Detajet/ Bomba ndaj ushtarakut zbardh vrasjen e grabitësit në Durrës

Dec 12, 2015 | 8:44
SHPËRNDAJE

Përforcohen edhe më shumë dyshimet e policisë dhe prokurorisë se tritoli në makinën e ushtarakut Elton Imeri ka lidhje me grabitjen për të cilën akuzohet vëllai i tij.

Makina e Ervis Imerit, pas zbulimit të bombës në korrik
Makina e Ervis Imerit, pas zbulimit të bombës në korrik

Katër ditë pas shpërthimit të fuqishëm në Kombinat, në makinën “Golf 4”, me targa AA 880 BX, ku mbeti i gjymtuar 34-vjeçari Elton Imeri, grupi i hetimit ka përforcuar të dhënat që tregojnë për një lidhje mes dy krimeve.

Vëllai i policit ushtarak të plagosur nga shpërthimi i ndodhur më 8 dhjetor në Kombinat, shtetasi Ervis Imeri, i ka shpëtuar një atentati me bombë poshtë makinës së tij tip “Fiat”, më 12 korrik të këtij viti.

Në verë Ervis Imeri arriti t’i shpëtonte atentatit, pasi zbuloi lëndën plasëse poshtë makinës së tij në Kombinat. Por katër ditë më parë, vëllai i tij nuk pati të njëjtin fat, për shkak se mbeti i gjymtuar nga shpërthimi në makinë.

LIDHJA ME GRABITJEN

Ervis Imeri, vëllai i policit ushtarak që u gjymtua në Kombinat, punonte me një aktivitet privat për prodhime duralumini. Në mars 2015, një çift të moshuarish u grabit dhunshëm në Tepelenë.

Shpërthimi në makinën e Elton Imerit, 4 ditë më parë në Kombinat
Shpërthimi në makinën e Elton Imerit, 4 ditë më parë në Kombinat

Të moshuarit u dhunuan aq keq sa për disa javë u desh që të mjekoheshin në spital. Sipas policisë, ngjarja ndodhi pak ditë pasi Ervis Imeri kishte kryer disa punime duralumini në banesën ku ndodhi grabitja. Policia dyshon se 31– vjeçari Ervis Imeri ka mësuar se të moshuarit kishin para në shtëpi dhe së bashku me dy persona të tjerë bënë planin e grabitjes.

Por, nga ana tjetër, pasi u arrestua në korrik 2015, Ervis Imeri nuk e ka pranuar akuzën e grabitjes. Ai ka pohuar për hetuesit se nuk ka qenë pjesë e grabitjes dhe as e organizimit të saj.

GRABITJA

Në lagjen “Demokracia”, në Tepelenë, katër persona të maskuar e të armatosur, nën kërcënimin e armës dhe dhunës, grabitën banesën e të moshuarit Naim Çiça.

Mes tyre dyshohet edhe Ervis Imeri, një person i shpallur në kërkim, si dhe shtetasi Robert R. Ky i fundit është vrarë me armë zjarri në 8 qershor 2015, në Durrës, në zonën e Kënetës, brenda një lokali.

Viktima, që sipas policisë dyshohej se kishte marrë pjesë në grabitjen e ndodhur në Tepelenë, u vra me një plumb në kokë. Policia thotë së 31– vjeçari nga Laçi ishte një nga grabitësit e çiftit të të moshuarve në Tepelenë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura