Detajet pikante të vizitës së Vuçiç, në Tiranë me 5 truproja të armatosur nga Serbia. Qen antiminë në Pallatin e Brigadave

May 28, 2015 | 16:47
SHPËRNDAJE

Vizita e Kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiç në Tiranë, për herë të parë në historinë 103-vjeçare të shtetit shqiptar, kishte detyruar Policinë dhe Gardën e Republikës të vendoste në masa të forta sigurie.

Grupi i rojeve serbe dje në Pallatin e Brigadave

E ngjashme për nga masat e sigurisë me vizitën e fundit të një personaliteti në Tiranë, ajo e Papa Françeskut, ambientet ku do të zhvillohej takimi në Pallatin e Brigadave kaluan në një sitë të imët kontrolli nga forcat e Gardës së Republikës dhe ato xheniere.

Rama dhe Bushati gjate pritjes se Vucic

Një qen i stërvitur antiminë ka lëvizur në të gjitha ambientet e jashtme dhe të brendshme të Pallatit të Brigadave. Madje, ai ka nuhatur edhe pajimet e operatorëve të televizioneve, çantat e tyre të kamerave dhe është larguar vetëm kur gjithçka nuk tregonte asnjë rrezikshmëri.
 

Një tjetër punonjës i Gardës së Republikës, përmes një aparature speciale elektronike, kontrollonte nëse kishte apo jo prezencë të lëndëve shpërthyese në ambientet ku do të mbahej takimi. Me një durim admirues, punonjësit e Gardës kontrollonin çdo sallë dhe çdo karrige dhe tavolinë ku do të qëndronin Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe delegacioni që i shoqëronte. 

Incidenti në stadiumin e Beogradit në ndeshjen Serbi-Shqipëri, por edhe klima e tensionuar pas takimit të Edi Ramës në Beograd, nëntorin e kaluar, me homologun e tij Vuçiç, kishin vënë në tension Policinë shqiptare për të parandaluar dhe incidentin më të vogël gjatë kësaj vizite.

Kjo vizitë ishte shndërruar edhe në një gur prove të demonstrimit të një klime miqësore dhe bashkëpunimi në Shqipëri me Serbinë, përtej të shkuarës së hidhur mes dy popujve. Masa parandaluese kishte marrë dhe pala serbe.

Në ambientet e Pallatit të Brigadave, shumë kohë para mbërritjes së Kryeministrit Vuçiç, mbërriti një grup prej pesë personash, të cilët u mësua se ishin pjesë e grupit që merrej me ruajtjen e kreut të qeverisë së Serbisë në këtë vizitë historike të tij.

Katër prej tyre, të fiksuar dhe në foton tonë, qëndruan në ambientet e jashtme të Pallatit të Brigadave, duke inspektuar nga afër kudo ku kishte çanta dhe aparate të gazetarëve. Ata ishin të armatosur, por nuk u panë të qarkullonin në të gjitha ambientet e jashtme, por vetëm aty ku lejoheshin gazetarët.
 

Më tej, kur gazetarët u futën në sallën ku do mbahej konferenca për shtyp, edhe ata zunë pozicionet e tyre sipas detyrës që kishin. Por jo vetëm në ambientet e Pallatit të Brigadave, por kudo në Tiranë situata ka qenë nën kontroll të plotë.

Një helikopter i Forcave të Armatosura të Ushtrisë i tipit “Cougar” ka shoqëruar eskortën e Kryeministrit Vuçiç nga Aeroporti i Rinasit e deri në Pallatin e Brigadave. Policia e Shtetit mësohet se kishte shtuar numrin e forcave të parashikuara një ditë më parë, pasi janë dashur më shumë efektivë edhe për të monitoruar trafikun, për shkak të bllokimit të shumë rrugëve në Tiranë.

Aristir Lumezi 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura