Deti, Gjykata e Hagës rikonfirmon ekitenë si parim themelor

Oct 20, 2021 | 9:15
SHPËRNDAJE

xhezair-zaganjoriXHEZAIR ZAGANJORI

Javën e kaluar, më datë 12 tetor 2021, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJNDR) shpalli vendimin mbi çështjen Somalia kundër Kenias, lidhur me përcaktimin e kufijve detarë mes tyre në Oqeanin Indian. Pas dështimit të përpjekjeve të shumta për zgjidhjen e konfliktit përmes bisedimeve të drejtpërdrejta diplomatike, në vitin 2014, Somalia iu drejtua kësaj Gjykate, duke kërkuar prej saj që bazuar në Konventën e Tretë të OKBsë mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS – United Nations Convention on the Law of the Sea), me një vijë të vetme të saktësonte qartësisht hapësirat detare që i përkasin secilës prej tyre, konkretisht: Ujërat Territoriale (UT), Zonën Ekonomike Ekskluzive (ZEE), si dhe Shelfin Kontinental (SHK), përfshi këtu edhe Shelfin Kontinental përtej 200 miljeve detare, sepse hapësira e madhe oqeanike përballë këtyre dy shteteve, krijon mundësinë potenciale që SHK i tyre të shtrihet deri në 350 milje detare.

Nga veprimet e para procedurale bie në sy plotësimi i trupës gjyqësore prej 15 gjyqtarësh të GJEDR edhe me profesorin dhe avokatin e shquar francez Gilbert Guillaume, ish-anëtar dhe ish-kryetar në këtë Gjykatë, i propozuar si gjyqtar ad hoc për këtë çështje nga Kenia (pasi pala tjetër, Somalia, ka aktualisht në përbërje të GJNDR shtetasin e saj Abdulqawi Yusuf).

Vendimi i parë i GJNDR mbi çështjen në fjalë është ai i datës 2 korrik 2017, përmes të cilit ajo rrëzon kundërshtimet paraprake të Kenias lidhur me juridiksionin dhe pranueshmërinë e kërkesës së paraqitur nga Somalia. Pas një sërë zvarritjeve, kryesisht nga Kenia, seanca plenare u zhvillua në Hagë, në datat 15 – 18 mars 2021. Kenia nuk mori pjesë në këtë fazë të procesit, ndërsa Somalia u përfaqësua me një ekip i zgjeruar prej rreth 25 vetash, pjesa më e madhe e të cilëve avokatë e profesorë të së drejtës ndërkombëtare nga SHBA, Britania e Franca. Mes tyre dallohet prof. Philippe Sands nga Kolegji Universitar i Londrës (UCL). Në vendimin përfundimtar prej rreth 80 faqesh, të dhënë nga GJNDR pak ditë më parë, bie në sy në mënyrë të veçantë pjesa e katërt e tij me titull “Përcaktimi i Kufijve Detarë”, arsyetimi i së cilës bëhet duke u bazuar te parimi i ekitesë, si parimi themelor për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të së drejtës së detit.

SFONDI HISTORIK DHE GJEOGRAFIK I KONFLIKTIT:

Somalia dhe Kenia janë vende fqinje, të vendosura në pjesën lindore të Afrikës. Bregdeti i tyre laget nga ujërat e Oqeanit Indian. Somalia ka qenë koloni e Italisë, ndërsa Kenia, koloni e Britanisë. Në vitin 1924, dy vendet koloniale përfunduan një marrëveshje mbi rregullimin e çështjeve të kufirit tokësor mes tyre në Afrikën Lindore. Edhe në vijim, deri në vitin 1933, ka pasur komisione të përbashkëta italo–britanike për zgjidhjen e problemeve kufitare. Ashtu si shumica e kufijve të shteteve afrikane, edhe kufiri tokësor Somali – Kenia përbëhet nga vija të drejta që ndjekin koordinatat e caktuara në bazë të paraleleve dhe meridianëve gjeografikë. Somalia fitoi pavarësinë në vitin 1960, ndërsa Kenia në vitin 1963. Nga viti 1994, të dyja vendet janë zyrtarisht palë në UNCLOS. Megjithatë, me pretendimin se po zbatojnë dispozitat e kësaj Konvente, të dyja vendet kanë adoptuar në mënyrë të njëanshme metoda të ndryshme për ndarjen e hapësirave detare. Synim kryesor ka qenë vënia nën sovranitetin shtetëror respektiv apo fitimi i të drejtave sovrane në hapësira sa më të gjëra të Oqeanit Indian. Somalia ka insistuar në zbatimin e parimit të ekuidistancës, si vijë e baraslarguar në të gjitha pikat e saj nga dy brigjet respektive. Sipas saj, në rastin konkret, një vijë e tillë garanton njëkohësisht edhe parimin e ekitesë mes dy palëve, Somalisë dhe Kenias. Sipas Kenias, ndarja e hapësirave detare duhet të jetë zgjatim i vijës kufitare në tokë, duke pasur si pika kryesore referimi paralelet dhe meridianët gjeografikë. Për më tepër, sipas saj, kjo ndarje e hapësirave detare është deklaruar e zbatuar dekada më parë edhe zyrtarisht nga vetë Kenia, në një kohë që Somalia nuk ka pasur asnjë kundërreagim. Sipas Kenias, një veprim i tillë është “njohje në mënyrë të heshtur”, që në të drejtën ndërkombëtare quhet “acquiesced” (miratim). Nuk është vështirë të kuptohet se Somalia tenton të spostojë vijën e saj të kufirit detar në drejtim të jugut, ndërsa Kenia, në të kundërt, në drejtim të veriut. Metodat e ndryshme të përdoruara nga të dyja shtetet krijojnë një mbivendosje të konsiderueshme të hapësirave detare mes tyre, e cila vjen duke u zgjeruar gjithnjë e më shumë në drejtim të Oqeanit Indian. Vlerësohet se vetëm kjo mbivendosje kap një sipërfaqe prej rreth 160 mijë kilometër katrorë, dhe se ajo është shumë e pasur në minerale, naftë, gaz natyror dhe peshk.

A JEMI PARA RASTIT TË “MIRATIMIT TË HESHTUR” NGA ANA E SOMALISË

Ky është pretendimi i Kenias, që thjesht vlerëson mosreagimin për një kohë të gjatë të Somalisë ndaj deklaratave zyrtare të saj mbi Kufijtë Detarë, bërë në Najrobi nga viti 1979 e deri në vitin 2010. GJNDR thekson në vendimin e saj se marrëveshjet që përcaktojnë kufijtë ujore duhet të jenë si rregull në formë të shkruar. Megjithatë, përjashtimisht marrëveshjet mund të paraqiten edhe në forma të tjera. E rëndësishme është të ketë shprehje të qartë të vullnetit të ndërsjellë mes shteteve të interesuara. Mbi këtë bazë, duke pasur parasysh deklarimet e njëanshme të Kenias dhe situatën e Somalisë në vitet 1979 – 2010 (anarki, luftë civile, mosfunksionim i institucioneve shtetërore), GJNDR arrin në konkluzionin se nuk ka asnjë të dhënë të saktë e të qartë që mund të çojë në konkluzionin se Somalia ka dhënë pëlqimin e saj për të përcaktuar kufirin detar me Kenian në bazë të paraleleve gjeografike të përmendura nga kjo e fundit (Kenia). Për këtë arsye, ajo thekson se i takon asaj (GJNDR) ta realizojë këtë detyrë.

PËRCAKTIMI I KUFIJVE DETARË MES PALËVE

Sigurisht që kjo është njëkohësisht edhe pjesa më e gjatë dhe më interesante e vendimit (fq.33-71, ose paragrafët 90–197). Meqenëse bëhet fjalë për institute të ndryshme të së drejtës, GJNDR i merr me radhë ato, ashtu siç përcaktohen edhe në kuadër të Konventës së Tretë të OKB-së mbi të Drejtën e Detit. Kjo do të thotë se GJNDR: a) Fillimisht përcakton Vijën Bazë, e cila shërben si pikënisje për përcaktimin e hapësirave detare; e më pas b) Ujërat Territoriale; c) Zonën Ekonomike Ekskluzive dhe Shelfin Kontinental, deri në 200 milje detare; dhe së fundi, d) Shelfin Kontinental përtej 200 miljeve detare, me mundësinë potenciale që të shkojë deri në 350 milje.

a) Për sa i përket Vijës Bazë, GJNDR rrëzon menjëherë pretendimet e të dy palëve, me argumentin e thjeshtë se marrëveshjet e viteve 1924 – 1933 mes dy kolonive respektive, Italisë dhe Britanisë, kishin të bënin vetëm me përcaktimin e kufijve tokësorë dhe regjimin kufitar tokësor mes palëve, dhe se për këtë arsye, në asnjë dokument të mëparshëm nuk është folur për ndarjen e hapësirave detare ndërmjet Somalisë dhe Kenias. Për këtë arsye, ajo (GJNDR) i referohet nenit 5 të Konventës (UNCLOS), në të cilin përcaktohet se normalisht Vija Bazë është vija e zbaticës më të madhe.

b) Nga kjo vijë fillon edhe llogaritja e Ujërave Territoriale të secilës palë, deri në 12 milje detare. Saktësimi i kufijve të Ujërave Territoriale ka rëndësi të madhe, pasi në këtë sipërfaqe ujore, në hapësirën ajrore mbi të dhe në thellësinë respektive të tokës, shteti bregdetar ushtron sovranitet të plotë. Duke zbatuar nenin 15 të UNCLOS që bën fjalë për Ujërat Territoriale, GJNDR bën fillimisht ndarjen e Ujërave Territoriale mes Somalisë dhe Kenias bazuar në parimin e vijës ekuidistante, e më pas ndalet për të kontrolluar nëse kjo vijë mund të ndryshoje apo jo në funksion të ekzistencës së ndonjë titulli historik apo rrethanave të tjera të veçanta (speciale) që do të cenonin në thelb ndarjen e drejtë e të barabartë të tyre. Sipas Gjykatës, me këtë rast duhet vlerësuar me kujdes sidomos “efekti i mundshëm disproporcional e ndarjes së Ujërave Territoriale, shkaktuar nga prania e ishujve të vegjël, masave shkëmbore apo formave të bregdetit”. Mbi këtë bazë, ajo vendosi të mos marrë në konsideratë praninë e disa ishujve të vegjël (ishujve Diua Damasciaca) dhe të Gjirit Ras Kaambooni, gjithnjë në funksion të zbatimit të parimit të ndarjes sa më të barabartë të Ujërave Territoriale. Pra, si vijë kufiri për ndarjen e Ujërave Territoriale lihet vija ekuidistande, pasi sipas saj ajo garanton njëkohësisht edhe barazinë mes palëve.

c) Përcaktimi i Zonës Ekonomike Ekskluzive dhe Shelfit Kontinental deri në 200 milje detare, ashtu siç është vepruar edhe në rastin konkret, bëhet shpesh së bashku, pasi përgjithësisht ato përkojnë me njëri-tjetrin për sa i përket shtrirjes në drejtim të detit, pavarësisht se në rastin e parë kemi të bëjmë me hapësirën ujore (ZEE), ndërsa në rastin e dytë, me fundin e detit apo oqeanit si dhe nëntokën e tyre (SHK). Edhe regjimi i tyre juridik është i njëjtë. Shteti bregdetar ka disa të drejta sovrane mbi këto hapësira detare, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me shfrytëzimin ekonomik dhe shkencor të tyre. Në thelb, në këndvështrimin formal, ato vazhdojnë të jenë pjesë e Detit të Hapur. GJNDR thekson që në fillim në vendimin e saj se jo rastësisht, nenet 74 dhe 83 të UNCLOS, që bëjnë fjalë respektivisht për ndarjen e ZEE dhe SHK, janë thuajse identike. E rëndësishme për këto dispozita është rezultati, pra, që ndarja të jetë sa më e ndershme dhe sa më e drejtë. Pikërisht për këtë arsye dhe në funksion të këtij objektivi, ajo thotë se vetë ka zhvilluar një metodologji që kalon në tri faza: 1) Në fazën e parë, ku ajo zbaton parimin e ekuidistancës. 2) Në fazën e dytë, ku mund të bëhet korrigjimi i kësaj vije, duke pasur parasysh zbatimin e parimit të ekitesë, pra, arritjen e një rezultati sa më të drejtë e të ndershëm mes palëve. Për këtë qëllim merren në konsideratë “faktorë të ndryshëm relevantë”, kryesisht gjeografikë, megjithëse numri i tyre nuk është ezaurues. E rëndësishme është që ato të kenë natyrë objektive. Në këtë drejtim, jurisprudenca ndërkombëtare ka qenë mjaft krijuese e dinamike. 3) Në fazën e tretë dhe të fundit, ku realizohet i ashtuquajturi test i disproporcionalitetit (apo i proporcionalitetit), përmes të cilit Gjykata sigurohet se ndarja e ZEE dhe SHK mes palëve është bërë në mënyrë të drejtë e të ndershme, duke pasur parasysh kryesisht raportin që krijohet mes gjatësisë së vijave bregdetare respektive me hapësirat detare (ZEE dhe SHK) të përfituara nga secila prej tyre. Gjykata shton gjithashtu se vetë Konventa nuk bën fjalë shprehimisht për nevojën e përdorimit të kësaj metodologjie me tri faza, por se kjo është zhvilluar e zbatuar rregullisht prej saj në funksion të parimit të ekitesë.

Pasi ka përcaktuar metodologjinë e punës, GJNDR merr me radhë pretendimet e dy palëve mbi nevojën dhe masën e ndërhyrjes në vijën ekuidistante. Si në fazën me shkrim, ashtu edhe në seancën plenare, Somalia kishte vënë në dukje se faktorët që mund dhe duhet të ndikojnë për korrigjimin e vijës ekuidistante të ndarjes së ZEE dhe SHK janë vetëm me natyrë gjeografike, që konkretisht sipas saj janë tri: 1)Konteksti apo kushtet e veçanta gjeografike të hapësirës detare që do të ndahet; 2) Forma konkave apo konvekse e bregdetit; si dhe 3) Prania ose jo e ishujve. Sipas Somalisë, në rastin konkret nuk provohet ekzistenca e asnjërit prej tyre, prandaj përcaktimi i ZEE dhe SHK mes dy palëve duhet bërë vetëm përmes vijës ekuidistante. Sipas Kenias (në pretendimet me shkrim, sepse ajo nuk mori pjesë në seancën plenare), vija ekuidistante duhej korrigjuar në favor të saj, pasi vetëm kështu zbatohet parimi i ekitesë. Ndër faktorët që ajo pretendonte të merren parasysh nga Gjykata, ishin pesë: 1)Vija ekuidistante zvogëlon dukshëm ZEE dhe SHK të saj, duke e ngushtuar atë në pjesën e sipërme për shkak të formës konkave që merr; 2) Ajo (vija ekuidistante) prish traditën e mirë të përdorimit të paraleleve dhe meridianëve në përcaktimin e kufijve shtetërorë të Afrikës; 3) Preken interesat jetësore të sigurisë për palët dhe për bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të kërcënimit të terrorizmit dhe piraterisë detare; 4) Aktivitetet e ndryshme të saj (Kenias) në det për vite me radhë, si dhënia e koncesioneve të naftës, patrullimet në det, peshkimi e të tjerë, tregojnë për ekzistencën e një kufiri detar de facto; dhe 5) Dëmtohen rëndë interesat ekonomike e në veçanti ato të peshkimit të Kenias, nga e cila varet një pjesë e mirë e popullsisë.

GJNDR vë në dukje se shumica e pretendimeve të Kenias, në thelb nuk kanë natyrë gjeografike. Ato thjesht kërkojnë vendosjen zyrtare të kufijve detarë mes dy vendeve, bazuar në paralelet gjeografike. Kjo duket qartë veçanërisht në pretendimin e dytë të saj. Prandaj, Gjykata sqaron me këtë rast se hapësirat detare nuk mund të përcaktohen në bazë të paraleleve gjeografike, por në bazë të parimit të ekitesë, ashtu siç vë në dukje edhe Konventa e Tretë e OKB-së mbi të Drejtën e Detit. Për pretendimin e tretë, GJNDR thekson se ajo është e ndërgjegjshme për kërcënimin e sigurisë në rajon dhe kontributin që duhet të japin edhe në të ardhmen për stabilitetin e Somalisë, OKB, Organizata e Unitetit Afrikan dhe vendet e rajonit. Por ajo shton më tej se kufijtë mes shteteve, përfshi edhe kufijtë detarë, synojnë të garantojnë qëndrueshmëri e stabilitet. Prandaj, pretendimi i Kenias për siguri nuk mund të justifikojë ndryshimin e vijës së kufirit. GJNDR nuk pranon edhe argumentin e katërt të Kenias, ekzistencën de facto të kufirit detar, për shkak të përdorimit të gjatë nga ana e Kenias për qëllime ekonomike të të gjithë hapësirës detare që kontestohet mes palëve. Ajo deklaron në mënyrë të qartë se asnjëherë nuk ka pasur një kufi detar de facto mes Kenias e Somalisë. Lidhur me pretendimin e fundit të Kenias, dëmtimin e interesave ekonomike e në veçanti të interesave të peshkimit dhe varësisë së konsiderueshme të një pjese të mirë të popullsisë nga kjo veprimtari, GJNDR sqaron se edhe ai nuk përbën argument bindës. Për më tepër, ajo shton se çështja e aktivitetit ekonomik dhe mirëqenies së popullsisë nuk mund të shtrohet vetëm për popullsinë e Kenias, por natyrisht që edhe për atë të Somalisë. Pas kësaj analize, GJNDR i kthehet pretendimit të parë të Kenias, përmes të cilit kërkohet korrigjimi i vijës ekuidistante, për shkak se “ajo zvogëlon e ngushton dukshëm ZEE dhe SHK” të saj. Gjykata vë në duke me këtë rast se forma konkave e hapësirës detare nuk përbën në vetvete rrethanë të pavarur për ndryshimin e menjëhershëm të vijës së kufirit detar. Ajo mund të merret parasysh vetëm në rastet kur për shkak të saj krijohet pabarazi e qartë në ndarjen e hapësirave detare. Për më tepër, Somalia thekson se në rastin konkret, forma konkave e ZEE dhe SHK të Kenias në Oqeanin Indian, nuk vjen për shkak të vijës ekuidistante të vendosur mes saj dhe Kenias, por për shkak të marrëveshjes detare që ajo (pra, Kenia) ka përfunduar vite më parë me Tanzaninë. GJNDR thekson se i takon asaj të sqarojë nëse efektet negative mbi Kenian në ndarjen e hapësirave detare vijnë për shkak të kufirit detar të saj me Tanzaninë apo për shkak të konfigurimit të bregdetit në tërësi, në një kuptim më të gjerë. Mbi këtë bazë, Gjykata vë në dukje se nëse shihet ngushtësisht vetëm kufiri detar mes Kenias dhe Somalisë, konkaviteti i bregut është shumë pak i dallueshëm. Megjithatë, po të merret parasysh i gjithë bregdeti nga veriu në jug mes tri shteteve, Somalisë, Kenias dhe Tanzanisë, duket qartë natyra konkave e tij. Pozitën e disfavorshme të Kenias në raport me Somalinë (në veri) dhe Tanzaninë (në jug), ajo e sheh si të njëjtë me atë të Gjermanisë në Detin e Veriut (në mes të Danimarkës dhe Holandës) dhe Bangladeshit në Gjirin e Bengalit (në mes të Mianmarit dhe Indisë). Ajo shton më tej se për të dyja rastet e mësipërme, ka tashmë vendime të gjykatave e arbitrazheve ndërkombëtare që korrigjojnë vijën ekuidistante të ndarjes së hapësirave detare, bazuar në parimin e ekitesë. Pasi bën këto konstatime, GJNDR thekson se edhe në rastin konkret duhet të zbatohet i njëjti standard, që do të thotë të merret parasysh në tërësi konfiguracioni gjeografik i bregdetit të të tri shteteve dhe mbi këtë bazë të spostohet në një nivel të caktuar drejt veriut (Somalisë) vija ekuidistante, duke pasur gjithnjë parasysh arritjen e një zgjidhje sa më të drejtë dhe sa më të ndershme mes palëve (Somalisë e Kenias), në përcaktimin e ZEE dhe SHK mes tyre, deri në distancën e 200 miljeve detare. Gjykata thekson gjithashtu në mënyrë mjaft interesante se në realizimin e kësaj detyre, ajo “…nuk ka për qëllim të riformatojë gjeografinë apo të kompensojë pabarazitë e shkaktuara nga natyra… Ekiteja nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe barazi”, dhe se “..nuk bëhet fjalë për dhënien e një drejtësie distributive…”. Mbi këtë bazë ajo konkludon duke nënvizuar se spostimet që do t’i bëhen vijës ekuidistante në funksion të parimit të ekitesë, nuk duhet të prodhojnë një rezultat që do të ishte i paarsyeshëm për Somalinë. Në këtë drejtim, sigurisht që e ndihmon testi i disproporcionalitetit, që është njëkohësisht edhe hapi i fundit për ndarjen e ZEE dhe SHK. Prandaj, pasi realizon në hartë spostimin e vijës ekuidistante në funksion të parimit të ekitesë, evidenton në vendim se gjatësia e bregdetit të dy shteteve, Somalisë dhe Kenias, është respektivisht 733 km dhe 511 km. Në hapësirën brenda 200 miljeve detare, secila përfiton përkatësisht 120 mijë kilometër katrorë (Kenia) dhe 92 mijë kilometër katrorë (Somalia), duke krijuar kështu një raport 1 me 1,3 në favor të Kenias. Sipas Gjykatës, ky raport nuk krijon pabarazi të dukshme mes palëve.

d) Shelfi Kontinental përtej 200 miljeve detare.

Sipas Konventës së Tretë të OKB-së mbi të Drejtën e Detit, aty ku është e mundur, Shelfi Kontinental i shteteve të veçanta mund të shtrihet edhe përtej 200 miljeve detare. Megjithatë, përpara se të realizojnë këtë objektiv, shtetet e interesuara duhet të njoftojnë e të marrin rekomandimin përkatës nga Komisioni i Kufijve të Shelfit Kontinental (CLCSH), i ngritur në kuadër të UNCLOS, si dhe të presin reagimet e shteteve të tjera të rajonit që mund të preken nga ky zgjerim. Nëse ka mbivendosje apo pretendime të ndryshme, me këtë çështje mund të angazhohet edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ashtu siç ka ndodhur edhe në rastin konkret. Somalia dhe Kenia, që në fazën me shkrim i kërkuan GJNDR të shprehej edhe për kufirin e Shelfit Kontinental mes tyre, përtej 200 miljeve detare. Somalia kërkoi edhe në këtë rast thjesht përdorimin e vijës ekuidistante. Kenia kërkoi sërish përdorimin për këtë qëllim të koordinatave gjeografike të pretenduara e, nëse kjo nuk merrej parasysh, zbatimin e parimit të ekitesë. Sipas saj, natyra konkave e bregdetit trepalësh (Somali, Kenia, Tanzani) lejonte që nga zbatimi strikt i vijës ekuidistante të përfitonte Shelf Kontinental përtej 200 miljeve detare vetëm Somalia e Tanzania, ndërsa Kenia që ndodhet mes tyre nuk përfitonte aspak. Në këto kushte, GJNDR thekson në vendimin e saj se të njëjtat kritere të zbatuara për ndarjen e ZEE dhe SHK mes Kenias e Somalisë deri në 200 milje detare, duhet të zbatohen për ndarjen e SHK edhe përtej kësaj distance (pra, përtej 200 miljeve). Me një fjalë, në këtë rast, vija kufitare nuk do të jetë gjë tjetër, veçse zgjatim i vijës së njëjtë gjeodezike të përdorur për ndarjen e hapësirave detare deri në 200 milje. Megjithatë, ajo thekson se përfundimisht mbi këtë çështje do të vendoset pas rekomandimeve që mund të paraqesë më vonë Komisioni mbi Kufijtë e Shelfit Kontinental, i krijuar nga Konventa e OKB-se.

© Panorama.al

Te lidhura