Detajet e reja/ Zbulohet ku i kishte fshehur lekët gjyqtari Shkëlqim Miri

Nov 11, 2017 | 11:12
SHPËRNDAJE

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, ishte nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda prej të paktën 6 muajash. Ai dyshohet se ka marrë shumën e 30 mijë eurove për të lënë në fuqi vendimin e dënimit që favorizonte një të dënuar për vrasje, të cilit i ishte ndryshuar akuza në plagosje të rëndë me dashje.

shkelqim-miri1

Pas hetimeve dhe përgjimeve, prokuroria krijoi bindjen se gjyqtari e kishte marrë këtë shumë parash, pasi vendimi i dhënë prej tij ishte ai që pritej nga familjarët e të dënuarit. Për të provuar këto dyshime, organi i akuzës kërkoi leje nga gjykata për kontrollin e banesës së gjyqtarit Shkëlqim Miri.

Dhe në fakt kontrolli rezultoi efikas, pasi gjyqtarit ju kapën rreth 30 milionë lekë në banesë. Konkretisht atij ju sekuestruan 174 mijë e 810 euro, 1 milion e 149 mijë lekë dhe 1 mijë dollar. Sipas burimeve të policisë mësohet se paratë kanë qenë të futura në një çantë e cila ishte lënë në dhomën e gjumit të gjyqtarit.

Në momentin e sekuestrimit të parave, gjyqtari nuk ka dhënë asnjë deklaratë për policinë, por pas arrestimit ai tha se sasia e eurove ishte e një të afërmit të tij i cili do blinte një banesë. Ky justifikim vjen pas verifikimit të deklaratës që vetë gjyqtari ka bërë pranë institucioneve të “vettingut”, ku nuk ka dhënë asnjë informacion për shumën e parave të sekuestruara në banesën e tij./Mapo.al/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura