Detajet/ I dënuar me burg, porositës i një vrasjeje, çfarë bënte në Durrës italiani i rrezikshëm. Si u arrit të kapej

Nov 4, 2019 | 9:54
SHPËRNDAJE

policia-3

Pasuria me vlerën 750 mijë euro e një shtetasi italian, i cili me leje qëndrimi jetonte e punonte në Durrës, ka rënë në “rrjetën” e hetuesve dhe policisë pas hetimeve 18 mujore.

“Nga puna gjurmuese policore dhe hetimet proaktive prej afro 18 muajsh, në bashkëpunim e nën drejtimin e Prokurorinë së Rrethit Gjyqësor Durrës, në kuadër të operacionit policor “Dentisti”, strukturat hetimore të Drejtorisë për Krimin Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale seksioni i Durrësit, gjatë operacionit policor “Dentisti”, arritën identifikimin, gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë të përllogaritur paraprakisht 750 000 euro”, tha Policia.

Pasuritë janë të shtetasit Italian F. M., 56 vjeç, i dënuar me 8 vite burg në Itali, si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale dhe si porositës i një vrasjeje.

Në këtë hetim, krahas bashkëpunimit ndërinstitucional ka patur bashkëpunim me partnerët italianë, si dhe ndërmjet Prokurorisë së Durrësit dhe të Napolit.

Prokuroria e Napolit, në përgjigje të kërkesës për asistencë ligjore të Prokurorisë Durrës, konfirmoi se shtetasi Italian F. M., 56 vjeç, lindur në Itali dhe banues në lagjen nr. 13, në Plazh Durrës, me shtetësi dhe kombësi Italiane është i dënuar nga autoritetet e drejtësisë italiane, si pjesë e klaneve kamorriste në zonën e Napolit, Itali.

Shtetasi italian F. M. ishte me leje qëndrimi në Shqipëri dhe ushtronte aktivitetin tregtar si vijon:

Në vitin 2012 ka regjistruar shoqërinë sh.p.k, me objekt prodhimi dhe tregtimi i medikamenteve dhe pajisjeve dentare, në Tiranë, me 50 % të aksioneve në pronësi të tij.

Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt prodhimi dhe tregtimi i pajisjeve mjekësore-kirurgjikale për larje dhe dezinfektim ambientesh, ku 45 % të kuotave i posedon F.M.

Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt laboratore dentare, ku F. M. ka 30 % të kuotave.

Aktualisht, strukturat për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar po punojnë në bashkëpunim me administratorët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara, për t’i kaluar në administrim të tyre, në bazë të ligjit “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura