Detajet/ Atentati në Vlorë, i plagosuri shkëmbeu zjarr me autorët

May 23, 2016 | 8:43
SHPËRNDAJE

Atentati ndaj anëtarit të Bandës së Gaxhait u shoqërua mbrëmë me shkëmbim zjarri mes tij dhe autorëve. Armando Sulejmani, i njohur me nofkën “Çipuri”, u qëllua mbrëmë nga dy persona, duke u plagosur.

Vendi ku ndodhi atentati
Vendi ku ndodhi atentati

Ngjarja ndodhi mbrëmë, rreth orës 21:30, në hyrje të pallatit ku jeton Sulejmani, në lagjen “Pavarësia”. I dënuari me 20 vite burg për vrasje, vjedhje me dhunë dhe krijim të bandave kriminale, kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu.

Mbrëmjen e djeshme mësohet se Sulejmani ka qenë duke zbritur nga banesa për në oborrin e pallatit, kur ka rënë shënjestër e armëve të dy autorëve. Këta të fundit të maskuar dhe në gjysmerrësirë qëlluan drejt 40-vjeçarit Armando Sulejmani, duke e plagosur atë në këmbë e duar.

Me shpejtësi ka qenë dhe reagimi i “Çipurit”. Ky i fundit është ngjitur me shpejtësi nëpër shkallët e pallatit të tij dhe prej dritareve të katit ka qëlluar drejt autorëve që i kishin zënë pritë.

Pas disa sekondash shkëmbim zjarri, dy autorët janë larguar nga pas pallatit, ndërsa njëri prej tyre është parë nga dëshmitarët duke çaluar, ç’ka ka hedhur dyshimet se mund të jetë plagosur.

Nga ana e Policisë së Vlorës është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, ku u gjetën plot 14 gëzhoja, kryesisht pistoletash.

Mendohet se të tilla kanë qenë armët e qëlluara në vend, si nga autorët, ashtu dhe nga objekti i atentatit.

Megjithatë, emri i Armando Sulejmanit është i njohur për Vlorën. Ai njihet si një nga anëtarët e Bandës famëkeqe të Gaxhait, drejtuar nga Gazmend Braka, rivalë të Zani Çaushit dhe të akuzuar për vepra të rënda të kryera në vitin 1997. Sulejmani njihej me nofkën “Çipuri” dhe pas kryerjes së dënimit me 20 vite burg, kishte dalë i lirë.

Ai është një ndër anëtarët e Bandës së Gaxhait që ka mbetur gjallë në vite. Në vitin 2003, Gjykata e Vlorës e dënoi Armando Sulejmanin për vrasjen e Elton Tatos, si dhe vrasjen e mbetur në tentativë të Robert Borakut, duke marrë dënimin me 20 vjet burg.

Në vitin 2012, Gjykata e Lartë e ktheu për rishqyrtim çështjen ndaj Armando Sulejmanit, duke argumentuar se vendimin në Apel në vitin 2003 e kishte marrë e njëjta gjyqtare që kishte qenë e pranishme në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë.

Të gjitha këto veprime dhe kalimi i viteve nga koha e kryerjes së dënimeve nga Sulejmani bënë që ai të fitojë lirinë. Dyshohet se atentati i djeshëm të ketë lidhje me historitë e vitit ’97, edhe pse nuk përjashtohen konflikte të tjera të “Çipurit”.

QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura