Dhimitër Shuteriqi, “punëtori i fjalës” kujtohet në 100-vjetor

Sep 29, 2015 | 13:47
SHPËRNDAJE

“Dhimitër Shuteriqi nuk mund të kthehet në një ‘zë të vogël’, pasi ka kontribut dhe vlera të mëdha.
Ai është një figurë që u përket dy kohërave”, do të shprehej shkrimtari Ismail Kadare, për një figurat më të rëndësishme të letrave shqipe.

Dje, në sallën “Aleks Buda”, Akademia e Shkencave organizoi një ceremoni përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, gjuhëtarit, studiuesit të letërsisë, publicistit… Dhimitër Shuteriqi. Studiues të letërsisë, historisë e arteve referuan mbi aspekte të ndryshme të veprimtarisë së Shuteriqit. Kush për punën e tij si studiues i letërsisë dhe hartues i Historisë së Letërsisë Shqipe, një tjetër për vlerat e tij si gjuhëtar dhe si rrëmues i rrënjëve të shqipes, një tjetër si njohës i shkëlqyer i letërsisë dhe botës arbëreshe, ai shkrimtar, por edhe si vëzhgues i hollë, që fiksonte në letër tiparet e kolegëve të tij, përmes vizatimit. Një figurë poliedrike, për të cilën mund të flitej edhe më shumë nga ç’u fol, siç do të thoshte moderatorja e këtij aktiviteti, prof. Floresha Dado.

Sipas kësaj të fundit, një nga kontributet më të mëdha të Shuteriqit është pa dyshim ai në historiografinë shqiptare. Sipas saj, tezat e hedhura prej tij ende diskutohen edhe sot e kësaj dite. Në një kohë kur shkrimtarët gjykoheshin më së shumti për arsye jashtëletrare, kur shumë syresh ishin “përjashtuar” nga aradhet e shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, Shuteriqi do të bënte përpjekje për rifutjen e tyre në tekstet mësimore, në antologji e histori letërsie.

Këtë e dëshmonin edhe tekstet e antologjive të ekspozuara me këtë rast, që mbanin përsipër germën “R”. Me këtë rast, Dado parashtroi edhe një herë domosdoshmërinë e rishkrimit të Historisë së Letërsisë Shqipe, gjithnjë duke u mbështetur në kritere dhe me një metodologji shkencore. Studiuesi Shaban Sinani foli për vepra ende të pabotuara të Shuteriqit, që ruhen në arkivat shqiptare.

Nga Akademia Solemne, në 100-vjetorin e Dhimitër Shuteriqit
Nga Akademia Solemne, në 100-vjetorin e Dhimitër Shuteriqit

Sipas tij, në fondin “Dhimitër Shuteriqi” në Arkivin e Shtetit “ka disa mijëra fletë që janë studime të pabotuara, studime të botuara me shkurtime, sinopse kërkimesh, kërkime të pambaruara, variante artikujsh dhe studimesh, artikuj shkencorë të shkruar për të mos u botuar, siç janë oponenca, recensione, relacione dhe diskutime shkencore, skeda të pafundme”. Në një kohë që një fond i pasur gjendet edhe në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, ku “janë shqiptuar pyetje shkencore, që ende nuk janë kënaqur me përgjigje të argumentuara”. Prof. Ali Xhiku na kthen në vitet ’50, kur Shuteriqi tashmë kishte krijuar portretin e tij prej studiuesi e shkrimtari.

Akademiku Jorgo Bulo do të ndalej më së shumti në kontributin e tij si gjuhëtar dhe si një kërkues i palodhur i rrënjëve të gjuhës shqipe. “Që shqipja është shkruar përpara Buzukut, kjo tashmë është e pranuar nga studiuesit, por për Dhimitër Shuteriqin kjo ishte kthyer një qëllim jete, një amanet i lënë nga i ati, Simon Shuteriqi”, do të shprehej Bulo, teksa numëron veprat e botuara në këtë lëmë. Sipas tij, Shuteriqi ishte një “punëtor i madh i gjuhës” dhe janë pikërisht këta punëtorë që e mbajnë fjalën, gjuhën dhe kombin gjallë.

Dhimitër Shuteriqi
Dhimitër Shuteriqi
Kujtime nostalgjike nga ekspeditat dhe vizitat ndër arbëreshët e Italisë, do të sillte Gjovalin Shkurtaj, ndërsa studiuesi e shkrimtari Nasho Jorgaqi do të ndalej në vlerat e veprës “Sytë e Simonidës”, të cilin ai e konsideron një roman të mbijetesës.

“Ideja themelore që autori u përcjell lexuesve është ajo e mbijetesës arbërore. Janë qindra vjet qëndrese, në fronte nga më të ndryshmet, të rabanëve, siç i quanin sllavët shqiptarët në Mesjetë, kundër asimilimit më të tmerrshëm: asimilimit sllav”, thotë Jorgaqi, teksa shton se përmes përshkrimit të dramës së princeshës Simonidë jep psikologjinë komplekse të kohës.

Prof. Ymer Çiraku do të ndalej në profilin e Shuteriqit si poet dhe evolucionin e tij. Ndërsa piktori ksenofob Dilo, do të cekte një nga pasionet e Shuteriqit, që ishte vizatimi. Tashmë është i njohur koleksioni i skicave të realizuara nga Shuteriqi. Shumica janë portrete të kolegëve të tij, realizuar gjatë takimeve dhe mbledhjeve të ndryshme të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Mynever Shuteriqi: Vdiq me stilolaps në dorë

Kush njihte Shuteriqin, do të njihte patjetër edhe Myneverin, shoqen e pandashme të jetës, e cila i qëndroi pranë në çdo sfidë që duhej të kalonte. “Jeta e tij ka qenë jetë pune, këtë dua ta theksoj, jetë pune. Unë nuk e kam parë Dhimitrin asnjëherë pa një stilolaps dhe pa një libër në dorë. Duke filluar nga dita e parë, që kam qenë me të dhe kjo ka qenë në Luftën Nacionalçlirimtare, kur ne punonin bashkë në Elbasan, e Dhimitri edhe në ato raste gjente kohën për të mbledhur të dhëna për historinë, kostumografinë etj., të cilat i regjistronte me shumë kujdes në disa fletore të vogla. Ky interes i tij asokohe më irritonte, sepse më dukej se spostohej vëmendja e tij nga problemi kryesor, që ishte lufta. Por, kohë më vonë, unë isha shoqja e jetës së tij dhe kuptova se duhet të isha mbështetësja e tij, e pasionit dhe e angazhimeve të tij letrare dhe studimore”, u shpreh dje Mynever Shuteriqi, në Akademinë solemne kushtuar të shoqit.

Mynever Shuteriqi
Mynever Shuteriqi
“Ky pasion e ndoqi deri ditën e fundit të jetës së tij. Unë dhe fëmijët tanë, që ishim ngurrur pranë shtratit të tij, habiteshim, dhe me shumë dhimbje e shikonim se arratisej nga koha reale dhe kërkonte midis teshave stilolapsin për të shkruar, jo më në letër siç kishte shkruar, por në eter në ajër. Ishte e qartë se edhe në ato çaste, të fundit çaste, nuk donte që të shkëputej nga zakonet, pasionet të lidhura dhe të mësuara vazhdimisht me jetën dhe bashkëvuajtjen. Por le t’i drejtohem konkretisht se si i përgjigjej ai pyetjes ‘Ç’është jeta?’. -Jeta për mua është punë. Në një tjetër intervistë të gazetës “Shekulli”. “Profesor, a ke frikë nga vdekja?” Ai përgjigjej: Nuk kam kohë që të mendoj për vdekjen se kam akoma për të bërë. Në një ditar të viteve 2001-2002 shkruante: ‘Kur të vdes do të thonë ishte punëtor. A ka gjë më të bukur? A ka gjë më të madhe? A ka nder më të madh?’. Sot ju falënderoj për këtë nderim që ju i bëtë për punën që ka bërë”, iu drejtua ajo të pranishmëve.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura