Detajet/ Konflikti me armë në ish-Bllok, i ndaluari i dyshuar për një atentat

Nov 13, 2017 | 14:25
SHPËRNDAJE

Një konflikt i shoqëruar me të shtëna armësh zjarri në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, mesnatën e së enjtes, alarmoi banorët dhe Policinë. Të paktën 15 persona u shoqëruan në Polici dhe një tjetër u arrestua për moskallëzim krimi, pasi u dërgua për të marrë mjekim në Spitalin e Traumës, me dëmtime të shkaktuara me sende të forta.

foto ilustruese
foto ilustruese

I arrestuari është një 27-vjeçar, që disa muaj më parë u dyshua si autor për një atentat bashkë me të vëllain, në zonën e Kinostudios në kryeqytet. Bëhet fjalë për shtetasin Erlis Duka, që ndonëse për ngjarjen e marsit të këtij viti, rezultoi i pafajshëm dhe u shua kërkimi policor ndaj tij, kësaj here dyshohet si i implikuar në konfliktin e armatosur.

Paraprakisht, ai është arrestuar për “moskallëzim krimi” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ndonëse Policia ka pasur prova dhe dëshmi që flisnin për përfshirjen e Dukës në këtë konflikt, vetë i ndaluari nuk ka pranuar të japë shpjegime.

Gjithashtu, nuk ka treguar as emrat e personave të tjetër të dyshuar, që janë përfshirë në këtë konflikt. Si prova në vendngjarje, Policia ka fiksuar dy gëzhoja armësh zjarri, që ende nuk dihet nëse i përkasin një arme apo janë të dy armëve të ndryshme. Ndërsa po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që janë përfshirë në këtë ngjarje.

KONFLIKTI ME ARME

Policia tha dje se, rreth orës 01:05, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Brigada e 8”, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ka një konflikt dhe ka të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë, shërbimet e Komisariatit nr.2 të Policisë kanë shkuar në vendngjarje. “Nga verifikimet paraprake rezultoi se, në rrugën ‘Brigada e 8’, ka pasur një konflikt mes disa të rinjsh. Si pasojë e konfliktit, ka mbetur i dëmtuar shtetasi Erlis Duka, 27 vjeç, banues në Tiranë, i cili nuk ka dëmtime me armë zjarri, por dyshohet të jetë dëmtuar nga goditje me grushte.

Shtetasi Erlis Duka është dërguar për ndihmë mjekësore, ku më pas është arrestuar për veprën penale ‘moskallëzim krimi’”, tha zyrtarisht Policia. Burimet thanë se gjatë konfliktit, njëri prej shtetasve të përfshirë në konflikt ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

“Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja arme zjarri. Janë shoqëruar në ambientet e Policisë 15 persona për sqarime dhe verifikime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, tha Policia e Tiranës.

Ndonëse Policia deklaroi dje se nuk ka të lënduar, dëshmitarët janë shprehur se janë plagosur dy persona, të cilët janë larguar nga vendngjarja para se të mbërrinin forcat e rendit.

ETLEVA DELIA/PANORAMA

Deshmitari

Një dëshmitar ka dërguar në “BalkanWeb” një video nga vendi i ngjarjes duke rrëfyer edhe si ndodhi ngjarja. Ndonëse policia foli për një të lënduar, ai thotë se janë plagosur dy persona dhe se policia ka mbërritur 10 minuta me vonesë.

“Përballë Sky Tower ka ndodhur një përplasje me armë. Janë plagosur dy veta, kanë qëlluar me armë. Ndërkohë policia po kërkon. Gëzhojat janë shpërndarë, kanë shkelur edhe mbi gjurmët. Mund të kenë qenë 2-3 persona. Policia ka ardhur 10 minuta me vonesë. Ambulanca tani erdhi”, raporton dëshmitari pak minuta pas ngjarjes për “BalkanWeb”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura