Detajet e projektit/ Bashkia çon Teatrin e Kukullave te Kopshti i ri Zoologjik

Aug 14, 2020 | 9:06
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Në 1 qershorin e vitit 2021, të vegjlit e kryeqytetit do të festojnë me një teatër të ri, mu në mes të Kopshtit Zoologjik.1

Mësohet se ka qenë këmbëngulja e Kryeministrit Edi Rama për të vendosur në projektin e rikonceptimit të kopshtit edhe një teatër kukullash, ndërkohë që nuk dihet fati i ndërtesës ekzistuese me vlerë historike.2

Në projektin e arkitektëve gjermanë, prezantuar në shkurt të këtij viti, në 5 hektarë tokë është menduar gjithçka për argëtimin e fëmijëve përgjatë një dite të plotë, që nga zonat e posaçme të piknikut, kafshët, këndet e lojërave e deri te snack baret për prindërit. Vlera limit e rikonceptimit të këtij objekti është 702 milionë lekë, pa teatrin e shtuar me dëshirën e kreut të qeverisë.

KRYEBASHKIAKU3

Ditën e parë të punës, pasi mposhti COVID-19, kryebashkiaku Erion Veliaj e nisi nga Kopshti Zoologjik, aty ku prej disa ditësh ka nisur puna për transformimin e tij. Ishte vetë ai që komunikoi ndryshimin në projektin që do të jetë gati në mesin e vitit të ardhshëm. “Në 1 qershorin tjetër, dhurata për fëmijët do të jetë Kopshti Zoologjik i Tiranës. Me këmbënguljen e Kryeministrit kemi shtuar edhe një teatër kukullash, që do të shërbejë edhe si auditor, jo vetëm për shfaqje, por edhe për klasa, sepse duam që Kopshti Zoologjik të jetë edhe hapësirë didaktike”.

LIDHJA ME BOTANIKUN

Edhe pse përballja gjyqësore e bashkisë me Universitetin e Tiranës për pronësinë e Kopshtit Botanik është në proces, bashkia nuk ka ngurruar të bëjë publike planet që ka për të. Menjëherë pas përfundimit të fazës së parë të projektit me rikonceptimin e Kopshtit Zoologjik, do të nisë puna edhe për transformimin e Kopshtit Botanik. “Për Njësinë 13 dhe zonën e Liqenit shtohet një tjetër xhevahir. Në fillim rregulluam pjesën e vjetër të Liqenit, më pas liruam pjesën e vjetër në zonën e Farkës, kemi mbaruar pistën e biçikletave, pistën e vrapit, kemi shumëfishuar pemët në gjithë zonën e liruar nga koha e ish-Komunës. Ka dalë një hapësirë fantastike. Duke shtuar fazën e parë të projektit, që është Kopshti Zoologjik, dhe më pas me fazën e dytë, që është Kopshti Botanik, në zemër të Tiranës përfitojmë një kontrast shumë të madh midis hapësirës urbane dhe një hapësire pak më të egër dhe ekzotike”, shpjegoi Veliaj.

DETAJET E PROJEKTIT

Kopshti Zoologjik po rikonceptohet si një mjedis i përshtatshëm jo vetëm për fëmijët që e vizitojnë, por edhe për banorët e përhershëm, kafshët. Ai do të ketë hapësira çlodhëse për vizitorët dhe parking nëntokësor me më shumë se 100 vende që mbulon nevojat e vizitorëve dhe të komunitetit përreth. Liqenet ekzistuese do të thahen me qëllim krijimin e tre të rejave me thellësi që shkojnë jo më shumë se 2 metra. Sipërfaqja e tyre do të zvogëlohet për të liruar hapësirë për kafshët, çka lehtëson edhe menaxhimin e tyre. Rrugët gjarpëruese që shmangin grumbullimin e njerëzve në një drejtim do të ndahen përmes mureve mbrojtëse relativisht të larta. Interesante është krijimi i ishujve, ku do të vendosen majmunët dhe shpendët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura