Detina e Argita Zalli, dy binjaket e Harvardit

May 1, 2015 | 11:14
SHPËRNDAJE

Historia e dy vajzave shqiptare që nga emigrante  të jashtëligjshme arritën të bëhen shkencëtare e pedagoge. Për nder të tyre, në ditët e para të majit, në Harvard do të organizohet aktiviteti i titulluar “Good Morning Hope” (“Mirëmëngjes Shpresë”)

Kur u larguan bashkë me familjen drejt Mbretërisë së Bashkuar, motrat binjake nga Fieri, Detina dhe Argita Zalli, ishin ende adoleshente dhe gjithçka i priste në qytetin Folkestone në Jug të Anglisë ishte shumë ndryshe nga ajo që u kishte ofruar vendi i tyre, Shqipëria. Pikërisht këtu mori jetë rrugëtimi i tyre drejt shkencës. Shkencëtarja dhe pedagogia në Harvard, Detina Zalli, rrëfen në këtë intervistë për nismën më të re që do të organizohet këtë fillim maji në Harvard, “Good Morning Hope”, një ngjarje që për herë të parë i dedikohet historisë së jetës të dy shqiptareve, asaj dhe motrës së saj, Argitës. Një histori që simbolizon edhe historinë e shumë shqiptarëve të tjerë dhe që motrat do e sjellin edhe përmes botimit të një libri.
Pedagoge dhe shkencëtare në Universitetin e Harvard-it. Sa e vështirë ka qenë kjo rrugë për ju?
Rrugëtimi, jo vetëm për të qenë shkencëtare apo pedagoge, por edhe për të pasur një jetë më të mirë ka qenë i vështirë. Në vitin 1999 u nisëm ilegalisht si refugjatë për të shkuar në Angli. Atje hasëm vështirësi të shumta. Nuk kishim dokumente dhe ndryshe nga shoqet tona nuk mund të konkurronim në të njëjtat universitete, apo të shkonim fillimisht në të njëjtat shkolla. Shumë shpejt, pas shumë testesh shkollimi, u pranuam në një nga shkollat më të mira angleze, “Grammar School” dhe që atje shumë gjëra ndryshuan, pozitivisht. Filluam të dalloheshim ndër më të mirat, megjithëse akoma nuk kishim dokumentet angleze dhe kjo na krijoi probleme.
Edhe motra juaj binjake është doktore e shkencave. Si ka lindur ky pasion për shkencën te të dyja ju dhe sa komunikoni me njëra-tjetrën në këtë drejtim?
Ky drejtim lindi “aksidentalisht”. Motra edhe unë donim të bëheshim mjeke dhe jo shkencëtare. Ëndërronim që fëmijë të bëheshim mjeke, kur luanim shpeshherë me kukullat tona (ne pretendonim të ishim mjeke, ndërsa kukullat pacientet tona).
Për shkak se nuk kishim dokumentet angleze nuk u pranuam në shkollën e mjekësisë. Duke parë rezultatet tona të shkëlqyera, një nga universitetet angleze (University of Sussex), këmbënguli që të edukoheshim atje në Mjekësi Molekulare (molecular medicine) dhe na ndihmoi të merrnim dokumentet angleze. Duke studiuar mjekësi molekulare kuptuam që ky ishte pasioni ynë i madh dhe megjithëse e kishim mundësinë t’i riktheheshim shkollës së mjekësisë, vendosëm të vazhdonim studimet e shkencës dhe të bënim kërkime shkencore, gjë që na pëlqen shumë.
Përveç kërkimit shkencor, një fushë ku ju kontribuoni është pedagogjia. Sa e vështirë është të bësh njëkohësisht kërkimin shkencor dhe pedagogen në të njëjtën kohë?
Është shumë e vështirë sepse duhet t’i koordinosh të dyja gjërat bashkë. Shpeshherë kur ligjëron, nuk të del koha të bësh “kërkime shkencore”, sepse ligjërimi kërkon një përgatitje të leksioneve që të marrin kohe. Megjithatë na pëlqen shumë pedagogjia, e kemi pasion dhe më tepër e konsiderojmë një pasion të vërtetë më shumë sesa punë. Na pëlqen shumë të bashkëveprojmë me kolegët dhe studentët.
Gjatë gjithë këtyre viteve jashtë Shqipërisë a e keni ndjerë veten të paragjykuar si emigrante?
Po, në shumë raste. Megjithatë kemi qenë edhe me fat sepse kemi takuar njerëz të shkëlqyer anglezë, profesorë, të cilët na kanë ndihmuar shumë të ecim përpara duke na inkurajuar çdo herë.
Së shpejti, në Harvard do të organizohet aktiviteti “Good Morning Hope”, një ngjarje që për herë të parë i dedikohet historisë së jetës së dy shqiptareve, ju dhe motrës suaj. Çfarë është ky aktivitet dhe në ç’mënyrë do të prezantoheni ju dhe Shqipëria përmes tij?
Ky aktivitet i dedikohet motrës dhe mua, historisë së jetës sonë që simbolizon edhe historinë e shumë shqiptarëve të tjerë. Ndodhi krejt rastësisht. Së bashku me kolegët ishim në një event që ndodhte në Harvard, “Harvard Leadership Conference”. Unë isha një nga organizatoret e këtij eventi, së bashku me kolegët e mi. Të ftuar ishin shumë aktorë dhe autorë të librave me famë botërore, biznesmenë, të cilët dhanë një leksion për të gjithë ne (leksion, ku ata tregonin historinë e jetës së tyre, si ia dolën të jenë të suksesshëm) dhe pasi eventi kishte mbaruar, u ulëm të gjithë për të ngrënë një darkë. Ndërsa hanim, disa kolegë kërkuan t’u tregoja diçka rreth jetës sime, sepse nuk dinin shumë për Shqipërinë. Ishte një moment shumë emocionues. Sapo fillova t’u tregoja, vura re që të gjithë po më shikonin. Kisha vëmendjen e të gjithëve…. U tregova një pjesë të historisë dhe të gjithë menduam të krijonin një event të titulluar “Good Morning Hope” (“Mirëmëngjes Shpresë”). Titulli i eventit është sipas librit, që së bashku me Argitën, motrën, do të publikojmë së shpejti. Kjo, sepse që të gjithë menduan se është një histori që të gjithë njerëzit duhet ta dëgjonin. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë dhe na bëri tepër krenare që ne shqiptaret, do të jemi në qendër të vëmendjes në këtë event, që do të ndodhi në datën 2 maj në Harvard.
Çfarë do t’u thoshit gjithë të rinjve shqiptarë që duan të arrijnë diçka në jetë, por që për momentin nuk kanë mundësitë e duhura? Ku mund ta gjejnë ata frymëzimin dhe shpresën?
Jam e bindur që ka shumë studentë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, të cilët kanë shkëlqyer dhe vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme. Besoj se shumë prej tyre kanë të njëjtat vlera me studentët në Harvard. E vetmja gjë që mund t’u them është të mos e humbasin kurrë shpresën e të qenit dikushi, por të trokasin te dyer të ndryshme, derisa të gjejnë një mundësi për karrierat e tyre. Për këtë arsye, unë dhe motra kemi themeluar një organizatë jofitimprurëse, e cila quhet “We speak science”, qëllimi i së cilës është t’u japë studentëve, mjekëve, një mundësi për të treguar punët e tyre, si edhe për të bërë lidhje me shkencëtarë/mjekë jashtë vendit. Kemi një skuadër shumë të fortë, të përbërë nga shkencëtarë/mjekë në Harvard dhe do t’i inkurajoja të gjithë të interesuarit të marrin pjesë, duke na kontaktuar ne.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura