DETAJE/ Vrasësi grek hyri si klandestin, takimi me Kasmin 3 ditë para atentatit dhe kërcënimi me armë në kokë

Feb 4, 2018 | 13:00
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Atentati mafioz i së hënës në Tiranë, ku u vra 41-vjeçari Devi Kasmi, është organizuar nga një grup i strukturuar kriminal që kishte “pajtuar” një ish-efektiv të forcave speciale greke, si vrasës me pagesë.

auto_greku21517585095

Policia tha zyrtarisht se shtetasi grek Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, dyshohet se ka rolin e ekzekutorit, madje ka edhe prova të rëndësishme që provojnë dyshimet e grupit hetimor. Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen. Megjithatë, ai ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke pretenduar se në Shqipëri ndodhej si turist, e jo për të kryer krime. Por si argument për të hedhur poshtë pretendimet e tij, Policia ka sistemin e Policisë Kufitare, ku shtetasi nga Arta nuk figuron i regjistruar.

Në këto rrethana, burimet thanë se Efthymious nuk mund të ketë ardhur këtu si turist, pasi ka hyrë në vendin tonë si klandestin, e jo duke kaluar kufirin në mënyrë të rregullt. Nga ana tjetër, si provë tjetër të rëndësishme, grupi hetimor ka edhe veshjet që ai dyshohet se ka përdorur natën e krimit, pistoletën tip “Glock”, si dhe disa pamje filmike para dhe gjatë atentatit.

HETIMI

Përveç karakteristikave fizike që u përshkruan një ditë pas vrasjes, nga i arrestuari Mario Meshini e që përputhen me ato të shtetasit grek Efthymiou Efthymious, burimet thanë se kanë si provë edhe disa pamje filmike 3 ditë para vrasjes. Bëhet fjalë për një përballje të tij me viktimën Devi Kasmi, në palestrën e këtij të fundit, që ndodhet në rrugën “Urani Pano”, në Tiranë.

Burimet thanë se nga pamjet duket se mes Kasmit dhe shtetasit grek ka pasur një debat 3 ditë para vrasjes, madje viktima i ka drejtuar atij edhe pistoletën. Ndërsa shfaqet duke e kontrolluar edhe nëse ishte i armatosur apo jo.

Burimet thanë se këto pamje përputhen me dyshimet e grupit hetimor se vrasësi me pagesë ka studiuar prej ditësh lëvizjet e Devi Kasmit, për të gjetur vendin për të përshtatshëm për realizimin e atentatit. Kjo dyshohet se ka qenë arsyeja se përse Efthymiou Efthymious ka shkuar te palestra e tij, si e vetmja adresë e saktë të cilën ai kishte. Ndërsa duke vëzhguar lëvizjet e Kasmit në ditët në vazhdim, ka zbuluar edhe vendin “perfekt” për të realizuar krimin. Pallatin ku Kasmi kishte një apartament që shumë pak persona e dinin.

TE ARRESTUARIT

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu, gjatë konferencës për shtyp të premten, shpjegoi “rolet” e anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, që realizoi atentatin ku mbeti i vrarë Devi Kasmi. Sipas tij, shtetasi i shpallur në kërkim, Aurel Hoxhallari, dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal. Elton Halipaj dyshohet se ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit. Shtetasi grek Efthymiou Efthymious dyshohet në rolin e ekzekutorit të shtetasit Devi Kasmi, si vrasës me pagesë.

Malvin Dinellari dyshohet se ka siguruar mjetet dhe ka përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes. Gjithashtu edhe Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastrukturës për realizimin e vrasjes. Por asnjëri prej këtyre personave nuk ka pranuar përfshirjen në vrasje. Ndërsa hetuesit shpresojnë të bindin njërin nga të arrestuarit, që të pranojë statusin e bashkëpunë- torit me drejtësinë, edhe pse burimet thonë se kanë prova të mjaftueshme që i implikojnë në vrasje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura