Dhjetë gjërat që nuk do të ndodhin më 2018

Nov 25, 2017 | 12:44
SHPËRNDAJE

VETON SURROI

Meqë i pashë dritat e para, të hershme, të Vitit të Ri, ja edhe një shkrim i hershëm i Vitit të Ri. Dhe, meqë kur të afrohet dita e fundit e këtij viti do të shumëzohen spekulimet a parashikimet për atë çka do të ndodhë në vitin 2018, mendoj se ndoshta më së miri do të ishte tash të shkruaja se çka NUK do të ndodhë në vitin 2018.

VetonSurroi

Ja një përzgjedhje prej dhjetë gjërash.

1. Siç është krejtësisht evidente, nuk do të kemi zgjedhje komunale. Për të mirë a keq, e kemi një pushtet vendor për katër vjetët e ardhshëm. Kryetarët tanë të rinj a të vjetër të komunave (nuk do të kemi kryetare dhe ky është kapitull më vete) dëshmuan së paku një gjë të rëndësishme: pa marrë parasysh çka ndodh në nivel qendror, qytetari mbështet a ndëshkon kryetarin e komunës në bazë të meritës, që është shenjë e mirë e shëndetit demokratik.

2. Është po ashtu evidente, me kalimin e kësaj stine të zgjatur e zgjedhjeve, se Kosova nuk ka fituar stabilitet politik. Qeveria e vendit ka më shumë ministra e zëvendësministra sesa vota mbështetëse në Kuvend. Vota që mban të gjallë këtë Qeveri, është ajo e Listës serbe, e cila nuk e fsheh se vendimet i merr në Beograd. Ende pa u mbushur 100 ditët e Qeverisë, nuk mban mend kush, përjashtuar militantët e rehatuar, se cili është misioni i formimit të Qeverisë. Çështja e demarkacionit, kauzë me të cilën është identifikuar Kryeministri, në 2018, nuk do të zgjidhet ashtu siç është proklamuar nga Qeveria. Kosova nuk ka aleatë për të shtyrë axhendën e Qeverisë në çështjen e demarkacionit. Nëse nuk do të ketë zgjedhje vendore, nuk është e thënë se nuk do të ketë zgjedhje në nivel qendror.

3. Nuk do të ketë vende të mjaftueshme pune. Vitin e ardhshëm, 30 mijë qytetarë të rinj do të hyjnë në tregun e punës. Sektori publik do të mundë të punësojë një numër sish, si militantë partiakë. Sektori privat do ta ketë vështirë t’i punësojë, sepse është më pak konkur rent sesa ai publik në rroga dhe nuk është në rritje e sipër. Në ekonominë e Kosovës, më shumë rritet numri i zëvendësministrave se sa ai i kompanive private që ofrojnë punësim.

4. Ata që nuk punësohen, nuk do ta kenë më të lehtë për të ikur nga Kosova e për të gjetur punë jashtë. Nëse vazhdon qeverisja e njëjtë, nuk do të ketë liberalizim të vizave. E reja dhe i riu kosovar do të kenë zgjidhje pothuajse të njëjtë, si çdo vit më herët: të presin për viza me garanci nga kushërinjtë e tyre në Bashkimin Europian (përfshirë edhe garancinë e martesës) apo të nisen rrugëve të ilegalitetit për të hyrë në BE.

5. Kosova nuk do të jetë vend kandidat për anëtarësim në BE (as anëtar i NATO-s, UNESCO-s etj.). Nuk ka ndryshuar gjë, që do ta bënte Kosovën anëtare apo kandidate në BE. Udhëheqësit e vendit, qoftë nga mosdija, oportunizmi apo që të dyja së bashku, përmendin se së shpejti do të anëtarësohemi në NATO, UNESCO apo do të bëhemi kandidat për BE. Më 2018, nuk ka gjasa të ndodhë asnjëra prej tyre: Kosova është shtet, i cili ka problem strukturor në marrëdhëniet me jashtë (shtetet që nuk e njohin në BE, NATO dhe OKB) dhe në marrëdhënie me veten, duke qenë një shtet, që ende dëshiron për të qenë funksional.

6. Nuk do të ketë FAK, apo ushtri të Kosovës. Pushteti i vendit me mosdije e ka futur këtë si çështje, për të cilën duhet të vendosë Beogradi zyrtar. Beogradi zyrtar nuk ka treguar diskonim, që Ushtria e Kosovës të formohet më 2018 apo në cilindo vit tjetër pasues.

7. Nuk do të ketë normalizim marrëdhëniesh me Serbinë. Serbia ka arritur dy depërtime strategjike. Njëri është Lista Serbe, që tashmë është faktori politik kryesor vendor, duke kontrolluar nëntë komuna dhe shëndetin e Qeverisë së Kosovës-pa të, Kosova nuk ka qeveri. Tjetri është Marrëveshja e Brukselit, me të cilën Hashim Thaçi, me nënshkrimin e tij, ia dha të drejtën Serbisë, për herë të parë pas vitit 1968, që të bashkadministrojë në Kosovë. Serbia nuk ka kurrfarë shtytjeje, kushtë- zim apo presion që të heqë dorë prej dy depërtimeve të veta strategjike e të krijojë një politikë më të favorshme për Kosovën.

8. Nuk do të ketë më shumë pozitivitet në sferën publike. Pushteti do të vazhdojë me kontrollin e RTK-së si medium, që ka për bazë modelin financiar dhe politik të Radiotelevizionit të Serbisë të viteve ’90, ku porosia pro pushtet kombinohet me gjoja debat opozitar. Portalet e pushtetit, financuar nga paratë e pista të tenderëve dhe kontratave komerciale, do të ngrenë tonin negativ kundër opozitës ndaj shtetit të kapur. Njerëzit e ndershëm do të rrisin konsumin e hapave qetësues. Beteja e shtetit të kapur nuk do të ketë të ndalur. Nëse janë vjedhur së paku 300 milionë euro nga autostrada për në Shqipëri, ato para do të vazhdojnë të përdoren për të blerë media e prokurorë, diplomatë e gjykatës, zyrtarë e aktivistë të shoqërisë civile.

9. Vendi nuk do të ketë emër më të mirë. Në media ndërkombëtare do të përmendet arrestimi i këtij dhe atij zyrtari dhe njeriu me nam, gjë e pakrahasueshme me cilindo vend europian. Mediet europiane dhe botërore do të nënvizojnë faktin se Kosova është i vetmi vend në Europë, për të cilin u themelua një Gjykatë speciale.

10. Viti 2017 nuk do të përsëritet. Ai i ardhshmi ka gjasa të jetë më i mirë, ka gjasa, po ashtu, të jetë më i keq. Se a do të jetë më i keq apo më i mirë, varet në masë të madhe nga vetë qytetarët. Dhe ky është lajmi i mirë për vitin e ardhshëm. I vetmi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura