Deti, pronat që kthehen dhe emrat që fshihen… Detajet e marrëveshjes dhe takimi Rama-Cipras

Jun 25, 2018 | 12:35
SHPËRNDAJE

Takimi në Rodos mes dy kryediplomatëve Ditmir Bushati dhe Nikos Kocias, ka shërbyer për të bërë prekjet e fundit në paketën e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë.

rama cipras

Raportimi bëhet nga media prestigjioze greke “Protothema”, që shkruan gjithashtu se pas takimit në nivel ministrash, pritet një takim i dytë mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe homologut të tij grek Aleksis Cipras, në dhjetë ditët e para të Korrikut, raporton “Panorama”.

Duke u ndalur te detajet e marrëveshjes, “Protothema” raporton se pakti aktual për zonën detare, është më favorizuese për nga sipërfaqja e ujërave për Shqipërinë, se ajo e vitit 2009.

“E vetmja gjë e sigurt është se marrëveshja do të rregullojë çështjen e zonave detare të të dy vendeve në Detin Jon. Kjo është një çështje vendimtare nëse dikush parashikon mundësinë e shfrytëzimit të depozitave të rëndësishme hidrokarbure që besohet të ekzistojnë atje. Kujtojnë se Greqia ka nisur procedurat e ankandit për ‘parcelat e tokës’ në Detin Jon. Le të theksojmë se ndarja e zonave detare është bërë edhe në vitin 2009, por pala shqiptare më pas u tërhoq nga marrëveshja për shkak të një vendimi negativ të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas informacioneve, marrëveshja do t’i japë Shqipërisë një zonë detare më të madhe sesa ajo që i ishte dhënë në marrëveshjen e mëparshme. Megjithatë, shqiptarët tani janë shumë skeptikë në lidhje me zgjerimin e ujërave territoriale greke deri në 12 milje, sepse, siç e konsiderojnë qarqet diplomatike në Athinë, ata nuk dëshirojnë të marrin mospëlqimin e Ankarasë.

Zgjerimi i ujërave territoriale, megjithatë, nuk kërkon marrëveshje, por mund të kryhet nga një akt i njëanshëm i Greqisë”.

Më tej, media greke ndalet te pika tjetër e marrëveshjes: Heqja e ligjit të luftës. Ligj, që e cilëson “një çështje në qendër të konfrontimeve politike të dy vendeve”.

Një tjetër pikë janë “referencat dhe identifikuesit gjeografikë” vijon raportimi, ku pala shqiptare fut “Çështjen Çame”.
“Thuhet se marrëveshja parashikon që të shmangen emërime që kanë potencial për të simuluar pasionin mes dy popujve. Kjo praktikisht nënkupton braktisjen e emrit ‘Epiri i Veriut’, si dhe ‘Çamëri’ Do të kemi më tepër ekzaminimin e librave shkollorë nga të dy palët”, shkruhet artikullin e publikuar këtë të hënë nga “Protothema”, me titull “Çështjet kryesore në tryezën e negociatave greko-shqiptare” me autore Nefeli Lygerou.

“Greqia është e angazhuar për tu dhënë shtetasve shqiptarë pasuritë nën konfiskim, pasuri që u konfiskuan me shpalljen e luftës kundër Shqipërisë në 1940-41. Këto prona, të vendosura kryesisht në Janinë, Selanik dhe disa pjesë të Thesalisë, me marrëveshjen duhet t’u kthehen pronarëve të tyre”, mbyllet raportimi.

Perktheu PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura