DETAJET/ Reperi Stresi bie në prangat e policisë, si u arrestua brenda dhomës së hotelit

Oct 18, 2018 | 9:10
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Reperi i njohur Arkimed Lushaj, ose siç e njohin të gjithë me emrin Stresi, është arrestuar mbrëmjen e djeshme gjatë një operacioni të organizuar nga TaskForca qendrore e Policisë së Shtetit, në kuadër të “Forcës së Ligjit”.

Burime nga Policia thanë se këngëtari 31-vjeçar u arrestua në ambientet e një hoteli në zonën e Linzës në Tiranë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën ku ai po qëndronte, Policia gjeti një armë zjarri, pistoletë “Pjetro Beretta”, me 12 fishekë, që dyshohet të jetë pa lejen e autoriteteve, si dhe një sasi të vogël lënde narkotike të llojit kokainë.

stresi-1449359714-77147041_1505915345-5351645

Menjëherë u ekzekutua masa e sigurisë “arrest me burg”, që ishte dhënë në mungesë nga Gjykata e Tiranës, paraditen e djeshme. Stresi u shoqërua për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen, filloi procedim penal në gjendje të lirë, për shtetasen me iniciale P.Ç., 20 vjeçe, e akuzuar për moskallëzim krimi.

Prej dy ditësh, Policia e Shtetit ka nisur një plan masash me kontrolle të befasishme për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike. Kontrollet në Tiranë po kryhen nga Forca e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe patrullat e përgjithshme të komisariateve. Ndërsa në rastin e arrestimit të këngëtarit Stresi, burimet thanë se nuk ka qenë thjesht një kontroll rutinë, por ndërhyrja është bërë pas informacioneve që po verifikoheshin prej disa ditësh.

Stresii

Në operacion mësohet të kenë marrë pjesë Forcat Operacionale dhe ato FNSH. Arrestimi i Stresit vjen një ditë pasi babai i tij Sali Lushaj depozitoi një kërkesëpadi për shkaktim dëmi në Gjykatën e Tiranës kundër deputetit socialist Taulant Balla. Nga ana tjetër vetë këngëtari kishte qëndruar për herë të fundit në dhomat e paraburgimit në muajin prill të këtij viti, kur Policia tha se e kishte kapur duke konsumuar kokainë në ambientet e një lokali, por kjo nuk u provua në Gjykatë, gjë që solli lirimin e tij.

Por ky nuk ishte rasti i vetëm që Stresi ka pasur probleme me Policinë, madje në një rast, ai u arratis nga ambientet e Komisariatit, duke shkaktuar një situatë të vështirë për punonjësit e Policisë. Disa ditë më parë, në një dalje televizive, këngëtari pohoi se kishte bërë edhe disa gabime, duke përmendur konkretisht arratisjen nga Komisariati.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura