DETAJET/ Tritol banesës së pronarit të televizionit, ja për çfarë po heton policia

Sep 17, 2018 | 18:35
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Detaje te reja per shperthimin e eksplozivit ne nje banese ne Pogradec. Pak pas mesnatës së të dielës, pronarit të televizionit lokal iu vendos tritol para banesës së tij. Ngjarja u regjistrua në orën 00:45 në Lagjen Nr.1, ku lënda eksplozive e dyshuar si tritol u hodh në afërsi të banesës nga persona ende të paidentifikuar.

policia-bulqize
foto ilustrim

Sasia e eksplozivit, e cila nuk bëhet ende e ditur nga Policia, mësohet se është hedhur në pjesën para banesës, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Sipas të dhënave dyshohet se sasia ka qenë e vogël dhe është hedhur nga jashtë rrethimit, duke shpërthyer të paktën 25 metra në distancë nga ndërtesa.

Si pasojë e shpërthimit ka pasur vetëm një dëmtim në pjesën e oborrit të shtëpisë, por nuk është rrezikuar në asnjë moment ndërtesa ku jetonte biznesmeni së bashku me familjen e tij.

Sipas Policisë, shënjestër e sulmit ka qenë banesa e shtetasit Bajram Fejzollari, 60 vjeç, pronar i një televizioni në Pogradec, por edhe i një lokali të njohur në këtë qytet. Dyshohet se autori ose autorët e kanë hedhur lëndën plasëse nga rruga në drejtim të shtëpisë, por për shkak të distancës së largët, ajo ka mbetur në pjesën e oborrit duke mos rrezikuar kështu në asnjë moment shtëpinë.

Burime nga uniformat blu bënë me dije se kanë qenë fqinjët ata që kanë lajmëruar sallën operative, pasi kanë dëgjuar shpërthimin. Blutë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa kanë marrë në pyetje edhe të zotin e shtëpisë. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se vetë biznesmeni gjatë deklarimeve të dhëna është shprehur se nuk ka asnjë konflikt me persona të tjerë.

Ai madje nuk ka qenë në gjendje të japë asnjë emër konkret apo të paraqesë dyshimet e tij për persona që mund të ndërmarrin një veprim kërcënues ndaj tij apo familjes. Pas ngjarjes, forcat e policisë kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Paraprakisht dyshohet se shpërthimi ka qenë një shenjë kërcënimi ndaj Fejzollarit.

Për këtë shkak, po hetohen edhe kronikat e transmetuara së fundmi në televizionin në pronësi të tij, pasi dyshohet se ndonjëra prej tyre mund të ketë irrituar dhe prekur autorin. Gjithsesi, kjo mbetet në kuadër dyshimi pasi Policia theksoi se është duke hetuar në të gjitha pistat e mundshme, duke mos përjashtuar as atë të konkurrencës për lokalin e tij.

Bajram Fejzollari është një personazh i njohur në të gjithë Pogradecin, edhe për shkak të akteve të tij të bamirësisë në këtë qytet për familjet në nevojë. Ai nuk njihet si person problematik dhe as që të ketë konflikte me të tjerët.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura