“Detajet e dyshimta nga projekti për Butrintin”, deputetja e PD denoncon: Nga përfshirja e Elva Margaritit në bord tek rreziku i historisë dhe identitetit kombëtar

Apr 28, 2022 | 12:08
SHPËRNDAJE

Deputetja e PD, Ina Zhupa ka prekur në denoncimin e saj në Kuvend disa detaje të dyshimta për projektin e qeverisë shqiptare për Parkun Kombëtar të Butrintit.

Sipas deputetes demokrate, në bordin e fondacionit që është ngritur për të menaxhuar parkun, ndodhet ministrja Elva Margariti, por si emër, jo si përfaqësuese e institucionit që ajo drejton sot, pra Ministrisë së Kulturës.

Një detaj interesant është fakti që Margariti nuk ka të drejtë vetoje ndaj katër anëtarëve të tjerë të bordit, pra shteti nuk ka fuqi ndaluese për vendimet që mund të merren nga ky bord.

“Ju na thoni sot që po shteti do të jetë aty se do jetë ministrja Elva Margariti pjesë dhe është interesante se si në bordin e fondacionit zonja Margariti prezantohet si pjesë e bordit me emër dhe jo si institucion, ndoshta për ta futur veten në bord edhe kur të mos jetë ministre.

Në bord ka pesë persona, dhe zonja Margariti në emër të ministrisë së Kulturës shpresoj është vetëm një e s’ka asnjë pikë të vendimit të gjykatës të krijimit të fondacionit ku të thotë që të ketë të drejtë vetoje apo të jetë mbi katër votat e tjera të privatit.

Pra absolutisht Butrinti i kalon privatit, katër personave të tjerë që janë privat dikush të panjohur dikush mëse të njohur si është rasti i Riçard Hoxhes e interesat që ai ka dhe frymën antishqiptare. Ky është vendimi i gjykatës, është fakt, nuk po e them unë”.

Një tjetër detaj që veçoi Zhupa në fjalën e saj në Kuvend ishte edhe plani i menaxhimit të integruar të Butrintit që është hartuar pa asnjë arkeolog e studiues shqiptar.

Në këtë plan tha Zhupa, përmendet “27 herë që Butrinti është vendi i një kolonie greke. Rrezikojmë dhe historinë shqiptare, identitetin tonë kombëtar jo vetëm pasurinë e trashëgiminë kulturore”.

“Ju arritët deri aty sa bëtë planin e menaxhimit të integruar të Butrintit pa përfshirë asnjë ekspert shqiptar, asnjë studiues shqiptar, të cilët janë sot të gjithë kundër pavarësisht nëse kanë qenë të majtë apo të djathtë në bindjet e tyre.

Pse mendoni ju se nuk kishte vlera për tu pyetur Auron Tare? Neritan Ceka? Apollon Bace? Kreshnik Merxhani të gjithë këta arkeologë e studiues shqiptar?

Pse duhet të vijë një kompani e huaj dhe asnjë shqiptar e në planin e integruar të Butrintit të thotë 27 herë që Butrinti është vendi i një kolonie greke? Rrezikojmë dhe historinë shqiptare, identitetin tonë kombëtar jo vetëm pasurinë e trashëgiminë kulturore”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura