DETAJET/ Bojaxhiu futi në biznes financuesen e fushatës në Tiranë

May 9, 2016 | 8:07
SHPËRNDAJE

Një fakt i ri ka dalë në dritë në hetimet për aktivitetin financiar të Gjergj Bojaxhiut, ish-zv.ministër, ish-drejtor i KESH dhe INUK.

Gjergji Bojaxhi
Gjergji Bojaxhi

Pjesë e biznesit të tij ka qenë edhe një personazh që është renditur në listën e financuesve të fushatës së Gjergj Bojaxhiut në garën e tij për Bashkinë e Tiranës.

Në datën 31 maj 2015, shtabi elektoral i Gjergj Bojaxhiut dhe ai vetë bënë publike listën e financuesve të fushatës së tij elektorale në garën për Bashkinë e Tiranës përballë Erion Veliajt dhe Halim Kosovës, si dhe kandidatëve të tjerë.

Personi i 11-të në listë ishte shtetasja Misela Dervishi. Ajo gjendet edhe sot në listën e financuesve të fushatës së Gjergj Bojaxhiut në arkivën e kohës në internet.

“Panorama” shkruan sot se pikërisht ky emër rezulton se ka lidhje me një nga bizneset kryesore për të cilat Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet me kallëzim nga Policia e Shtetit.

Fjala është për kompaninë e tregtimit të hidrokarbureve “Everest Oil”, përfaqësues i së cilës rezulton të ketë qenë Gjergj Bojaxhiu. Prokuroria e Tiranës, në datën 4 mars 2016, ka vendosur regjistrimin “për verifikim” të kallëzimit që është bërë nga Policia ndaj Gjergj Bojaxhiut.

Njësia Task Forcë e Prokurorisë po verifikon nëse në kallëzim ka elementë të veprave “mashtrim me kredi”, “pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “fshehje të ardhurash”.

FUSHATA DHE BIZNESI

Siç rezulton nga dokumentet e biznesit të Bojaxhiut, në vitin 2014, ai me anë të një prokure ka emëruar Misela Dervishin si përfaqësuese të posaçme në kompaninë “Everest Oil”.

Me anë të prokurës në fjalë, Gjergj Bojaxhiu i jep të drejtë asaj për të kryer transferta nga të gjitha llogaritë e “Everest Oil” sh.a në bankë të nivelit të dytë. Referuar prokurës, së firmosur nga Bojaxhiu, Misela Dervishi ka tagrin të nënshkruajë çdo lloj dokumenti që nevojitet apo i kërkohet, për kryerjen e çdo veprimi, për realizimin e të drejtave të dhëna.

Pikërisht kjo pjesë e veprimeve të Bojaxhiut është bërë objekt hetimi për të parë nëse ka një lidhje midis aksesit që Misela Dervishi kishte në paratë e biznesit të kandidatit për Bashkinë e Tiranës dhe financimit që ajo ka bërë për ishzv. ministrin e Ekonomisë.

Misela Dervishi, sipas të dhënave zyrtare, ka qenë në 11-shen e parë nga 80 financuesit më të mëdhenj të fushatës së Gjergj Bojaxhiut në Tiranë. Ajo e ka fituar të drejtën e aksesit në llogaritë e kompanisë “Everest Oil” me prokurën e vitit 2014, pak para se Gjergj Bojaxhiu të shpallte kandidaturën për Bashkinë e Tiranës.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura