Detajet/ Vota e 61-të që i mundësoi Hotit të bëhet Kryeministër. Kush është deputeti i cili rrezikon rrëzimin e qeverisë në Kosovë

Oct 29, 2020 | 9:24
SHPËRNDAJE

Gjykata Kushtetuese e Kosovës po shqyrton një ankesë të Lëvizjes Vetëvendosje mbi ligjshmërinë e votimit të qeverisë Hoti, pasi një nga deputetët që i mundësoi shumicën, ishte i dënuar kur votoi. Vota e deputetit minoritar për qeverinë Hoti, për shkak se ai ishte i dënuar, ka mundësi që të bëhet shkak i rrëzimit të saj.

hoti thesari vjedhja

Gjykata Kushtetuese mundet ta kthejë në pikën zero zgjedhjen e qeverisë. Së shpejti pritet të publikojë aktvendimin lidhur me rastin e votimit të qeverisë Hoti. Sipas burimeve të “Gazetës Express” në Kosovë, vendimi i Kushtetueses i jep të drejtë Lëvizjes Vetëvendosje dhe e rrëzon qeverinë e Avdullah Hotit.

LVV-ja është ankuar në lidhje me votën e deputetit Etem Arifi, i cili votoi pro formimit të qeverisë Hoti, edhe pse ishte i dënuar nga gjykata. Përfaqësuesi i ashkalinjve ishte vota e 61-të, me të cilën Hotit iu mundësua të bëhet Kryeministër. Gjyqtar raportues i rastit ka qenë Bekim Sejdiu, i cili, edhe pse ne atë pozitë u zgjodh me propozimin e LDK-së, gjatë qëndrimit në Gjykatë Kushtetuese konsiderohet një gjyqtar i afërt me LVV-në, sipas “Express”.

LVV-ja ka dorëzuar në qershor të këtij viti kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese rreth “antikushtetueshmërisë e pjesëmarrjes dhe të votimit” të deputetit Etem Arifi në seancën për votimin e qeverisë Hoti.

“Me provat që dëshmojnë qartazi se z. Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit, sot, disa deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për antikushtetueshmërinë e pjesëmarrjes dhe të votimit të z. Arifi, i cili e bën të pavlefshëm dhe jokushtetues vendimin e Kuvendit të Kosovës”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Edhe pas këtij dënimi, ai kishte marrë pjesë në seancën e 3 qershorit, kur u zgjodh qeveria e re e Kosovës, pas rrëzimit të Albin Kurtit. Para një muaji, Arifi është dorëzuar vetë në Polici për ta vuajtur dënimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura