Dhimitër Bardhi, profesori i sporteve ndër vite, “Qytetar Nderi” në Elbasan

Jan 31, 2023 | 7:42
SHPËRNDAJE

Hyqmet ZaneHYQMET ZANE

Thonë se vdekja i mbyll hesapet e njeriut, por pas vdekjes kujtohen veprat që ke lënë ose edhe të këqijat që ke bërë. Por për profesorin e sporteve, Dhimitër Bardhi, jo vetëm i kujtohen veprat që bëri, por iu bë edhe nderimi i merituar me titullin “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Është Këshilli Bashkiak që miratoi kërkesën e shoqatës “Elbasani” dhe Shoqatës së Alpinistëve për t’i dhënë këtë titull njeriut të nderuar dhe të veçantë.

Me një ceremoni dinjitoze të sportistëve e të të gjithë llojeve të sporteve, veçanërisht veteranët e futbollit dhe atletikës, të basketbollit dhe volejbollit, të ngritjes së peshave dhe mundjes dhe të rinj të sporteve të ndryshme u bënë bashkë në nderimin për dhënien e këtij titulli “Profesorit të sporteve” siç e njohin në Elbasan Dhimitër Bardhi. Titullarë si volejbollisti Hysen Domi, ish-kryetar i Komitetit Olimpik, Mihal Gjika (Laka), futbollisti i mirënjohur edhe i kombëtares dhe shumë emra të sporteve ishin bashkë kur kryebashkiaku Gledian Llatja u dorëzoi familjarëve titullin me motivacionin “Për kontributin e veçantë si studiues, hulumtues dhe botues i shumë librave që janë themeli i historisë së sportit elbasanas” (pas vdekjes).

U folën shumë fjalë që nga protagonistët e sporteve, edhe nga Bostoni kishe ardhur Qemal Biçaku, alpinisti i mirënjohur veteran që e ka nderuar emrin e kryetarit të Komitetit të Sporteve të Elbasanit, Dhimitër Bardhi, edhe në SHBA për meritat e veçanta që kishte dhe për vlerat që ai manifestoi në çdo kohë.

Por cila është veprimtaria e Dhimitër Bardhit?

Dhimitër Bardhi është elbasanasi që gjithë jetën e tij iu përkushtua punës për mbarëvajtjen e sporteve në këtë qytet.

Është lindur më 21 tetor 1931 dhe rritur në një ambient qytetar dhe intelektual, me një temperament këmbëngulës në punën dhe karakterin e tij. Ky personazh i disa veprave që shkroi për sportin, do të kujtohet me nostalgjinë e viteve që ikën dhe që ai i përjetoi me përkujdesje që t’u linte brezave historikun arshivë të sporteve në Elbasan.

Dhimitër Bardhi i dha historikut kombëtar një pasuri që dinë të bëjnë vetëm ata që kanë vizione dhe seriozitet në jetën e tyre dhe që janë të orientuar drejt kulturës e mbarëvajtjes të brezave.

Njihet në opinionin elbasanas si një njeri i thjeshtë, fjalëpakë dhe i vëmendshëm, i përgjegjshëm dhe një mik i mirë dhe familjar i devotshëm.

Profesori që shkroi historinë e sporteve, kudo ku punoi Dhimitër Bardhi, la gjurmë të pashlyera jo vetëm për mendimet dhe organizimet, por edhe për modestinë e punës dhe një lloj sjellje të veçantë të njeriut që më shumë jep sesa kërkon nga shoqëria.

Merita e madhe e Dhimitër Bardhit është se e shtriu zhvillimin e sporteve në Elbasan që nga Pavarësia e deri në ditët e sotme.

Fotografitë e mbledhura me shumë mund, përkushtimi për të kërkuar e gjetur gjithçka që lidhet me sportin dhe për të fituar mendimet e çdokujt që ka pasur lidhje të hershme me sportin, kanë qenë cilësi të veçanta të një njeriu që e pa veten më shumë në punën në shërbim të shoqërisë se sa të familjes së tij, që në një farë mënyre e ka favorizuar këtë burrë sporti që të mbetej i paharruar në historikun e sporteve në Elbasan e në Shqipëri.

Dhimitër Bardhi ishte një ndër themeluesit dhe drejtuesit e kombinatit të drurit, duke bërë edhe specializimet me disa kolegë të tij në Bashkimin Sovjetik para viteve ‘60, duke i dhënë këtij kombinati një drejtim të suksesshëm dhe lehtësuar punën e çdo drejtuesi të mëpasshëm. Në çdo sektor që e çuan ai kishte vetëm sukses, sepse ai dinte të kuptonte problemin dhe ta zgjidhte atë, sepse tek ai ekzistonte parimi i gjetjes së të rëndësishmes para të thjeshtës dhe zgjidhja e problemit me themel dhe seriozitet.

Por ajo që e bëri të njohur dhe që i dha një personalitet të padiskutueshëm ishte sporti, organizimi i tij dhe drejtimi i tij me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Nuk kishte ndonjë shkollim për sportin, por kishte vëmendjen dhe dëshirën, kishte seriozitetin dhe orientimin e drejt në suksesin e punës.

Dhimitër Bardhi është edhe propozuesi dhe realizuesi i Pallatit të Sportit “Tomor Sinani”, duke lënë një vepër tjetër në arshivën e bibliografisë së tij dhe që do të ishte edhe pikënisja e punës së tij për ta përjetësuar kontributin e brezave të tërë të sportistëve të ndryshëm gjatë një shekulli të tërë.

Pas vitit 1960 ka qenë edhe i licencuar si gjyqtar për sportin e futbollit.

Si Kryetar i Komitetit të Sporteve në Elbasan për shumë vite, profesor Dhimitër Bardhi mbeti njeriu i respektuar dhe i saktë, njeriu i miqësisë me punonjësit dhe i kujtimeve të veçanta.

Dhimitër Bardhi ka hyrë në historikun e qytetit të Elbasanit si botuesi i veprave sportive me foto e fakt, me kujtime dhe hulumtime, me personalitet dhe sportistë që do mbeten të paharruar e të kujtuar nga brezat.

Veprat:

– Atletika në Elbasan, 1929 – 1999

– Basketbolli i Femrave në Elbasan, 1947- 1997

– Futbolli në Elbasan, 1913 – 1998

– Ata që bënë historinë e futbollit në Elbasan

Mbetën në dorëshkrim të përfunduar basketbolli meshkuj, sepse ndërroi jetë më 4 shtator 2015.

Për qytetin e Elbasanit dhe për brezat që do të vijnë, historia e sporteve do të kujtohet e materializuar nga mendja dhe duart e profesorit të nderuar Dhimitër Bardhi, tanimë “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Rrallë mund të ndeshësh njerëz me këtë profil personaliteti që vitet e punës dhe përkushtimin për të ta hedhë në letër jo për veten, por për brezat dhe për historitë e jetuara në shërbim të qytetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura