Detajet/ Pse Gjykata e Fierit liroi para kohe ish-deputetin Frroku. Avokati: Ka…

May 11, 2018 | 8:09
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Gjykata e Fierit ka vendosur që të lirojë me kusht të parakohshëm ish-deputetin Mark Frroku, i cili është dënuar përfundimisht me 6 vjet burg për “fshehje të të ardhurave” dhe “ndërtim të paligjshëm”.

mark-frrok

Vendimi është marrë së fundmi në Fier, ku edhe Frroku po kryente dënimin e tij. Frroku, është liruar para kohe me kusht, kur i mbeteshin 1 vit e disa muaj që të kërkonte lirinë për kryerjen e ¾ e dënimit.

Mirëpo, Gjykata e Fierit, e kryesuar nga Matilda Shalla, ka vendosur ta pranojë kërkesën e Frrokut për lirimin para kohe me kusht. Vendimi është ende i pazbardhur, por “Panorama” ka siguruar një kopje të kërkesës së dorëzuar nga Frroku në Gjykatën e Fierit. Në fakt, Frroku dhe avokati i tij kanë depozituar dy kërkesa dhe ajo që disponon gazeta, është kërkesa e rrëzuar nga gjyqtarja Adelina Zarka.

“Kërkuesi Mark Frroku, në datën 18.04.2018, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqë- sor Fier me këtë kërkesë me objekt ulje dënimi. Gjykata, pasi studioi kërkesën e paraqitur nga kërkuesi, në vështrim të nenit 69 të Kodit të Procedurës Penale dhe neneve 63 dhe 71 të ligjit nr. 8328 datë 16.04.1998 ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim’ çmoi se kërkesa penale e ardhur për gjykim bën pjesë në juridiksionin gjyqësor dhe është në kompetencën lëndore dhe tokësore të Gjykatës së Fierit”, shkruan vendimi i Gjykatës, i cili rrëzoi kërkesën e Frrokut, pasi po shqyrtohej paralelisht nga gjyqtarja Matilda Shalla.

Mirëpo, Prokuroria e Fierit nuk është e bindur me vendimin e Gjykatës dhe do ta ankimojë atë. Sipas Prokurorisë së Fierit, Frroku nuk i plotësonte kushtet për t’u liruar me kusht, pasi duhej të kryente edhe një vit e pesë muaj burgim që të lirohej. Vendimi për Frrokun është dhënë vetëm pas tri seancash nga Gjykata e Fierit dhe konkretisht nga gjyqtarja Matilda Shalla.

Por avokati i tij, Tonin Prendi, ka një version tjetër për sa më lart. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, Prendi tha se Frroku dhe ai, paralelisht, kanë bërë dy kërkesa në Gjykatën e Fierit për lirim të parakohshëm me kusht. Prendi shtoi se Mark Frroku ka pasur një sjellje të shkëlqyer në Burgun e Fierit, ka kryer ¾ e dënimit dhe ka arsye familjare që të kërkojë lirimin e parakohshëm. Sipas tij, të gjitha këto janë marrë parasysh nga Gjykata kur ka dhënë vendimin.

Ish-deputeti Frroku u arrestua në vitin 2015, fillimisht për akuzën e “kallëzimit të rremë” për çështjen e atentatit të supozuar ndaj deputetit Tom Doshi. Kjo ende nuk ka nisur të gjykohet për shkak të kompetencave mes gjykatave dhe këto tre vjet ka shëtitur sa nga Gjykata e Lartë, po aq edhe nga gjykatat e Krimeve të të Rënda dhe të Tiranës. Frroku ka qenë i gjykuar edhe për një vrasje të vitit 1999 në Belgjikë, për të cilën u shpall i pafajshëm në Shqipëri.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura