Detajet/ Ç’ndodhi në takimin me dyer të mbyllura të Bashës me përfaqësuesit e OSBE. PD dhe aleatët vendosën që…

Nov 19, 2019 | 8:18
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me aleatët ka takuar në selinë blu për më shumë se një orë një delegacion të nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, Sh.T.Z. George Tsereteli, dhe sekretari i përgjithshëm, z. Roberto Montella.

PD-selia1-rama

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, por gazeta “Panorama” mësoi se Tsereteli gjatë diskutimit i ka kërkuar kryedemokratit Basha si përfaqësues i të gjithë opozitës, që të japin alternativën e tyre për Reformën Zgjedhore. Ndërsa nga ana tjetër mësohet se kryedemokrati Basha u ka shpjeguar pjesëtarëve të delegacionit angazhimin e opozitës për finalizimin e platformës së tyre.

Burimet pohuan se kreu i selisë blu i ka thënë Tseretelit që PD-ja dhe aleatët, prej një muaji tashmë, kanë krijuar një grup pune të ndarë në disa nëngrupe për të përfunduar kapitujt në mënyrë të veçantë për Reformën Zgjedhore. Një tjetër temë diskutimi mes tyre ka qenë edhe mekanizmi që do të bëjë bashkë palët për të diskutuar për një draft final të përbashkët mes opozitës dhe maxhorancës.

Nga burimet brenda takimit mësohet se Basha ka konfirmuar se opozita nuk ulet dot në një tryezë me maxhorancën, pa praninë e ndërkombëtarëve si garanci. Ndërsa nga ana e tij, Tsereteli është shprehur se institucioni i OSBE-së kërkon të ndihmojë palët në këtë proces dhe nuk do të jetë në mbështetje të njërës palë apo tjetrës, ndaj shtoi se pavarësisht çdo përpjekjeje të ndërkombëtarëve, në fund dakordësia do të jetë po ndërmjet maxhorancës dhe opozitës.

Sakaq, opozita e bashkuar e ka vendosur në mënyrë definitive tashmë, që në tryezën e sotme të thirrur nga OSBE dhe NDI të përfaqësohet me 13 anëtarët e grupit të punës për Reformën Zgjedhore. Ndërsa janë mandatuar për të folur sekretari për çështjet zgjedhore i PD-së, Ivi Kaso, dhe Muharrem Caka.

Tryeza e sotme do të trajtojë çështjet e financimit të partive dhe fushatave zgjedhore. Siç gazeta “Panorama” e publikoi pak kohë më parë, opozita e ka gati draftin e saj për këtë pikë. Një ndër propozimet që do të shpaloset nga opozita e bashkuar në tryezën e sotme do të jetë financimi 100% nga shteti i fushatave elektorale dhe kriminalizimi i financimeve private.

Po ashtu, drafti i PD-së ngarkon Komisionin Qendror të zgjedhjeve që të hartojë një listë me materialet e nevojshme për çdo njësi dhe të nxjerrë masën e shpenzimeve për fushatë. Gjithashtu, një tjetër propozim i rëndësishëm i opozitës është vlerësimi i një mandati të deputetit, në mënyrë që të shpërndahet fondi vjetor për partitë politike në bazë të vendeve që ka në Parlament.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura