tortura edhe Fiqretja, doli në gjyq dhe shqiptarët nuk e njohën, sepse ishte tjetërsuar nga torturat tuaja dhe u dënua me vdekje, edhe eshtrat nuk i dihen, si mijëra kundërshtarëve të tjerë.

Në atë kohë, ju Zonja Makbeth ishit e fuqishme, dhe sipas të gjitha studimeve ju kishit gisht në të gjitha këto dënime. Ndërsa sot, në intervistë, thoni: Shoku Enver ka marrë gjithnjë vendime të drejta. Gjithë sa thuhen janë legjenda dhe shpifje.

6. Nuk e përmendët Liri Gegën, të plotfuqishmen e KQ gjatë luftës, që ka organizuar vrasjen e Mustafa Gjinishit me urdhër të Enver Hoxhës dhe Miladin Popoviçit, por që Enver Hoxha e pushkatoi bashkë me të shoqin, gjeneral Dali Ndreun, për motive politike.

E vrau Lirinë kur ajo ishte shtatzënë dhe ju nuk e ndalët dorën e tij vrastare, kur ai vrau një grua me një fëmijë në bark. Një krim, si shumë të tjerë, që ju e quani të drejtë.

Kjo ndodhi me shoqet e tua, me këto që përmendëm, por edhe me të tjera, ashtu siç ndodhi më parë edhe me nacionalistet dhe intelektualet e shquara shqiptare, Musine Kokalarin, shkrimtaren e parë shqiptare, që e dënuan pa faj me burg dhe internim deri sa vdiq, por edhe me intelektualen tjetër të shquar, Sabiha Kasimatin, shkencëtaren e parë shqiptare, pedagogen e Nexhmijes në Institutin femëror “Nëna Mbretneshë”, që e pushkatuat si terroriste me pretekstin e hedhjes së një dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike.

Zonja Nexhmije, a ishte Sabihaja terroriste? A e hodhi ajo dhe ata 22 intelektualë të shquar që u pushkatuan pa gjyq dhe që u bënë kurbanë me themelet e miqësisë shqiptaro-sovjetike dhe të politikës staliniste të E. Hoxhës? Znj. Nexhmije, a nuk keni edhe ju përgjegjësi për këtë masakër?

Unë them se po. Në atë kohë që ndodhi ky incident në Ambasadën Sovjetike, ishte mbledhur Plenumi i KQ të PPSH-së, për t’i rrëfyer BS dhe Stalinit besnikërinë dhe miqësinë e pathyeshme. Ishit edhe ju në atë plenum që e kam studiuar dhe ngritët dorën edhe ju për t’i dënuar pa gjyq e pa faj 22 qytetarët e pafajshëm, ndër ta edhe pedagogen tuaj, Sabiha Kasimatin.

Nuk ju erdhi ndopak keq për të dhe nuk kini kurajë të kërkoni falje, të paktën për Sabiha Kasimatin, viktimën tuaj?! Në intervistën tuaj, juve kërkoni që të rehabilitohet Enver Hoxha dhe shpresoni për këtë gjë. Ju siguroj si historian, se ajo kohë nuk kthehet më. Regjimin e Enver Hoxhës nuk e rrëzoi një person, asnjë grup njerëzish, po një popull i tërë.

E rrëzuan studentët që i hoqën emrin Universitetit të Tiranës, e hodhën poshtë qytetarët e Tiranës e të gjithë Shqipërisë statujën e diktatorit më të keq të Europës, pas Hitlerit, e dënoi historia dhe asnjë forcë nuk mund ta kthejë atë kohë, as dëshira iluzive e nostalgjike e Nexhmije Hoxhës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura