Detajet e krimit që tronditi Lushnjen/ U qëllua nga 3 armë të ndryshme, një nga viktimat kishte pistoletë, por s’e përdori dot

0
SHPËRNDAJE

Rikthehen hakmarrjet dhe përplasjet e bandave të Lushnjës. Dy të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur është bilanci i një krimi të rëndë që ndodhi në orët e vona të pasdites së djeshme në këtë qytet.

Persona të paidentifikuar hapën zjarr nga një makinë në ecje, duke qëlluar me breshëri nga tri armë të ndryshme drejt një lokali që ndodhet në lagjen “Loni Dhamo”.

viktimat ne lushnje

Ngjarja ndodhi vetëm pak metra larg komisariatit të këtij qyteti, ndërsa të vrarë mbetën shtetasit Jurgen Hoxha, 22 vjeç, dhe Zamir Latifi, 23 vjeç. Gjithashtu i plagosur rëndë nga atentati ka mbetur Marius Xhepexhiu, 26 vjeç, i cili sipas të dhënave është pronar i lokalit ku ndodhi ngjarja.

Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar, Bujar Turku, 66 vjeç. Policia bëri të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi në vendin e quajtur “Ura e Përroit”, ku nga persona të paidentifikuar ende është qëlluar me armë zjarri automatik dhe si pasojë kanë ndërruar jetë dy shtetas, i plagosur rëndë ka mbetur një tjetër, si dhe ka marrë dëmtim të lehtë edhe një kalimtar i cili ndodhet në Spitalin e Lushnjës nën kujdesin e mjekëve, pa probleme për jetën.

“Viktimat janë shtetasit Z. L., 23 vjeç, dhe J. H., 22 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë. Shtetasi i plagosur rëndë është M.Xh., 26 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, i cili po transportohet për në Tiranë, si dhe ka marrë dëmtim të lehtë shtetasi B.T., 66 vjeç”, thuhej në njoftimin e dhënë nga Policia e Lushnjës në lidhje me këtë ngjarje. Vetëm disa minuta pas krimit të rëndë, mësohet se në sallën operative të Lushnjës ka mbërritur një telefonatë nga ku sinjalizohej se në aksin rrugor Lushnjë-Berat po digjet një mjet.

“Grupi hetimor ka shkuar menjëherë ku ka gjetur në mjetin tip Benz tre armë zjarri automatike. Makina dyshohet se mund të jetë i autorëve. Është ngritur grupi hetimor i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje”, bëri të ditur policia.

Policia gjeti në vendngjarje edhe një armë pistoletë, që i përkiste njërit prej viktimave, të cilën ai ka tentuar ta përdorë por breshëria e plumbave i ka marrë jetën.

PANORAMA

Te lidhura

 

Artikulli paraprak20 vite pas aksidentit tragjik, Suela Lala rrëfen historinë e saj
Artikulli tjetërVideo/ Sekuestrohen 64 kg kanabis, pranga 50-vjeçarit në Memaliaj

S'KA KOMENTE

Comments are closed.